Sotiraq Spirollari për librin “Lufta e Trojës -Luftë Pellazgo-Ilire"

Kultura

Sotiraq Spirollari për librin “Lufta e Trojës -Luftë Pellazgo-Ilire"

Nga: Rrustem Geci Më: 5 maj 2019 Në ora: 13:28
Gratë e shqiptarë të Arizones, me rastin e promovimit të librit "Lufta e Trojës - Luftë Pellazgo Ilire".

Çfarë koinçidence historike emrash. Elena flet për Elenën. Bukur! A nuk duket si providencë hyjnore?! Librat e shkruar nga ju gjithmonë më kanë mrekulluar, ndërsa libri siç është ky për Luftën e Trojës, më ka ngazëllyer! Ky libër në fakt është Themra e Akilit, sepse ka prekur fqinjëve tanë atë që është e paimagjinueshme, historinë e antikitetit. Si të thuash shfuqizim i gravitetit! Bie miti! Bota historike u përfshi në kureshtje! Ky libër rrëfen ligjin e vjetër, se mashtrimi i lavdisë ecën krah për krah me fundin njerëzor të ideatorëve, ndërsa e vërteta ecën krah për krah me të përjetshmen. Përjetësia mundëson ringjalljen!

Zbulimi juaj është i nivelit aq të lartë, sa bëhemi skeptikë dhe shohim njëri tjetrin në sy! Uau! Si ka mundësi, -pyesim, edhe pse e ndjenim brenda vetes. Kjo ndodh se mashtrimet historike kanë qënë kaq obeze, kaq gjigande sa çdo popull do ndjehej inferior dhe mosbesues sapo të dëgjonte të kundërtën! Ndaj urtësia na tregon se kur e reja lind, çirret e bërtet, sepse nuk i lë vend e vjetra! Pikërisht kjo po ndodh.

Unë besoj tek ju e dashur Elena, ashtu siç i besoj lindjes së foshnjave dhe vdekjes së gënjeshtrave të moçme. Sapo dëgjoj ligjëratën tënde, dilemat shkrihen si akujt mbi ujë kur lind dielli. Je e qartë, e kthjellët, bindëse dhe shteruese. Dilemat historike mbarojnë. Ti ndan mitin nga historia e vërtetë. Kokës se historisë i ke hequr paruket dhe zbulove kokën me plis të pellazgo - ilirëve. 

Image

Libri juaj “ Lufta e Trojës” nuk është vetëm një risi për historiografinë shqiptare por dhe atë botërore. Përmes punës tuaj voluminoze, e imagjinoj teksa të është dashur të lëvizësh shtresëzime manipulimesh shekullore, konglomeratë bashkimesh të paqëna, ke lëvizur pllakat tektonike, ndaj pritet tërmet dhe tsunami. Ti je kurajoze, guximtare dhe meriton të quhesh Nderi i Kombit dhe Yll Shkëlqyes në lumin e errët të shkencës historike. Libri juaj planetar, sapo ka nisur xhiron e botës në ritmin metabolik të afirmimit. 

Tashmë të ka dalë punë e e madhe të bindësh skeptikët, dyshuesit, ziliqarët dhe kundërshtarët, disa prej të cilëve me siguri mbajnë thikë në gojë në vënd të argumentit! Ju Znj. Elena, do ti kthjelloni ata, por dhe ata do kuptojnë në heshtje apo hapur, se nuk ke lajthitur në shovinizëm apo delir nacionalizmi. Nacionalizmi është fundamentalizmi fetar i epokës moderne - i verbër, fanatik dhe budalla. Shqiptarët nuk e kanë në gen shovinizmin, as nacionalizmin e verbër, madje janë viktima historike të ndjenjave të tilla. 

Image

E nderuar Znj.Elena! Ju meritoni të jeni aty ku tashmë gabimisht qëndrojnë mëndje shterpë dhe ujra të ndenjura. Eshtë koha e historianëve të rinj dhe moderne për nga kurajo dhe mendësia. Eshtë koha për prozhektorë drite dhe jo flakë të nemitura qirinjsh. Akademia e Shkencave ka nevojë. Shekulli i Ri ulëret! E vërteta e groposur së gjalli, po lëviz dherat. Providenca Hyjnore po flet, ne duhet ti kuptojmë mesazhet, shenjat dhe faktet e saj. 

E nderuara shkencëtare Elena! Ndërsa kam etjen t’ju përqafoj, ju siguroj se tashmë jeni në zemrën e çdo shqiptari të mirë. Zoti bekoftë jetën dhe familjen Tuaj! Amen!

Sotiraq Spirollari- Kanada

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat