E "humbi" karrierën për lirinë e Kosovës...!

Kultura

E "humbi" karrierën për lirinë e Kosovës...!

Nga: Hasan Qyqalla Më: 10 maj 2019 Në ora: 06:17
Hasan Qyqalla dhe Ismail Hodaj

Gjenitë e një fushe të caktuar për talentin që kanë,"janë të lindur", thonë të diturit. Por, të prekësh piedestalet e suksesit, kërkohet shumë punë e angazhim. Ndryshe do mbetesh i cunguar, apo më mirë të them i paarritshëm në destinacionin që i ke prenotuar vetes, qoftë si prirje apo si gjeturi e suksesit që dëshiron.  Por, çuni nga Elbasani, e besoi dhuntinë prej Zotit prej gjenit. Ishte ambicioz, mbase si adoleshent kishte parë skenat ku shndriste Aleksandër Moisiu. Aktori që dridhte dërrasat e teatrove evropiane, ku do që shfaqej...! Ai, që kritikët e artit skenik, pas shfaqjes së dramës  "Mbreti Lir" të Shekspirit, luajtur nga Aleksandër Moisiu,  thanë: "Kur e pamë dramën "Mbreti Lir" në skenë, me aktorin e përmasave të papara ndonjëherë si Aleksandër Moisiu, ishte një interpretim apo përsonifikim brilant, sa erdhëm në një konkluzion mishërues, sikur Mbreti Lir, paska lindur ta sjellë në skenë Aleksandër Moisiu, apo Aleksandër Moisiu paska lindur që ta na sjellë (portretizojë) të "gjallë" në skenë Mbretin Lir. Mishërimi me talentin, përkrah punës dhe dëshirës, s'ka si të jetë ndryshe, pos SUKSES i pamohueshëm apo për lakmi. Jo të gjithë mund të arrijnë këtë epitet, AKTOR I MADH, KOLOS I SKENËS.

Shtrohet pyetja, çfarë dua të them me këtë, personalitet të artit skenik?! Çfarë më lidhë me te tani në shkrimin tim...?!

Kujtoj, Elbasanin e luleve (kur e kishim të ndaluar ta dëgjonim!), Elbasanin e kulturës, traditës, thesareve tona kombëtare të këngës popullore (që nga Jusuf Myzyri, e të cilat thesare i sjellë edhe në Kosovë, për herë të parë "kamarieri simpatik me zë të magjishëm, Qamili i Vogël, alias Qamil Muhaxheri). Ndryshe, qytetin e betejës për arsimin e parë të Mësuesisë, që njihej si "Normalja e Elbasanit"! Nga aty, e kishim edhe Mehmet Gjevorin, mësuesin e parë që shkriu çdo gjë nga vetja për përhapjen e Abetares dhe fillin e nxënjes në gjuhën shqipe (në Kosovë, pas ndarjes së kufirit me Jugosllavët e asaj kohe!), dhe ate, jo vetëm në qytete por në çdo fshat e lagje shqiptare. Veç shumë patriotëve të fillimviteve të '50-ta, që e kishin ndihmuar e përkrahur Mësuesin e ri Mehmet, ishin edhe Sadik Tafarshiku, Arif Bella (Tmava, nga Lismiri)...etj., që nuk iu ndanë për asnjë çast.

Nga ky qytet, pra nga Elbasani, takova një mbrëmje dhjetori të viteve të '90-ta, në skenën e amfiteatrit të Shtutgartit, aktorin Ismail Hodaj (Hodo)! Ate nuk e kisha e njohur më parë ("live"), por se e kisha parë në shiritin e celuloidit në kohën e komunizimit në Dramën "Engjëjt e skëterrës" me regji nga Spiro Duni, në rolin e Bacë Uollsit, nuk e diskutojë. Ishte personazh me tipare të veçanta, ndaj mu kujtua sa e pashë, por pasiguria ime ishte evidente. Jo se dua të hiqem si i ditur tani apo patriot, por se ishte nder e respekt ai që mund të përcillte programet e RTSH, të ndaluar në atë kohë shëmtie të komunizmit. Aty takova "Bacën e ri", artistin Ismail Hodo! Preka shpatullat e gjëra gjatë përqafimit, që më ngjanin si shpatullat e Gjergjit. Kur shtrinte krahët në skenë, sikur hapte krahët Shqiponja dykrenare përgjatë gjithë perimetrit të Shqipërisë natyrale, sa që edhe skena dukej e vogël! Kjo, mbase gjestikulacioni fizik, mimika, tregonte apo si të them e nxirrte konfiguracionin e Shqipërisë natyrale në mes të Europës, në mes të padrejtësisë apo në nxirrte në pah hilen, si fërkim i tërheqjes së ndërgjegjjes në konferencën e Berlinit. Arti, është magjia vet, që futë në sprovë edhe politikat e (e pa drejta) të kohërave!

Edhe pse erdhi si emigrant, që kërkoi strehim apo më mirë të themi kërkoi hapësirë për lirinë e shprehjes, Kolosi i artit skenik Ismail Hodo, mori FTESA të panumërta nga teatrot më të njohura, jo vetëm brenda Gjermanisë por edhe më gjerë! Mos të harrojmë. Ishin vitet e '90-ta, e çuni ambicioz e lë karrierën për Lirinë e Kosovës! Decidivisht thot: "Karriera e artit tim, vazhdon deri në çlirimin e Kosovës", mbase s' ka "betejë" më të shenjtë për mua! ... dhe vazhdoi "luftën" deri sa e mundi, apo i theu mitet e padrejtësitë shekullore që kishin bërë mbi kurrizin e shqiptarëve si komb. Ishte ky artisti gjigant, që then sken-arët e parlamenteve evropiane të hilesë! Kolosi i artit, i mishëruar me gjenin e gjakun, si feniks i ngjallë në skenë të rënët, si Ademin, Zahirin, Adrianin, Ilirin... etj. Kësaj i thonë, edhe "vdekja paska mrekullinë e vet". Mbase, ku ka më bukur se të vdesësh për Liri, kur filozofi i njohur hungarez Petef thot: "Për dashuri e jap jetën! Për atdhe e falë dashurinë"! I tillë ishte dhe mbeti Ismaili ynë, në pentagramin e LIRISË së KOSOVËS!

Ismaili, nuk është ai Ismail Bej Vlora! Por ka një trashigimi, siç janë: gjeni, gjaku, ideali, arti e kripa, ... e së fundmi (sikur edhe një rastësi, e "rasti është mbret i botës" thonë urtakët) është edhe emri. Ismail bej Elbasanlliu me zemër, buçima e aktit të Shpalljes së PAVARËSISË SË KOSOVËS. E ky aktorë, ka emër e mbiemër ISMAIL HODAJ, nga Elbasani që jeton e vepron në Minden të Gjermanisë! Aktualisht, është pronar i një restauranti, që "pagëzimin" apo identifikimin e ka ngjizur me mbiemrin tij të modifikuar artistikisht "HOKA BAR"!

Image

P.S.

Ismail HODAJ është nderuar me titullin AMBASADOR I PAQES si dhe QYTETAR NDERI I BESIANËS (PODUJEVËS), nga kryetari aktual Agim VELIU!

Koblenz-Minden-Elbasan                                                                                            

Hasan Qyqalla,

Maj, 2019                                                                               

kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat