Hapet ekspozita “Veronikë 20 vjet...”

Kultura

Hapet ekspozita “Veronikë 20 vjet...”

Më: 6 maj 2019 Në ora: 15:31
Protagonistja kryesore e këtyre fotografive është Veronika Zeka, një foshnjë e vogël e sapo kthyer nga malet e Berishës në vendlindje pas përfundimit të luftës.

Fotografi të cilat përcjellin një pjesë të përjetimeve të luftës të fundit që u zhvillua në Kosovë, janë vendosur sot në muret e bibliotekës “Pjetër Bogdani”.

E protagonistja kryesore e këtyre fotografive është Veronika Zeka, një foshnjë e vogël e sapo kthyer nga malet e Berishës në vendlindje pas përfundimit të luftës.

Madje edhe ekspozita e hapur të hënën, ka marrë emrin e saj “Veronikë, 20 vjet...”, ndërsa është e pasur me foto të Hazir Rekës dhe me reportazhe të luftës së fundit në Kosovë, nga gazetarë të huaj.

Veronika sot është studente e Fakultetit të Bujqësisë, ndërsa ka ardhur të shoh prej afër fotografitë që i janë bërë asaj menjëherë pas kthimit në atdhe.

Ajo tregon se është interesante të shoh fotografitë që i janë bërë asaj në periudhën menjëherë pas luftës.

Zeka: Ekspozita ka një rëndësi shumë të madhe për mua

“Për mua është diçka shumë interesant. Gjatë gjithë kësaj kohe që ka kalu, do të thotë 20 vjet, nuk janë edhe shumë pak. Në fotot që shihen këtu, këtu jemi kthyer nga lufta, në bazë të historisë që më kanë treguar dhe i kemi gjetur shtëpitë tona të shkatërruara”, tha Zeka.

Profesoresha  e Letërsisë Franceze, Nerimane Kamberi ka treguar se ekspozita është bërë në kuadër të një aktiviteti më të gjerë të përkujtimit, për atë se çka kanë përjetuar shqiptarët ndër vite.

Kamberi: Ekspozita merret kryesisht me ikjen gjatë ofensivave të 98-ës

“Kjo ekspozitë kryesisht merret me ikjen gjatë ofensivave të 98-ës, nëpër malet e Kishnarekës, pra të zonës kryesore të Drenicës, dhe me një rrëfim personal të një vajze e cila ka lindur në mal, sot, e cila është studente dhe rrëfimi i saj përmes gazetarëve të huaj, një gazetare franceze, e cila ia ka lënë emrin. Ekspozita përbëhet nga fotografi bardh e zi, të fotografit Hazir Reka, dhe fotografitë me ngjyra të historisë së vajzës dhe nënës së saj”, tha Kamberi.

Ndryshe, Ambasada e Francës  në bashkëpunim me Shoqatën e Profesorëve të gjuhës frënge të Kosovës, ka organizuar sot konferencën “Kosova ashtu siç e kanë ëndërruar”, që ka për qëllim përmes rrëfimeve personale, nisjen e një analize të ngjarjeve të luftës që kanë ndodhur 20 vjet më parë.

Nga aty doli mesazhi se nëpërmjet syve të fëmijëve dhe gëzimit të tyre, njerëzit obligohen të mendojnë për paqen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat