Festivali UNUM për herë të parë në Shqipëri, mund të organizohet edhe në Kosovë

Kultura

Festivali UNUM për herë të parë në Shqipëri, mund të organizohet edhe në Kosovë

Më: 22 maj 2019 Në ora: 18:20
Festivali UNUM

Shqipëria dhe Kosova janë të angazhuara për oferta të përbashkëta turistike, e në këtë fushë një bashkëpunim i jashtëzakonshëm ka rezultuar të jetë ai për festivalin ndërkombëtar “UNUM”, që sivjet organizohet për herë të parë në Shqipëri.

Kështu deklaruan në një konferencë për media ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi dhe ai i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ndërsa organizatorët e festivalit, bënë të ditur se festivali “UNUM” do të zgjasë 4 ditë, ku nikoqire do të jetë “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Ministri  Klosi, tha se nuk ekziston asnjë ndarje ndërmjet qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, pasi bukuria e bregdetit shqiptar është e përbashkët për të dyja vendet. Teksa pati disa fjalë edhe për festivalin, që sipas tij, është mënyra më e mirë për promovimin e bregdetit shqiptar.

Klosi: Po shohim mundësitë për një ofertë të përbashkët Kosovë - Shqipëri

“Do të jetë një gjë fantastike futja e Shqipërisë në botën e festivaleve rinore, duke shtuar turistët, jo vetëm këtë sezon, por duke shtuar brezat që mendojnë për të ardhmen. Sot me ministrin Shala kemi pasur një ditë mjaft intensive diskutimesh për sa i përket promovimit të një oferte të përbashkët turistike Shqipëri – Kosovë, pasi nuk kemi asgjë për të ndarë, na bashkojnë shumë përpjekje. Por, sado që të përpiqet administrata, nuk e bënë dot magjinë që realizojnë aktivitetet si UNUM festival”, tha ai.

Edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se synojnë të shtyjnë përpara ofertat e përbashkëta turistike Kosovë – Shqipëri, me qëllim të promovimit të pikave turistike.

Shala theksoi se është shumë e mirëseardhur që një organizim i tillë të bëhet edhe në Kosovë, gjatë kohës kur mund të promovohen pikat turistike. 

Shala: Festivali UNUM të organizohet edhe në Kosovë

“Ju kisha inkuraju që një festival të tillë të mendojnë ta realizojnë edhe në Kosovë, me atë që ne dy qeveritë po tentojmë të promovojmë, turizmin reciprok, detar në Shqipëri dhe malor në Kosovë. Kështu që, ju inkurajoj që një organizim të jashtëzakonshëm që e keni bërë, një të tillë ta organizoni edhe në Kosovë, gjatë kohës kur pikat tona turistike mundemi me i promovu”, tha Shala.

Drejtoresha e festivalit, Viviene Pitarka, tha se bashkëpunimi i të rinjve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, ka bashkuar në mënyrën më të mirë të dy vendet.

Ajo bëri të ditur se puna ka filluar kaherë dhe tashmë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për festivalin. Rëra, mali, pisha dhe deti janë konceptet që sipas saj, e definojnë festivalin.

Pitarka: Përmes UNUM dëshirojmë të krijojmë hapësirë për Shqipërinë

“Festivali do të zhvillohet nga 31 maj deri më 3 qershor, në bregdetin e bukur të Shëngjinit tek ‘Rëra e Hedhur’. Dhe, kjo është një mënyrë shumë e mirë e shpalosjes së bukurisë së rërës së hedhur, në të gjitha platformat dhe tek të gjithë të rinjtë anembanë botës. Audienca të shumta janë të targetuara. Do të ketë pjesëmarrës të shumtë në festival, si lokal, ashtu edhe ndërkombëtar. Ajo çka ne dëshirojmë të bëjmë përmes këtij festivali, është të krijojmë një hapësirë për Shqipërinë, në hartën botërore të festivaleve ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

Ndryshe, gjatë 4 ditëve sa zgjat festivali, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë bukuritë e bregdetit shqiptar, të shoqëruar 24 orë nga muzika, me pjesëmarrje të më shumë se 75 DJ.

Për informatat dhe çmimet e biletave të festivalit, të interesuarit mund të informohen në faqen zyrtare www.unumfestival.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat