Vdes përkthyesi i letërsisë shqipe në Gjermani

Kultura

Vdes përkthyesi i letërsisë shqipe në Gjermani

Më: 20 maj 2019 Në ora: 18:38
Hans-Joachim Lanksch

Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka vdekur, pas një lëngimi të gjatë e të pashërueshëm Hans-Joachim Lanksch, i mirënjohur në diskursin kulturor-intelektual shqiptar si Përkthyesi i Lirikës Shqipe.

Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschëeig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë  me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludëig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.

Penda e tij bëri të kumtojnë dhe „rikrijojnë“ gjermanisht shkrimtarë e poetë të  spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.

Puna e tij është laureuar me çmimet „Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); „Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe „Azem Shkreli“ (2018).„Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat