“Ylbere dashurie” në Tiranë dhe “Mbretëri dashurie” në Korçë

Kultura

“Ylbere dashurie” në Tiranë dhe “Mbretëri dashurie” në Korçë

Nga: Shaban Sinani Më: 29 prill 2019 Në ora: 17:42
“Ylbere dashurie” në Tiranë dhe “Mbretëri dashurie” në Korçë

Rrugëtimi poetik i poetes tetovare Sadije Aliti këtë radhë destinacion pati Shqipërinë. Vargu poetik së pari ndalet në kryeqytetin shqiptar në Tiranë. Promovimi i krijimtarisë së autores u realizua në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, në praninë e miqve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar artistike. Mesdita e së shtunës, rrebeshi i shiut e breshëri nuk ishin pengesë për të pranishmit për të përcjellur këtë event kulture. Së pari fjalë përshëndetëse prezentoi poetja Helena Halilaj, e cila bëri moderimin dhe kishte bërë edhe organizimin e aktivitetit. 

Poetja, gazetarja, prezantuesja dhe publicistja Kozeta Zavalani paraqiti një vlerësim për librin me poezi të përkthyer edhe në gjuhën suedeze “Ylbere dashurie”.

“Për të bërë recensionin e librit më të ri të Sadije Alitit, fillova me një lexim analitik dhe të detajuar e nga ana tjetër, bëra një replikë individuale me anë të së cilës dua t’i përgjigjem jo vetëm pyetjes “pse?” por gjithashtu pyetjes “dhe pastaj?”. Në këtë mënyrë, duke kombinuar aftësi të ndryshme, jo vetëm nxjerr në pah eksperiencën profesionale të autores, por edhe shpalos qëllimet e saj, që shpesh janë të nënkuptuara. Gjithsesi si për të gjithë krijuesit poezia është muza, frymëzimi i thellë shpirtëror, është një ndjenjë estetike e brendshme, një pasqyrim i përtej shpirtit në harmoni me të gjitha elementet natyrore e jetësore”- u shpreh Zavalani.

Ajo më tej shtoi se “poetja  gërmon në minierën e shpirtit, kërkon të gjejë thesare brenda heshtjes dhe zërit, rrëmben qiellin dhe dritën dhe i shndërron ato në poezi. Ndaj poezia e saj ka jetë, sepse ajo i jep shpirt dhe zë, duke e shndërruar çdo fenomen që ndesh në vlerë të jetës. Poetesha Sadije Aliti e identifikon poezinë të shkruar në rreshta pa u bazuar në rimë dhe metër të rregullt; në botën e sotme gjithnjë e më të globalizuar, poetët shpesh përshtatin forma, stile dhe teknika të ndryshme”.

“Në poezinë “Dashuri ëme”, ka një pjesë të madhe dhe të bukur në qendër të amësisë, që është kaq e vështirë për ta përshkruar në fjalë. Është një ndjenjë, jo një shpjegim. Ndoshta kjo pjesë më së miri do të quhet dashuri. Nëse është kështu, është me të vërtetë një dashuri unike e rezervuar për marrëdhënien nënë / fëmijë. Dhe lum kur e keni ndier, ju e dini më mirë.

Për poeten, amësia sheh vlerën e thellë në të mësuarit e fëmijëvet, i inkurajon dhe i mëson ata të jenë versionet më të mira të vetes. Është shpresa më e madhe që pranon dashurinë e pakushtëzuar që fuqizon dhe forcon fëmijët, duke nxitur vetëbesimin dhe mirësinë!  Janë ato momente të përditshme që vjedhin zemrën me një lidhje të veçantë që Perëndia bëri me më shumë rëndësi.Një marrëdhënie që vetëm dy njerëz të caktuar mund të ndajnë - një nënë dhe fëmija i saj,  e asgjë nuk do të krahasohet me të asnjëherë ...se është dhurata më e mirë e pranuar ndonjëherë”-shtoi mes tjerash Zavalani. 

Më pas në ecurinë e këtij promovimi u ndërlidhën edhe të pranishmit, miqtë e krijueses.

“Sadijen e njoh si  shkruese, si poete, si mikeshë, si gazetare tereni. Kur lexon poezitë e saj, nuk arrin të kuptosh ku është Sadija, ku është subjketi, apo ku është emocioni, është i saj apo e ka marrë nga një kronikë si gazetare tereni me një eksperiencë të madhe, edhe në ato kohëra kur nuk do t’i thoshte lajmet ashtu siç ishin të vërteta, është dashur të flasë me kode. Edhe poezia është me kode, flet e koduar. Po të lexosh poezitë e saj nuk mendoj se e kupton që të thotë haptas dashuroni apo mos dashuroni, pra kuptoni vetë. Në jetën miqësore flet pak, por nga ajo që flet thotë shumë, këtë e përdor edhe në vargun poetik”- tha Lola Shehi, poete.

 Petrit Menja theksoi se me poeten jemi shoqëruar nëpër shumë aktivitete letrare në Tetovë që realizohen me Shoqatën e Shkrimtarëve Oeneum, por edhe në hapësirat tjera shqiptare, pasi ajo është shumë e pranishme, e përgëzoj për këtë promovim dhe për librat e botuar pasi ajo çdo herë është në lëvizje, është aktive dhe sjell diçka të re.

Perikli Shuli përgëzoi autoren për këtë promovim të krijimtarisë së saj, pasi në shumë takime letrare jemi miq që takohemi prej shumë vitesh, ajo çdo herë sjell risi dhe me vlerë në botimet e reja. Çdo herë sjell diçka të bukur atje ku paraqitet në hapësirën shqiptare por edhe në Evropë.

Autorja, personazh i promovimit në Tiranë, theksoi se është me shumë privilegj pasi po prezenton peozinë e saj në këtë mes, duke faleminderuar të gjithë të pranishmit për kohën që ndanë dhe që e nderuan autoren.

Poezi nga libri që promovohej lexoi aktorja Merita Duballa me një zë të mrekullueshëm dhe një interpretim tepër profesional. Për disa pika në violinë u përkujdes Bejbi Shahini.

Në Laç anëtare nderi e miqësisë shqiptaro-italiane

Në një ceremoni festive, me një program të pasur kulturo-artistik, me këngë e valle karakteristike të kësaj treve Shoqata kombëtare e miqësisë dhe bashkëpunimit Shqipëri-Itali, para një numri të madh të të pranishmëve shënoi 28 vjetorin e veprimtarisë së saj si shoqatë. Në këtë event u shpallën edhe anëtarë  nderit të Shoqatës.

Sadije Aliti nga Kryesia e Asmablesë së Shoqatës kombëtare të miqësisë dhe bashkëpunimit Shqipëri-Itali nderohet me titullin anëtare nderi. Ky titull i akordohet  në “vlerësim të angazhimit dhe kontributit shumë të madh në dhënien e mësimit të gjuhës shqipe në rajonin e Tetovës, si një penë shumë e fuqishme si shkrimtare dhe për intelegjencën, talentin dhe vullnetin që ju keni dhënë për femrën shqiptare në Maqedoni”, është një shkëputje nga motivacioni i kësaj mirënjohjeje të nënshkruar nga presidenti Nikollë Lleshi.

Në fjalën e rastit Sadije Aliti theksoi se ky nder i veçantë që po i bëhte nga qyteti i Laçit dhe nga kjo Shoqatë për kontributin dhe angazhimin e dhënë në sferën e arsimit, shkrimit e botimit të veprave dhe në sektorin qytear, sidomos për përkthimin e poezive dhe botimin e librit edhe në gjuhën italiane është një konsideratë e çmueshme dhe një vlerë e madhe.

“Në këtë mes, po promovoj edhe librin “Mbretëri dashurie”, të botuar në gjuhën italiane, ku u dhuroj edhe disa kopje, ky çmim është i veçantë për mua, dhe më shton obligimin dhe përgjegjësinë edhe më shumë për të qenë edhe më tej më vigjilente në krye të misonit fisnik në arsim, sektorin qytetar e në kulturë, faleminderit shumë dhe jam shumë e nderuar”-theksoi poetja Sadije Aliti me rastin e pranimit të këtij çmimi.

Korça bukuri poezie e bukuri serenate

Destinacioni i radhës për promovimin e krijimtarisë poetike të Sadije Aliti ishte Korça qytet i serenatave, qytet i dijes e dritës shqipe. Qytet simbol me një rregullim të kujdesshëm viteve të fundit të shton joshjen për ta vizituar, sapo ngjyrat e pasditës dukeshin se po ndryshonin ritmnin, të shtohej një dëshirë të kundërmosh Korçën nga afër, për të zbërthyer atë ndjenjë të kureshtjes.

Në Muzëun e ABC-së, në vendin e dritës e të dijes, në mësonjëtoret e shkollës shqipe nën organizimin e klubit letrar “Bota e Re” u bë promovimi i veprës poetike  “Mbretëri dashurie” në praninë e një grupi të çmuar miqsh dhe dashamirë të librit, autorë e krijues nga ky qytet me një kulturë të hershme qytetare. Programin e udhëhoqi poeti Arjan Kallco. Për veprën e poetes një vlerësim kritik prara të pranishmëve prezentoi shkrimtarja Gerta Bandilli. "Mbretëria e dashurisë" e poetes Sadije Aliti na bëri të kuptojmë se nëse nuk e kemi një mbretëri të tillë ta krijojnë, sepse çdo njëri prej nesh mundet. “Dashuria vjen, ulet këmbëkryq në mendimet tona, në ndjenjat tona, por vetëm shpirtrat fisnik mund ta bartin atë dhe mund të krijojnë një mbretëri dashurie, ashtu siç bëri Sadije Aliti në vëllimin e saj poetik. Ky vëllim poetik na tregon se ekzistenca e njeriut varet nga dashuria sespe ajo është jeta mbi të cilën vendosim komunikimin, dëshirat ëndrrat, shpresat të ardhmen tonë. Është jeta ku ndalet vetmia, melankolia, jeta dhe dhe loti. Natyrisht dashuria është më e madhe se kaq, është falja që i kërkojmë nënës se i kemi friguar buzëqeshjen nuk ia kemi ofruar dorën për ta faleminderuar mjaftueshëm””-theksoi Gerta Bandilli.    

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Saranda Iseni, avokate nga Suedia, e cila e vlerësoi lartë poezinë e autores duke theksuar se vargu i saj ka një mesazh të thellë që lexuesi vetë ta zbërthejë gjatë leximit, duke i veçuar disa poezi për lexim sipas përzgjdhjes së saj, të cilat i intepretoi me një intonacion të bukur.

Poetja Sadije Aliti në fjalën përshëndetëse theksoi se:”Është krenari, është nder i veçantë që në këtë tëmpull të shenjtë, në këtë objekt të rëndësishëm të kulturës shqiptare të organizoj promovim të krijimtarisë sime. Faleminderit për miqtë në Korçë, poezitë e bukura që lexuat, vargjet e bukura që sollët këtu. Korçën e kemi vizituar disa herë, është shumë mikëpritëse, çdo herë kur vijmë gjejmë shumë dashuri dhe çdo herë ka se çka të vizitohet, edhe në punën time me nxënësit me shumë dashuri flasim për mësonjëtoren e Korçës, është kënaqësi të jesh në mesin e lexuesve e njerëzve që e duan poezinë, e duan librin”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe shkrimtari Skënder Rusi, aktori Koço Qendro, aktori dhe regjisori Dhimitër Orgocka, shkrimtarja Gerta Bandilli etj. Për pjesën e muzikës gjatë promovimit u përkujdes kantautori Maksi Kulla.

Përndryshe në këto dy promovime një pjesë të krijimtarisë së tij prezantoi edhe poeti tetovar që jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë Besim Xhelili.

Aktiviteti u përmbyll me një darkë të përbashkët në ambientet atraktive me një dekor antik të restorantit Liceu, nën tingujt e kitarës dhe të serenatave korçare nga këngëtari Tomi Kondakçi, një ambient shumë festiv.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat