Kompozitori Aulon Naçi, në repertorin e koncertit të klarinetistit Igli Tuga në SHBA

Kultura

Kompozitori Aulon Naçi, në repertorin e koncertit të klarinetistit Igli Tuga në SHBA

Më: 17 maj 2019 Në ora: 12:52
Igli Tuga

“Quiete e Tempesta”, për klarinetë e piano, vepra e kompozitorit vlonjat, Aulon Naçi, ishte pjesë e repertorit të koncertit recital të klarinetistit shqiptar, Igli Tuga, në New York(SHBA).

Kjo vepër, të cilin klarinetisti Tuga, e luajti premierë në koncertin recital “Tinguj jete mes tokës dhe detit”, që u organizua verën e shkuar në ishullin e Zvërnecit, në një peizazh natyror buzëmbrëmjeje, u mirëprit nga publiku artdashës në New York, që kishte mbushur sallën e Konservatorit të Muzikës “Conservatory of Music at Purchase College” në New York.

Në këtë koncert recital, ku klarinetisti i suksesshëm shqiptar Igli Tuga, shoqërohej në piano nga Marika Furukava, përfshihej një repertor i pasur me vepra nga autorë të njohur të krijimtarisë muzikore botërore, Rossini, Bernstain, Piazzola, por edhe asaj shqiptare, mes të cilëve edhe premiera “Tema me variacione” e Agim Kolës.

Pjesët e këtyre dy emrave të krijimtarisë muzikore shqiptare, zgjuan interesin e specialistëve, që i vlerësuan ato.

“Është një krenari të përfshihesh me veprën tënde në repertorin e një koncerti të tillë në një sallë dinjitoze dhe me një public të zgjedhur”, thotë Naçi, për ATSH-në.

Kompozitori vlonjat Aulon Naçi, pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, është një nga emrat më të njohur në skenën e krijimtarisë muzikore bashkëkohore. Ai është autor i një numri koncertesh recital, mes të cilave, ai i verës së kaluar në ishullin piktoresk të Zvërnecit, zë një vend të veçantë.

Në këto kushte, përfshirja e krijimtarisë së tij në koncertin e Igli Tugës, vlerësohet si një arritje tjetër.

Koncerti i Tugës në New York, ashtu si edhe të tjerë të tij në SHBA, është cilësuar, krahas të tjerash edhe si një përfaqësim dinjitoz i artit interpretativ dhe atij krijues shqiptar, ku muzika bashkëkohore zë një vend të rëndësishëm./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat