Në librin poetik “Me puthjen e Yjeve” poetja Çaushi sjell mite, simbole dhe dëlirësinë ideale

Kultura

Në librin poetik “Me puthjen e Yjeve” poetja Çaushi sjell mite, simbole dhe dëlirësinë ideale

Nga: Albert Z. Zholi Më: 27 maj 2019 Në ora: 09:47
Poetja Çaushi

Yjet! Ndodhen shumë larg nesh, por prej shekujsh kanë frymëzuar mite, simbole dhe studime, sepse mishërojnë pafundësinë, dëlirësinë ideale, fuqinë dhe lavdinë. Historikisht, yjet kanë qenë të rëndësishëm për qytetërimet në të gjithë botën. Yjet kanë qenë dhe mbeten frymëzimi më i pashtershëm i poetëve dhe shkrimtarëve në mijëravjeçarë. Njëkohësisht ata kanë qenë pjesë e praktikave fetare dhe përdorime për navigacion qiellor dhe orientim. Shumë astronomë të lashtë besonin se yjet ishin të vena në një sferë qiellore, dhe se ata ishin të pandryshueshëm. Lëvizjet e Diellit në Horizont ndaj yjeve, është përdorur për të krijuar kalendarë, të cilat mund të përdoren për të rregulluar praktikat, që sot dihen që janë ditët muajt etj. Kalendarit Gregorian, që përdoret aktualisht pothuajse kudo në botë, është një kalendar Diellor bazuar në kënd të boshtit të rrotullimit të Tokës në lidhje me yllin e saj lokal, Diellin. Ndoshta janë këto cilësi unike të yjeve që e cytën Minan që ta titullojë kaq bukur këtë libër të ri. Në librin poetik “Me puthjen e Yjeve” poetja sjell hipotekën e dhimbjeve dhe dashurive, me mirësinë e intuitës, me dëshirën për të bukurën, me ëndërrimin për të ardhmen e ndritur, nuk rrok gjëmën por këngën, nuk shkatërron por ndërton, nuk fyen por fisnikëron, nuk vajton fatin e mbrapshtë të këtij tranzicioni të pafund por rikrijon profilin e bukur të ardhmërisë, nuk përdor fjalorin idhnues, por përzgjedh gjuhën balsam të fisnikërisë së muzës poetike individuale.
Mina në libër është përjetuesja e vetëdijshme e gjendjeve që përjeton njeriu shqiptar bashkëkohës, tradicional, historik dhe i së ardhmes, gjendje që priren nga thellësia e dilemave, tragjizmi i së shkuarës totalitare, bukuria e natyrës, mençuria e njerëzve të thjeshtë, ku ajo shpalos një shpirt të ndjeshëm, një shpirt të lirë, që e përjeton kohën shumëfish. Me mjaft delikatesë autorja në libër lufton humbjen, shpalos Njeriun e vërtetë, simbol, humanizmin e tij të lartë si qenie e ndërgjegjshme.
Poezia e saj është e vërtetë, e sinqertë, e ndershme, e thjeshtë. Pasi përcjell shpirtin e lirë, kujtimet e panumërta të fëmijërisë, dashuritë, trimëritë, zhgënjimet, befasitë, ndryshimet, gjëmat, hiret e dasmave dhe tragjizmin e mortit, Poetja duket se është në kërkim të përhershëm, ndjek dhe paraprinë kohën e saj. Krijimtaria poetike e saj është dëshmi e gjallë e pasqyrimit natyral të shpirtit për të shpjeguar gjithçka me ndihmën e poezisë, ndaj gjithçka në realitetin jetësor e vesh me poezi, me dashuri, e lan me diell dhe e spërkat me vesën e shpirtit të saj të ndjeshëm, të dlirë. E folura letrare, korrekte,  shprehshmëria e vargjeve të figurshme, mençuria, fjalori i pasur i shqipes ruhet me fanatizëm, ku mbizotëron peizazhi i mrekullueshëm Me anë të poezisë së saj, Mina ka qëndisur me emrin e vet, lulet e shpirtit të ndjeshëm. ka sjell realizime të bukura, ku ndjenjat dhe mendimet janë gërshetuar aq mirë në mes tyre, duke na dhuruar poezi të mirëfillta pasi në libër hasim poezi të kulluara lirike, reflektive, sociale, të kurbetit, atdhetare, etj, me vlera antologjike, që janë pasqyrë e nivelit të zhvillimit të mendimit poetik të poetes që kërkon shumë nga vetja. Mund të themi lirisht se Mina e kupton me seriozitet të theksuar rolin dhe detyrën e të poetit, që frymëzimin, motivet dhe tematikën i gjen kudo në atdhe dhe jashtë tij, i gjen në vatrën ku u lind e u rrit, në plagët e kurbetit, në trotuaret e rrugëve të Tiranës, Athinës, në pritjet e nënës te pragu i shtëpisë, në ngjyrat kuq e zi të flamurit, në shëtitjet në atdhe, atmosferat e festave, promovimeve, takimeve, etj. Mina frymëzimet e veta poetike nuk i kërkon dhe as i gjen vetëm në aktualitet, por edhe në histori, në të kaluarën e njerëzve dhe të kombit tonë, duke i gërshetuar kështu elementet dhe çastet karakteristike të së kaluarës, me ato të së tashmes për të dhënë një tablo edhe më të qartë çështjesh ku çdo njeri kërkon të njohë diçka më shumë me dëshirë dhe kureshtje. Në vëllimin poetik “Me puthjen e Yjeve” janë prezen te pothuajse të gjitha elementet karakteristike të stilit të poetes si meditimet për jetën, krahasimet, paralelizmat, diagonalet jetësore, lirizmi i thellë dhe tablotë, prej të cilave nxjerrim idetë, mendimet dhe porositë e poetes për ndjenjat dhe mendimet e frymëzimeve të veta, të cilat ajo i ka ngritur në një shkallë të lartë për t’i bërë të përgjithshme dhe të pranueshme për të gjithë.  Më e veçanta në këtë vëllim janë dhe poezitë humoristike si “Kollarja” apo “Pijaneci” ku autorja përcjell natyrshëm por dhe në formë kritike pozitivitetin apo dhe negativitetin e sendeve apo dhe fenomeneve njerëzore. Poezi të tilla e bëjnë librin më intrigues, më të këndshëm dhe më me tematikë gjithë pranuese. Për më tej poezitë humoristike paraqiten dhe si fabula poetike që të ngacmojnë humorin si tek poezia humoristike “Gomari me pantallona”. Një satirë e hollë, e këndshme, me metaforë zhbiruese që të sjell një situatë të këndshme brenda vetes. Por unë do të ndalem tek poezia

“MALLI PËR FSHATIN TIM”

Më merr malli për opingat,
si dikur ti vesh fëmijë,
pastaj rrugëve të fshatit, 
të vrapoj, si djalë i ri.
Ikën lan shtëpitë rrënuar,
s'ka traktor që të buças,
që nga gjumi të na zgjojë 
si dikur nëpër ugar.
Shkoj e vij në fshatin tim, 
më dhëmb shpirti dhe e vuaj,
kur e shoh të rraskapitur,
kur e shoh të rrënuar. 
Tym e flakë kur shikoj,
në oxhak diku përtej, 
qenka kthyer, një ndër ne, 
qenka kthyer, po për Besë. 
Oh, sa mirë që filloj Jeta, 
ku dikur vetëm e lamë, 
them sa mirë, qenka kujtuar,
qenka kthyer në Vatan.
Shkoj me vrap dhe e takoj, 
thotë:- Bujrëm, që në oborr, 

Padyshim që lidhja e poetit, njeriut human me fshatin është e pakrahasueshme. Që në momentet e para, ka një lidhje hyjnore mes tyre, ku poeti merr ushqimin shpirtëror, lëndën e krijimit, muzën dhe çdo gjë që nevojitet për të krijuar. Kjo lidhje vazhdon deri në vijimësi  për të mos u shkëputur deri në ndërrimin e jetës. Në këtë botë aroma e fshatit për poetin është një lidhje abstrakte dashurie për dy qeniet që do të jenë të pandara shpirtërisht deri në pafundësi. Kjo lidhje e shenjtë është një burim jete për poetin. Dashuria për fshatin është aq e madhe sa kur kthehesh pas kohësh të duket se boshllëku shpirtëror të është mbushur. Më e vështira e ndarjes është kur njerëzit  ndahen për të shkuar për të punuar në emigracion. Shqetësimi dhe malli e brengos poetin deri ditën sa të kthehet në shtëpi. Autorja kënaqet kur shikon që sërish po kthehen sytë nga fshati. Gëzon si fëmijë kur shikon shtëpi të reja, të bukura, ku oxhaqet që nxjerrin tym tregojnë se jeta ka filluar të gjallojë sërish. Në këtë poezi Mina tregon me dashuri dhe sinqeritet se atë që quhet fshat e ka krijuar ZOTI, të përcjellë, aromë, bukuri natyrore, frymëzim, ushqim bio, blegërima bagëtish. Në pjesën dërrmuese të poezive të Minas, hasim pjesëza jete reale  të bukura por dhe të hidhura, të paraqitura bukur me mjete dhe aftësi krijuese artistike. Në librin “Me puthjen e Yjeve”  Mina tregon vërtet se është krijuese që frymëzimet e veta i gjen në realitetin e jetës. Mendimet e veta për çështje të ndryshme ajo i thotë me guxim, elegancë, sinqeritet, vërtetësi, të sistemuara dhe mjeshtëri artistike. “Me puthjen e Yjeve” autorja solli një formë tjetër të dashurisë dhe shprehjes së bukurisë për yjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat