Shkrimtari Vangjush Ziko dhe diaspora shqiptare

Kultura

Shkrimtari Vangjush Ziko dhe diaspora shqiptare

Nga: Papuciu Alfred Më: 6 maj 2019 Në ora: 15:51
Kopertina e librit

Shkrimtari Vangjush Ziko, 88 vjeçar, jeton me familjen, prej vitit 2004 në Kanada. Ai nuk rresht së shkruari për vendlindjen dhe diasporën kudo që ndodhet. Autori ka botuar rreth tridhjet vepra në poezi, dramë dhe përkthime. Ai është autori i një sërë studimesh, esesh, dramash, skenarë filmash dhe skicash letrare, si dhe bashkëautor tekstesh të letërsisë. Vangjush Zikos i është dhënë urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006” nga Klubi Letrar “Bota e Re”. Ka lindur në Korçë në vitin 1931. Babai i tij është nga Bezhani i Kolonjës, ndërsa nëna nga Dardha e Korçës. Shkollën e mesme e ka kryer në Korçë ndërsa studimet e larta në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Ka punuar mësues në Gjimnazin “Raqi Qirinxhi” dhe Universitetin”Fan Noli” në Korçë. Për disa vjet me rradhë ka drejtuar degën e Lidhjes së Shkrimtarëve në këtë qytet. Nga rusishtja ka përkthyer poezi nga Pushkini, Esenini dhe Evtushenko. Gjithashtu ka përkthyer një antologji prej katër vëllimesh me lirika ruse, ku përfshihen 500 poezi, nga 300 poetë, që nga fillimi i shekullit të 18-të, deri në fund të shekullit të 20-të. Ai është nderuar me dekoratën e lartë ‘Pushkin’ për kontributin e dhënë në përkthimin e poezisë ruse në shqip. Gjithashtu eshte nderuar me medalje ari për përkthimet e tij nga shtëpia botuese Argeta.

Poeti ynë i mirënjohur Vangjush Ziko, ndërkohë dramaturgu, skenaristi, libretisti , prozatori dhe veçanërisht përkthyesi i spikatur, këto ditë, nxori në qarkullim veprën e tij Persiatje. Libri më i ri i tij është një përmbledhje me studime, ese dhe analiza letrare.

Siç thekson shkrimtari Vangjush Saro, shënimet janë shkruar në vite të ndryshme, kanë edhe ato kurbën e tyre të drejtuar kah zhvillimet më të spikatura (e të kohës) në teori dhe në prurje letrare. Në spotin përcjellës, thuhet se ky libër “përmbledh procesin e njohjes njohjes dhe të menduarit, të përqëndrimit dhe angazhimit për vlerësimin e një përvoje komplekse krijuese dhe estetike botërore, të një tradite të vyer dhe aq të rëndësishme për formimin shpirtëror dhe krijues…” Përmbledhja me titull “Përsiatje” fillon me kërkime dhe vlerësime në kohëra, përmes qasjes në legjenda e mite, qëndron në themelimin e ‘qytetit të autorit’, flet për serenatat dhe humorin, për këngët karakteristike, etj. Protagonistë të përsiatjeve të autorit janë disa nga emrat më të njohur të letërsisë së huaj, kryesisht rusë: Pushkini, Tolstoi, Dostojevski, Esenini, Majakovski, Brodski, Jevtushenko, por nuk mungojnë edhe shkrimet për autorë të tjerë, si ai për shkrimtarin francez Mishel Houllebek. Një pjesë e shënimeve fokusohen në brendësinë e kulturës shqiptare, që nga qasja në tradita të caktuara, te klasikët e letërsisë sonë: Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Fan Noli. Tek ky i fundit, autori ndalet posaçërisht në shqipërimet; për më shumë, afrohet ‘për një studim ma preçiz’, siç do të thoshte Migjeni, në vjershën “Dashuria e fundit” e F. I. Tjutçev. Sterjo Spase dhe shprehja e modernizmit te hershëm në letersinë shqiptare, trajtohen gjithashtu me mjaft interes përmes një vështrimi sintetik mbi romanin “Pse?”Vangjush Ziko është nga ata autorë që kanë vullnetin dhe dashamirësinë të shprehen edhe për kolegët e tyre, sidomos për më të rinjtë, duke filluar nga poetët Skënder Rusi, Kostaq Duka e Luljeta Lleshanaku. Por ndalet edhe te Fatime Kulli e Rajmonda Moisiu, në krijimet e fabulistit Ali Bregu; ka folur gjithashtu për Agim Bacellin e Alfred Papuçiun, por edhe për krijues të rinj, si poetesha Aida Bode. Një vend të veçantë në përmbledhjen “Përsiatje” zënë shënimet për shkrimtarin Moikom Zeqo, të cilat sjellin në fokus sa poezinë, aq edhe çështje të individualitetit artistik të këtij emri të njohur në fushën e letrave dhe të dijes.

“Përsiatje” përbën një ndihmesë serioze në atë pak kritikë letrare dhe mendim estetik që ne kemi trashëguar apo që është në zhvillim e sipër. “Përsiatje” është më në fund një libër që mund t’i mësojë më shumë çdo krijuesi: për teorinë dhe prurjet letrare në kohëra; për poezinë ku dëshirat janë të papërmbajtshme, por përpjekjet spontane; për domosdoshmërinë e qasjes te shënimi letrar për shkaqe që i cekëm më lart, etj. Vangjush Ziko vjen edhe njëherë te lexuesi me përvojën e madhe, dijet e thella, mësimet e vyera e, ndërkaq, edhe me modelin e tij si njeri e shkrimtar fisnik, tashmë veti të njohura këto për publikun e gjerë. Më poshtë do japim shënimet e shkrimtarit në librin Persiatje për shkrimtarin Alfred Papuçiu.

Alfred Papuçiu « Një nxënës i etur i kulturës »

Duke lexuar librin "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë" të publicistit të mirënjohur Alfred Papuçiu

Mediatori ose, e thënë ndryshe, ndërmjetësi ka lindur si domosdoshmëri, si një institucion human i përditshmërisë jetësore për të komunikuar dhe ndërlidhur njerëzit midis tyre, për të komunikuar me një mjedis të panjohur dhe të huaj në mendimet, përvojën, dëshirat apo nevojat tona. Ky institucion është i lashtë sa edhe vetë shoqëria njerëzore, sa edhe kontaktet e botëve dhe kulturave të ndryshme. Mediatori nuk është thjesht përkthyesi nga një gjuhë në tjetrën, nga një vend në tjetrin, nga një shoqëri në një shoqëri tjetër. Është më shumë. Jo thjesht një mediator Duke lexuar librin "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë" të publicistit të mirënjohur Alfred Papuçiu, zbulova më mirë sekretin e këtij "profesioni", apo më mirë, "misioni", që pa lëkundje, do ta quaja "mision". Mediatori kulturor është, në radhë të parë, një misionar. Misionar në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës.Vetë autori shkruan:"S'ka shumë kohë që fillova punën si përkthyes mediator kulturor...pas çdo emri të pacientëvë të mi, që kanë ardhur nga larg, fshihet një personalitet, një shqetësim i veçantë, një jetë, një dramë". Detyra e mediatorit nuk është thjesht përkthimi i fjalëve të tjetrit (pacientit) dhe transmetimi i të dhënave konkrete rreth tij personelit mjekësor. Duhet krijuar një urë lidhjeje midis të dy palëve për të ndriçuar sa më mirë problemin shëndetësor. Këtë nuk mund ta bësh ashtu siç duhet pa hyrë në lëkurën e pacientit që të arrish t'ia përcjellësh mjekut problemin e tij. "Asnjë herë nuk kam menduar për jetën si tani, shkruan autori,kur duhet të përkthej fjalë të trishtuara apo të përshkruaj çaste gëzimi". Por, që ta bësh këtë, duhet të hetosh karakterin, personalitetin e tjetrit, të njohësh nivelin kulturor, psikologjinë dhe mentalitetin e tij dhe, në të njëjtën kohë, t'ia transmetosh "hallin" e tjetrit mjekut të huaj. Roli i mediatorit pra, roli i mediatorit kulturor nuk qenka thjesht ai i një përkthyesi të zakonshëm. Është me të vërtetë roli i një misionari me përgjegjësi të lartë morale dhe humanitare, që, jo rrallë, i duhet të vihet në "rolin" e mjekut, që duhet ta bindë malësorin e ardhur nga Kosova apo qytetarin e thjeshtë nga Shqipëria pse mjeku zviceran i dha recetë vetëm për dy ilaçe dhe jo si mjekët në vendin e tyre që i patën dhënë shumë barna."Është diçka pasionante, shkruan mediatori në ditarin e tij, çdo ditë mësoj më tepër, sidomos në fushën e mjekësisë që është njerëzore". Alfred Papuçiun nuk e kam takuar asnjëherë. Fytyrën e tij e kam parë vetëm në fotot e këtij libri dhe në faqet e shtypit elektronik. Me të pra,më ka miqësuar komunikimi virtual. Anën e tij njerëzore, karakterin e tij human, ma zbuloi në mënyrë të veçantë libri "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë". Duke lexuar me kërshëri faqet e këtij libri, zbulova përkushtimin, delikatesën shpirtërore, dashurinë dhe respektin e tij për njerëzit. "Në përgjithësi, shkruan ai, i kontrolloj emocionet, por atë ditë dëgjova atë histori të dhimbshme të asaj gruaje ( kosovare), m'u derdhën lotë nga sytë". Nuk besoj të ketë në botë "profesion" dhe "profesionist" të vërtetë pa zemër njerëzore. Vetëm zemra mund të hapë zemrën. Alfred Papuçiu ka një zemër të ndjeshme dhe bujare. Ai zotëron artin e afrimit me njerëzit. Di ta dëgjojë dhe ta kuptojë mentalitetin e njerëzve nga një vend në paqe apo në luftë. Kur nëna kosovare e vajzës të shtruar në spital, i kërkon që ta shoqërojë edhe në pavion sepse asaj i duket se sa herë ai i përkthen fjalët e mjekut, ajo, jo vetëm që e kupton se çfarë ka çika e saj, se ai i sjell fat dhe vajza e saj është më mirë, mediatori nuk nguron që ta sakrifikojë ditën e tij të diel e të mos shkojë me familjen e vet për të pushuar. Është, pikërisht, dimensioni human i karakterit të tij frymëzuëzuesi kryesor në misionin e mediatorit. Ai, duke u sjellë të tjerëvë besim dhe qetësi shpirtërore, duke i bërë të tjerët të gëzuar, lumturohet edhe vetë. "Tani,me gjithë mend, kam dëshirë të jetoj", pohon ai. Kjo dashuri për njerëzit e bën atë vizionar dhe ëndërrimtar. "Do të ishte mirë që në mijëvjeçarin e tretë të mos kishte më sëmundje dhe në vend të armëve të sofistikuara, të shpenzimeve të shumta për raketat, të çliroheshin fonde për zhvillimin e punës kërkimore në mjekësi, sidomos të gjenetikës për transformimin e genit defektoz për sëmundje mesdhetare që akoma marrin jetë njerëzish". Në fund të librit autori ka vënë një studim informativ për talaseminë. Disa muaj më parë ai ishte në Shqipëri dhe bëri përpjekje konkrete për hapjen e një qendre mjekësore në ndihmë të të sëmurëve nga kjo sëmundje e pranishme edhe në vendin tonë. Aq shumë i është përkushtuar Alfred Papuçiu këtij misioni human,ka përkthyer në gjuhën shqipe aq shumë materiale për talaseminë, sa që shumë njerëz kujtojnë se ai është mjek nga profesioni. Alfred Papuçiu punon me pasion dhe me përkushtim të rrallë. Që në fillim të librit ka vendosur një skicë letrare,e cila i ka dhënë titullin veprës. Ai tregon për një punonjëse te Kryqit të Kuq zviceran, që sakrifikon udhëtimet e saj aq të dëshiruara nga zviceranët në vendet ekzotike, vetëm e vetëm për t'u njohur dhe për ta mësuar gjuhën e katërt të përdorur që në kohët e krijimit të Zvicrës, gjuhën romanshë, një gjuhë plot muzikalitet të përdorur nga të parët. Subjekti i kësaj skice është një alegori kuptimplotë e përkushtimit të autorit ndaj misionit të mediatorit kulturor, duke sakrifikuar hobe dhe kënaqësi të jetës së tij për t'iu përkushtuar misionit të lashtë human, ndërmjetësit të komunikimit njerëzor. Zvicra është modeli i një vendi multikulturor. Alfred Papuçiu jo rastësisht ka zgjedhur Zvicrën si rezidencën e vet. Zvicra është modeli i një vendi multikulturor ku profesioni i mediatorit ka grumbulluar përvojë të vyer dhe ka arritur një nivel të lartë të komunikimit ndërnacional. Ai ka ditur, gjithashtu, me zgjuarsi ta përvetësojë këtë përvojë, ka ditur të thithë këtë kulturë të përparuar europiane dhe botërore, kulturë e cila edhe në vitet e mëparshme e ka ndihmuar të kapërcejë modelin e "aparatçikut", e ka bërë atë më shumë njeri dhe intelektual modern, duke mënjanuar skemat burokratike dhe ideologjike të sitemit tonë të kaluar komunisto-totalitar. Lista e miqve të tij intelektualë europianë është e pasur. Ai ka bashkëpunuar, ka këmbyer dijet dhe përvojën me profesorë, doktorë, shkrimtarë, ka rrahur mendimet me profesorë si Jean-Philippe Assal, prof. Alain Golay, doktoreshe Marinette Wyss, shkrimtaren Marie-Luce Dayer etj. Bota që vlerëson Papuçiun. Duke lexuar refleksionet e Alfred Papuçiut rreth marrëdhënieve dhe miqësisë së tij me ta, vetvetiu më lindi një pyetje. Vallë, vetëm karakteri aq komunikues i Alfredit, natyra e tij e çiltër dhe e sinqertë, formimi i tij profesional si gazetar, përvoja si përfaqësues i vëndit tonë në OKB në Gjenevë dhe në organizata të ndryshme ndërkombëtare i ka bërë këta personalitete të kulturës europiane të miqësohen me Alfred Papuçiun? Asnjeri në botë nuk na respekton për buzëqeshjen apo sytë tanë të bukur. Pergjigjen lakonike për pyetjen time e gjej në opinionin e shkrimtares Marie-Lyce Dayer: "Alfred Papuçiu është njeriu që na sjell në kujtesë historinë e popullit të tij". Profesori Jean- Philippe Assal përgjigjet në mënyrë më të zgjeruar. "Ne futemi në ky libër nëpërmjet dyerve të shumta të vogla, nëpërmjet anekdotave dhe takimeve të rastit dhe na zbulohen kopshte të brendshme, ato kopshte që dëshmojnë për pasurinë e dy kulturave tona...Alfred Papuçiu është një mbledhës i madh. Ai na drejton në hapat e para të humanizmit, zbulimin e tjetrit dhe ndarjes së gjithçkaje me të". Pasioni dhe më tej Po. Alfred Papuçiu ne veprën "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë" na flet jo vetëm për pasionin e mediatorit kulturor për t'u shërbyer dhe për të ndarë me njerëzit në nevojë ndjenjat dhe respektin human ndaj tyre. Ai ndan me lexuesin njohuritë dhe hulumtimet e tija të ndryshme për kulturën e popullit dhe të kombit të vet. Atij nuk i shpëton asnjë rast për të mësuar sa më shumë për diasporën shqiptare të shpërndarë në botë dhe, veçanërisht, në Europë, në brigjet e Adriatikut dhe më gjerë; për "arbanasit" dhe "arvanitasit". Ashtu siç nuk kursehet për të treguar për njerëz të shquar të letërsisë dhe të pedagogjisë shqiptare, për Nonda Bulkën, Vedat Kokonën, Bedri Deden; ai i rikthehet mitit të gjuhës shqipe e problemeve të tjera të kulturës kombëtare. Prekëse janë refleksionet e tij intime për babanë e tij, krijuesin e njeriun e përkryer Tuni Papuçiu, për gjyshin e tij me mjekër të bardhë, priftin Polizoi Ikonomi. Ai na flet me nostalgji për prejardhjen e familjes së tij nga vatra e kulturës mesjetare vendase, Voskopojën, e te tjera. Duke përfunduar i lexova këto kujtime dhe m'u përforcua edhe më shumë bindja se çfarë roli luajnë në formimin e personalitetit të njeriut burimet intime të kulturës familjare dhe, veçanërisht, tradita kulturore kombëtare. Alfred Papuçiu është vërtet "një nxënës i etur i kulturës", po të perifrazoja titullin e librit të tij. Ai është jo vetëm një mediator kulturor i përkushtuar dhe i sukseshëm në veprimtarinë shoqërore, por edhe një mjeshtër i transmetimit të kësaj përvoje nëpërmjet penës së tij krijuese, si gazetar dhe si shkrimtar. Ai mbetet vetvetja duke hedhur në letër meditimet e tija. Misioni i gazetarit dhe i mediatorit kulturor i kanë vënë vulën stilit të tij krijues. Gjuha e librit "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë" është një gjuhë e pastër , e qartë dhe emocionuese me sinqeritetin e shprehjes së mendimeve, me intonacionin e kulturuar dhe plot delikatesë narative. Ai tregon, përshkruan dhe mediton, qëmton detajin konkret jetësor apo na jep me fjalë të kursyera sfondin përreth duke i shtuar stilit të tij gazetaresk ngjyrimin artistik. Skicat e këtij libri, portretet e gjalla letrare, refleksionet, që përbëjnë ashtin e kësaj vepre, kanë hijeshinë e essesë letrare. Dhe, për ta mbyllur këtë meditim timin, pa pretenduar se kam bërë analizën dhe komentin e plotë të veprës dhe personalitetit të shumanshëm të Alfred Papuçiut, dua të nënvizoj bindjen time të padiskutueshme se nuk ka gjë më të bukur në jetë kur sintetizohen në një të vetme njeriu, misionari, patrioti, kur jeta, puna dhe vepra e tij janë në unitet të plotë midis tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat