E rëndë dita me lëkurë hajni,
Ik` e ik` e ik` sokaqesh pa sy .
Çdo gjë në të zi për vdekjen, për Ty.
Nën peshën e dhembjes dhe të lotit
Prilli i zvogëluar për një palë duar,
Për një shikim, për një përqafim.
Mbi udhët, drurët, pullazet bie shi.
E rëndë, Kati e heshtur, dita pa Ty
Binës loti sesi i rrëshqet mbi fytyrë
Në vete i puth sall kujtimet, ëndrrat,
Verbër nga shikohen në pasqyrë.
II
Mbi udhët, drurët, pullazet bie shi.
Të gjitha rrugët humbin në mua
Me buzëqeshjen e harruar të së kremtes
Ti e le qytetin, Ti e le binën. Dhe, ne.
Funerali i lodhur ik pas hijes së vet
Një dhembje e gjallë nëpër qytet
Rrugë më rrugë, troket, derë më derë
Krejt e verbër, qan, pa vete pa fener
As Dita të marrë frymë, as Teatri, as Ti.
Qytetin e rrah shiu dhe lotët e mi.
III
Kortezhi përkundet vetes në dhembje,
Rrugë më rrugë rrëshqet, lumë i thyer
Një nënë me fëmijë në gji, një plak sy shqyer
E heshtje e ndezur, e lot. Zgahje dhe vetmi
Ti ikën, pas ngelin kujtimet dhe pasqyra
Vetat nga qajnë e qeshin, një mijë fytyra
Tërë në mallëngjim dëgjohet diku lira
Pas vetes vjen pas teje zemra ime duke qarë
E hajni që vodhi lumturinë ik` pa u vrarë
Qyteti gërhet i ftohur, ndrydh dejtë në vete
Ti ikën, pas ngelin kujtimet, ëndrrat, pasqyra
Vetat nga qajnë e qeshin, një mijë fytyra.
(Fundi i prillit, `69)