Premiera evropiane e sonatave të Walkerit në Prishtinë vjen me elegancë

Kultura

Premiera evropiane e sonatave të Walkerit në Prishtinë vjen me elegancë

Më: 29 maj 2019 Në ora: 10:23
Foto

Prishtinë, 29 maj – Është thënë se stilet e brezit të vjetër të muzikantëve afroamerikanë janë veçse fascinime pas tingullit dhe ngjyrës.

Me individualitetin e tij prej artisti, George Walker (1922-2018) do të bëhej i pari kompozitor afroamerikan që arriti të fitojë çmimin “Pulitzer” për muzikë. “Është mirë të njihesh si i pari që ke bërë diçka”, kishte thënë Walker gjatë marrjes së çmimit në vitin 1996, “por më e rëndësishme se gjithçka tjetër është të njihet cilësia e veprës”.

Preokupimi i tij jetësor nuk ishte thjesht krijimi i diçkaje të bukur, ani se njerëzit priren të fiksohen vetëm pas bukurisë. Si jonkonformist, Walker prirej të nxirrte në pah ato që ai i quante “struktura elegante”. Dhe kishte një arsye që mbase ngjallte një dozë zemërate tek dëgjuesit e fiksuar vetëm pas bukurisë.

“Unë jam më i dhënë pas gjërave si aspekti teknik i kompozimit, por që më mundësojnë t’i gjej gjërat që disi arrijnë të bëhen pjesë e fabrikës që njihet prej njerëzve”, kishte thënë Walker në të gjallë të tij.

Me një strukturë të tillë elegante, Walker jehoi në Prishtinë nëpërmjet interpretimit të mjeshtrit të pianos Redi Llupa, në natën e katërt të festivalit ndërkombëtar “ReMusica”.

Me një cikël të përzgjedhur sonatash, pianisti virtuoz për më shumë se një orë i dhuroi publikut prishtinas në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare momente të veçanta, për çka në ndërmjetëzën mes sonatave pritej me duartrokitje të gjata.

“Më pyeti një mik amerikan se çfarë duhet të bësh kur merr duartrokitje nga publiku, unë iu përgjigja se nuk e di. ‘Nuk e di as unë’, më tha ai miku”, ka thënë Llupa në formë shakaje.

Pesë sonatat pianistike të Walkerit shënojnë një rikonceptim të sonatës tradicionale, duke e përthyer këtë zhanër me gjatësi, denduri, gjuhë harmonike dhe ekzekutime idiomatike të këtij instrumenti.
Edhe drejtoresha e Festivalit, Donika Rudi, e ka vlerësuar në superlativ interpretimin e Llupës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat