“7 arte” organizoi Konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore” në Mitrovicë - Bota Sot
“7 arte” organizoi Konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore” në Mitrovicë

Kultura

“7 arte” organizoi Konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore” në Mitrovicë

Më: 26 prill 2019 Në ora: 20:33
Pamje nga takimi

Organizata 7Arte mbajti konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore”, që njëherit shënoj edhe përmbylljen e projektit hulumtues “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”.

Ky projekt synoi të zbatojë një analizë të gjendjes aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për hartimin e Planit Komunal për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile, student dhe qytetarë të Mitrovicës.

Konferenca kishte për qëllim prezantimin e të dhënave nga analiza mbi gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë. Gjatë hapjes drejtori i organizatës 7Arte z.Lulzim Hoti, prezentoi mbarëvajtjen e projektit, si dhe rezultatet e hulumtimit, ku të dhënat treguan përqindje të lartë të qytetarëve të cilët u deklaruan se trashëgimia kulturore është vlerë jetësore për mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës; 89% u deklaruan që të gjithë fëmijët në shkolla duhet të njoftohen mbi trashëgiminë kulturore të Mitrovicës; 82% deklaruan që komuna duhet të shpenzojë më shumë mjete në aktivitetet për trashëgimi kulturore; 91% u deklaruan se duan që Komuna e Mitrovicës duhet të punojë më shumë rreth mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës; 93% u deklaruan që Komuna e Mitrovicës duhet sa më parë të hartoj rregulloren/planin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, z.Tafil Peci, përgëzoi punën e bërë gjatë projektit si dhe u zotua që do të përkrahë iniciativat e shoqërisë civile e njëkohësishtë edhe ato individuale të qytetarëve që kanë për qëllim përmirësimin e sferës së trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.

Madje, shprehu gatnshmërinë për të ofruar bashkëpunime ndërsektoriale për hartimin e planeve e rregulloreve të cilat do e mbronin e promovonin trashëgiminë kulturore. Në konferencë ishin të pranishëm edhe studiues e profesorë të cilët kontribuan me debat konstruktiv si dhe duke dhënë rekomandimet e tyre.

Gjatë konferencës u publikua edhe Harta Digjitale e pikave me rëndësi të veçantë kulturore për qytetarët e Mitrovicës. Harta do të jetë e hapur për tu pasuruar edhe me lokacione tjera që propozohen nga qytetarët.

Disa nga rekomandimet nga pjesëmarrësit në konferencë ishin: u rekomandua që të zhvillohet një hulumtim me mitrovicasit të cilët nuk jetojnë në Mitrovicë, se si ata që e kujtojnë Mitrovicën; që edukimi mbi trashëgiminë kulturore të fillojë nga gjeneratat e reja; të mblidhen kujtime nga gjeneratat e vjetra dhe të shkruhet mbi trashëgiminë sshpirtërore të Mitrovicës, si dhe që të hartohet sa më parë Plani komunal për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, obligim ky i dalur edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

Këto dhe me shumë të dhëna të detajuara do të publikohen në broshurën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore të Mitrovicës – Përceptimet e qytetarëve të Mitrovicës”.

Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” realizohet në kuadër të projektit GrassRoots Action Support që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.”

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...