Mitingu i poezisë në Gjakovë me shumë aktivitete

Kultura

Mitingu i poezisë në Gjakovë me shumë aktivitete

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 3 maj 2019 Në ora: 20:11
Gjakovë

Në Gjakovë me 10 maj mbahet Mitingu i 55-të i poezisë, jubile ky që ka lënë gjurmë ndër vite me krijues dhe debat për tema të shumta të letërsisë. Janë shumë poetë, madje eminentë edhe për letërsinë shqipe e botërore, që kanë marr pjesë për këto vite, që nga viti 1964, por janë dhe shumë tema me rëndësi që kanë marrë shtjellim, në tribunën e debatit, duke ligjëruar studiues nga të gjitha trojet shqiptare dhe ndërkombëtare. Mitingu i poezisë, dikur ndër të rrallët e këtij lloji në trojet shqiptare, i themeluar nga krijues nga Gjakova dhe më vonë në bashkë organizim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, i mbijetojë traditës për kaq vjet duke ruajtur shumëçka substanciale nga themelimi e rrugëtimi i tij. Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, bartës i këtij evenimenti, tani në 51 vjetorin e tij, e ka pasuruar dhe moderuar këtë manifestim, konkurrente për shumë festivale poetike në rajon.

Këtë vit, në jubilenë e 55-të, do të mbahen një varg promovimesh, orë letrare për të vegjël e të rritur, ajo tradicionale në Junik e Bajram Currë, si dhe tribuna me temën “Letërsia shqipe dhe politikat kulturore” që do të paraqesin për debat me kumtesa studiuesi Dr. Ibrahim Berisha dhe krijuesja nga Tirana Flutura Açka. Pas katër vitesh Mitingu e kthen reitingun në pjesëmarrës ndërkombëtarë që nga Argjentina vjen poeti, Rikardo Rubio, nga Portugalia, Maria do Sameiro Barroso dhe Laura Garavaglia nga Italia. Si dhe poetë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare e me theks të veçantë nga diaspora.

Java e Mitingut – pesë promovime

Pas shumë përgatitjesh, çdo gjë nisë me Javën e Mitingut me 6 maj me dy promovime, në orën 12.00 opusi i katër veprave të krijuesit Muharrem Kurti, dhe në orën 13.30 promovimi i romanit “Valsi i dashurisë” I – II, të autorë së re Jetlira B. Avdija.

Me 7 maj, Promovimi i librit me poezi “Imazhe jete”, të autorit Masar Kupa, ndërsa më 8 maj promovimi i biografisë “Përjetësia e poetit Halil Haxhosaj”, me autor Shefqet Dinaj. Më 9 maj Ora e poezisë në qytetin Bajram Curri dhe mbyllet java me promovimin e përmbledhjes me recensa dhe kritika letrare “ETERN’ ARS” – volumi II, të autores Migena Arllati.

10 maj Dita qendrore e Mitingut.

Dita manifestive qendrore e kësaj feste poetike, nisë me 10 maj, në orën 11.00 në sheshin “Nënë Tereza” në Gjakovë me poetë nga Karvani i shkrimtarëve dhe pjesëmarrës të tjerë. Në orën 12.00 në Junik, në kullën-bibliotekë, ndërsa në orën 13.30, bashkë me studentë në Fakultetin Filologjik do të lexojnë poetët mysafir ndërkombëtarë si dhe studentët krijues. Pika kulminante si gjithnjë mbetet Tribuna letrare që nisë në orën 17.00 në Bibliotekën Publike Ibrahim Rugova, ndërsa Ora qendrore e poezisë në nivel konkurrues nisë në orën 19.00 në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”.

Çmimet e Mitingut

Gjatë kësaj mbrëmje ndahet çmimi “Din Mehmeti” për librin më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve, ku juria e ngritur nga Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” ka marrë në shqyrtim librat e paraqitura në konkurs, si dhe ndahet një tjetër çmim, po ashtu tradicional, “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë e lexuar gjatë mbrëmjes. Vazhdon të ndahet dhe çmimi “Yllka Domi” për poeten debutuese në Miting, të cilin e fitojnë zakonisht femrat krijuese. Janë planifikuar edhe disa çmime të karrierës, çmimi jubilar dhe çmimi ndërkombëtar me emblemën “Shën Nënë Tereza”.

Deri me tani kanë konfirmuar ardhjen shumë poetë, si dhe ata ndërkombëtarë të cilët vijnë për herë të parë në Kosovë edhe nga Amerika latine.

Dita qendrore e Mitingut

10 maj 2019

Ora: 11.00 - Ora letrare për fëmijë e të rinj (Sheshi “Nënë Tereza”).

Lexojnë: Ricardo Rubio (Argentina), Laura Garavaglia (Italia). Maria do Sameiro Barroso (Poertugalia), Karvani i shkrimtarëve dh poetë tjerë pjesmarrës.

12.00 - Ora letrare në Junik (Kulla - Biblioteka komunale).

Ora: 13.30 - Ora letrare në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Gjakovës, me poetë të shumtë dhe grupi letrar të studentëve.

Tribuna letrare

Ora: 17.00 - Tribuna letrare e Mitingut. Tema: “Letërsia shqipe dhe politikat kulturore”.

Ligjërojnë: Flutura Açka & Dr. Ibrahim Berisha

Ora: 19.00 - Ora qendrore e poezisë

Lexojnë: Ricardo Rubio( Argentina), Laura Garavaglia( Italia). Maria do Sameiro Barroso (Poertugalia), Flutura Açka, Entela Kasi, Jeton Kelmendi, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Skender Buçpapaj, dhe poetë tjerë të cilët janë në konfirmim.

Java e Mitingut - nis më 6 maj 2019.

06.05.2019

Ora: 12.00 - Promovimi i katër veprave të autorit Muharrem Kurti.

Vështrim për librin: Mujë Buçppaj, Prend Buzhala, Qazim Shehu, Jeton Kelmendi

Ora: 11.00 - Promovimi i romanit “Valsi i dashurisë” I - II. Autore: Jetlira B. Avdija. Vështrim për librin: Muharrem Kurti, Vjollca Kuqi.

07.05.2019

Ora: 12.00 - Promovimi i librit me poezi “Imazhe jete”. Autor: Masar Kupa. Vështrim për librin: Migena Arllati, Agim Gjakova, Hajrullah Hana

08.05.2019

Ora: 12.00 - Promovimi i biografisë “Përjetësia e poetit Halil Haxhosaj”. Autor: Shefqet Dinaj. Vështrim për librin: Petrit Palushi, Muharrem Kurti

09.05.2019

12.00 - Ora e poezisë në qytetin Bajram Curri.

Ora: 18.00 - Promovimi i përmbledhjes me recensa dhe kritika letrare “ETERN’ ARS” – volumi II. Autore: Migena Arllati.Vështrim për librin: Entela Kasi, Kujtim Agalliu,

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat