Përkujtimi i Lasgush Poradecit për Naim Frashërin

Kultura

Përkujtimi i Lasgush Poradecit për Naim Frashërin

Nga: Sulejman Mehazi Më: 25 maj 2019 Në ora: 21:14
Naim Frashëri

Atë që bëri Marin Barleti për Skenderbeun, atë e bëri dhe Lasgush Poradeci për Naim Frashërin.

Përkujtimi i Naim Frashërit për Lasgush Poradecin do të thotë, rrugë të cilës duhet ecur, metodë e cila duhet ndjekur, apo më qartë të largimit prej kohēs së sotme sepse, “Ligjëratat pleqërishte sot ka vrarë vetëdijen”, për ta afruar dhe rikujtuar të kaluarën e ndritshme Naim Frashërin, të rrugēs së tij, e cila do të ndiqej në edukimin e fuqive shpirtërore gjuhësore, kontrollimin e shtytësve të “fjalëve barbare”.

Qëllimi i shkruarjes së tre artikujve: “Misioni i shqiptarëve të Bukureshtit dhe Naim Frashëri (Lasgush Poradeci, Onufri, fq.342-359.), “Naim Frashēri, vjershëtori i Bukureshtit”, (po aty. fq. 360-366,)me rastin e qindvjetorit të lindjes, “Lirika e Naim Frashërit” (po aty, fq.367-380) dhe dy poezive: ”Naimit”,(Lasgush Poradeci, Poezi, vepra I, Sh.B. albPAPER, Tiranë, 2009,fq.33-37) dhe “Naim Frashërit”, po aty, fq.38-45. është që Lasgush Poradeci t’i nxjerrë në pah vlerat gjuhësore-shpirtërore me origjinë hyjnore të fshehura në brendinë e Naim Frashërit: ”Ndryshe nga Konica dhe Noli, të cilët, siç thekson në njē rast edhe Shuteriqi,” nuk e vlerësuan veprën e Naimit”, Lasgushi e deshi dhe e çmoi shumë atë. I frymëzuar nga idealet e Rilindjes Kombëtare, e cila sipas tij, falë veprës së Naimit, arriti të bëhej një lëvizje e gjerë e me ndikim jo vetëm në planin politik e shoqër, por edhe në atë kulturor e shpirtëror, “Te Naimi Lasgushi shihte jo vetëm ideologun dhe atdhetarin e devotshëm, por edhe poetin e madh, idealin e tij estetik, veçanērisht në planin gjuhësor”. (Agim Vinca, Fije të pakëputura-sprovë letrare dhe kulturore, Tetovë, 2007, fq.41.

Naim Frashēri

“Në çetele të kujtimit që dhëmkoset pak-nga-pak,

J-a shënova kohës s’onë fluturimin vraparak,

Se mi gropën e shkretuar ku dremit që kur ke rarë...

Pas njëzet-e-katër vjetësh sot po çfaqet mot’i parë”(Lasgush Poradeci, alPaper, Tiranë, 2009, fq.37-45.)

Ky personalitet i shquar i botës kulturore e artistike të Romantizmit dhe Rilindjes Kombëtare do arrijë që të vendos fronin e dashurisë ndaj poetit,”Në çetele të kujtimit që dhëmkoset pak-nga-pak”, e në zemrat e shqiptarëve. Për shkak se me mjaft sukses e ka konceptuar dhe formuluar dimensionin fizik dhe metafizik të shoqërisë shqiptare, prandaj do “të këndoj me këngë malli Drini plak e i kulluar”, njëlloj siç ishte i kulluar edhe shpirti i tij. Prej këtyre vargjeve mund të shihet qartë se Naim Frashëri pēr Lasgushin ështē një figurë e gjithanëshme dhe e rëndësishme në letërsinë, kulturēn dhe nē historinë e letërsisë shqiptare.Naimi siç thamë edhe më lartë padyshim është shkrimtari më i madh në letërsinë shqipe, prandaj Lasgushi thotë:

“Sepse Hije-e shentëruar nër të gjallēt sikur t’ishte...

...Sikur t’ishte nër të gjallët, Ti Xhuraja dhembshurishte,

Ti rapsod që pranë shqipes dit’e nat’ i lodhe ballët:

Ball i sbet’e-i adhuruar sikur t’ishte nër të gjallēt:” 

Është shumë e rëndësishme që, para se të fillonte një shtegtim shpirteror i Lasgushit për Naimin, të fitohet ky besim i patundur ndaj tij, fut në fillim vargjet “E ku shkruhen në kartë/ fjalët e gjuhës së zjarrtë” të Fjalët e qiririt, ngase ai do të jetë një pishtar udhërëfyes për gjuhën, “mëmëdhethin” dhe popullin shqiptar me rrënjët e forta, që e ndalon atë të mos devijojë, nga se gjuha:

“Do të dukej i skëterruar me një mjergull zembërate

Horizont’i madhërishmë nër kufi të Tokës s’ate;

Bukuri’e mëmëdhethit do të ngjante- e pashijuatm...

E atje, ku zër’i kthiell s’diti ç’është fjal’ e shkruar,

Me dëgjimin t’ënd fisnik e me vërrejtjen e pasharë

Gjuh’e ëmbël e stërgjyshve do të dukej gjuh’ e vdarë: (po atu, fq.39.)

Poeti me këto vargje, provon t’i zbusë zemrat e shqiptarëve në shumë mënyra, njëra prej tyre është duke përmendur mirēsinë dhe dhuntinë, “Sepse hir të perëndishmë kish kuvendi yt, Naim/ Ajo këng’e tepërlumtur  që më s’pati shëmbëllim;”

Ndërkaq ndaj atyre që kanë zemër, sy dhe veshë të mbyllur ndaj çdo gjëje shqiptare ju thotë:

“Në fjalim të Shqipëtarit kush përqesh? Kush gajasi?

Kush më tha se gjuh’ e sotme shëmbëllen me zë larasi?

O, t’a njoha prej së largu buzëqeshjen e shëmtuar,

Ti demon i shkretëtirës, që kalon me vaj në duar:” (po aty, fq.41.)

Po cilët janë ata që “përqeshin” e “gajasin” gjuhën dhe qenien tonë kombëtare?

Janë ata”kapedanë” me “mendje-çilimiu” sepse zemra e tyre është e mbushur me zili, kopraci, pangopësi, hidhërime, përgojime, shamatë dhe ndytësira. Kur ndonjë poet apo deputet me shpirtin, zemrën apo”përbrëndjen e shkrumosur”, “një farmason” e do përgojimin dhe pozitën, sepse nëse dëgjon “bilbilin e kombit” duke kënduar, atëherë kēto çiren:”Flet e çflet e vret pēr një të vet virgjinitet”. Gjuha nuk është vetëm për të folur e çfolur për njē virgjinitet të rrejshëm, nuk është metodë vetëm komunikimi, por edhe sistem themelor i përdorur në procesin e të menduarit dhe të dashuruarit të gjuhës. Pa ligjet e gjuhës shqipe, pa dashurinë dhe shenjtërinë e kësaj gjuhe nuk do të mund të përfitonim nga pērvoja shqisore, ose nga aftësia për të imagjinuar dhe rikujtuar përgjatë rikthimit të tyre te përjetimet e ndryshme nga e kaluara, “Po ti dridh-u, 0! Komb i ladhtë, me-atë zembërën e gjerë,” ashtu që t’i referojnë ato nē të tashmen dhe t’i deduktojnë zgjidhjet e nevojshme për problemet e paraqitura në të sotmen apo të tashmen.

Struktura dhe aspekti i gjuhës për Naimin, Lasgushi e sheh si faktor themelor në pērcaktimin e botës e kuptimit të tij. Mesazhi i poezisë na bën me dije se Naimi me vjershërimine tij të zjarrtë, “ku djeg me dritë” frymëzimin, dashurinë dhe lirinë është mbrojtësi më i madh i gjuhës shqipe, është “afsh’ i gjall’ i jetës! Shpat e ndritur e lirisë.” 

Me këtë nënkuptojmë se Naimi do ta rruajë shpirtin e gjuhës, por edhe kombin e vet, sepse me sistemin e vjershērimit të tij, gjuha shqipe do të bëhet instrumenti shpirtëror dhe kombëtar, madhështor e muzikal të cilin asnjë poet dhe shkrimtar tjetër nuk e ka përdorur me aq përsosmëri sesa Naimi.

Pra, janë këto cilësi gjuhësore-poetike që pati bërë poezinë shqipe një art prefekt, të pakrahasuar.

“Gjuha: shpirt i shent’ i kombit, që kalon dyke kënduar!

Gjuha: zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!

Gjuha:afsh’i gjall’i jetës!Shpat’e ndritur e lirisë!

Gjuha: yll’ i vjershërisë! Gjuha: Verb’ i Perëndisë!

Po ti mbeç me hir të shentë, bard i lindur nër pallate.

N’atë varr ku pat mbyllur dhemshuri’e Mëmēs s’ate! (po aty, fq. 44.)

Është mjaft mbresëlēnëse të vërehet sesi kjo poezi me këtë gjuhë të fuqishme poetike arrin nivel të përsosjes dhe pasurisë së fjalorit, domethënies precize dhe strukturës së përkryer.

Kjo gjuhë deri në kohën e Naimit ishte e panjohur, para kombeve të tjerë, po me ardhjen e Naimit u bë aq e përkryer, sa që vështirë përjetohet ndonjë ndryshim.

Gjatë gjithë përjetimit poetik mendimet e poetit i sundonte, “hir i perëndishëm i kuvendit të Naimit” që e kishte thellë të ngulitur në kujtesë; zemërimin ndaj atyre të kohës së poetit që ngjanin “me sprijë zalli” dhe “sy lugati” i kishte harruar dhe i dukej sikur nuk ekziston asgjë, për të cilën ia vlesh të mendosh më shumë, asgjë pikante, tërheqëse dhe e gjallërishme, pos botës së Naimit të humbur me “gojë vjershëtore” dhe “zë të pastērtuar,” asaj parajse me ngjyrë dhe natyrë shqiptare të bukur dhe komplekse, që me rrjedhjen e fjalëve të ëmbla poetike, ëndërron për fitore dhe lëvdata me “zëthe aq të mahnitura”.
Pajtohemi me mendimin e Agim Vincës që thotë se: ”Raporti ndërmjet Lasgush Poradecit dhe Naim Frashërit në letersinë shqipe është i ngjashëm me atë të Bodlerit dhe Ygoit në letërsinë frênge.Ygoi është bard i poezisë frënge, këtë se mohon askush, por Bodleri është poeti që traditën e Ygoit, të Lamartinit, të Vinjisë, të Mysesë etj. e çoi tutje; i dha një ”Frisson neuv”, me një fjalë e modernizoi” (Agim Vinca, Fije të pakëputura,Tetovë, 2007, fq.52), kurse unë do të shtoja se atë që bëri Marin Barleti për Skenderbeun atë e bëri  Lasgush Poradeci për Naim Frashërin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat