Lis i palëkundur i kohëve  

Kultura

Lis i palëkundur i kohëve  

Nga: Naxhije Doçi Më: 25 maj 2019 Në ora: 14:57
Naxhije Doçi

Në pragun e etur për dritësirë

në Therandën e trashëgimisë së dëlirë

lis i palëkundur i kohëve

Ti Gjyshi im me zemrën zjarr

Sejdi Bajraktari i Parë.

Fjala jote me peshë guri

në çdo vend e në kuvend

ku ishe i parë dhe prijetar

më i përkushtuari pajtimtar

në afrim zemrash e emrash

se kishe njohuri të shumta

në rrjedha jete

për histori e burrëri.

Jehun epikë motesh

edhe në organizim luftrash

përherë të imponuara në shqiptari

kundër pushtuesve të shumtë

të parrënjë e barbarë

që të ketë frymëmarrje të lirë

në dheun e lashtë të shqipeve

me ninulla zemre përtërirë.

 

Në ballë të Bajrakut besueshmërinë shenjtëri

që në rininë e hershme dhe deri në përjetësi,

dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XX

trimërinë në flakërimë shqiponje

jehut shteg më shteg

përballjen me Turq të Rinj

në Grykë të Carralevës më 1909-1910,

me të përdaltën krajli

në Bajë të Malishevës mars-prill 1914, 

në Jaglinicë të Prizrenit më 1918.

Në bashkim trimash

me përkushtimin madhështi

edhe në mbrojtje të fshatit Gjinoc

më 12 prill 1941.

 

Kulla jote me frengji

arkitekturë e dalluar e kohës

në rrënjët e trashëgimisë së dëlirë

që e skalite vetë Ti Gjyshi im shkëmb graniti

me vizionin e ri

Kullë e rrënuar shumë herë nëpër mote

nga furtunat e pandalura blu

të pushtuesve të parrënjë

me sy dhelpërash.

 

Gjysh i jehut krenar

Sejdi Bajraktari i Parë

jetën përherë të flakëruar

me guximin e kalitur trofe

për gjuhën e lashtë shqipe

dhe për komb e atdhe

edhe nëpër burgjet e pushtuesve

shumë herë i ngujuar.

 

Në oda burrash

që gjasonin në kuvende

dhe kudo që gjendeshe

te gjithë të dëgjonin

se krijoje rend

nuk rëndoje askend që nuk e meritonin.

Puthadorët që të përgjonin

historinë e shëmtonin.

 

Nga fotografia e varur në mur

etnografi krenarie në shtatin tënd

lashtësi sublime e pëcjellë ndër breza

tirq të të bardhë në gjasim bore

qëndisur me gajtana të zi

rrethatoren ngjeshur brezit

me kobure e jatagana

gjerdan fishekësh krejt hirësi

mbi gjamadan e kllapadana.

 

Gjyshi im zulmëmadh

Sejdi Bajraktari i Parë

në hulumtim gjurmësh për Ty

më thanë se ishe i vetëmi trashëgimtar,

nuk kishe as motër dhe as vëlla

se babai luftëtar-prijetar

në fushë të nderit të ishte vrarë

në moshë shumë të re

trimave luftëtarë duke iu prirë në ballë

në mbrojtje të tokës mëmë

nga turku në përpëlitje

dhe i përdalti Mali i Zi,

atje edhe gjendet varri i ti

digë e fortë për jetë e mot.

 

Nënë Shahsenja të mbeti herët e ve

krejt nuse e re

Penelopë në krah baladash,

përkushtimin shenjtëri

për rritën tënde

që të bëhesh pishtar e luftëtar

babait trim për t’i përngjarë.

 

Gjyshi im i jehut krahështrirë

për madhështinë tënde

krenaria mal me borë,

zemër e kurorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat