Pyetje mistike shpirtit tim

Kultura

Pyetje mistike shpirtit tim

Nga: Sulejman Mehazi Më: 29 maj 2019 Në ora: 21:39
Sulejman Mehazi

Pse ti shpirti im më ke bërë mistik, a pak njerëz ka në këtë botë, po më zgjodhe mua të gjorin e të varfërinë? Derisa të tjerët janë të gëzuar e të hareshëm, kurse mua më ke mbyllur në dhomën mistike për t'u lutur, përkujtuar e lexuar Kuran jo vetëm për vete e familjen time, por edhe për popullin shqiptarë e tërë njerëzimin.

S'të vjen gjynah e të kishe pak mëshirë për mua  të dobëtin, të eturin e të uriturin e kënaqësive të kësaj jete tokësore. Si kështu unë materie tokësore e Ti i padukshëm dëshiron të jetosh  i mbyllur e i robëruar në të dukshmen e trupit tim materie? A s'është e palogjikshme, e jashtëzakonshme në trupin e njeriut të dobët të banonte shpirti qiellor? A mundet në brendi të fizikes të banonte metafizika, në brendi të dukshmes të banonte e padukshmja.

 Të pyes ç'je ti që jeton e banon në brendinë e trupit tim: energji, frymë, erë, freski, etje, dashuri, dhimbje, pikëllim, lumturi, neps, epsh, lakmi, engjëll apo djall, ç'je të lutem, pse s'më tregon? Të gjithë të përmendin, të duan e s'të shohin? Më thuaj me se ushqehesh, këtu, në trupin tim epshor, me se, me ushqime tokësore helmuese e pikëlluese, me dashuri të rrejshme, me luftërat e palogjikshme, me politikat shtetërore djallëzore, me mashtrime e gënjeshtra njerëzore, me frymëzime artistike banditiste e egoiste?, me ahengut e motmoteve, të dasmave e manifestimeve të ndryshme, me se të lutemi?

Nga erdhe e hyre në trupin tim?, origjina apo prejardhja e kujt je?, kush të krijoi e pse je aq i mistershëm e i fshehur ndaj njerëzve?, ç'je, fe apo komb, gjuhë, kulturë, apo art?, libër, lexim apo gjykim?, besim apo mashtrim, Zoti të ka prurë te mua, apo djalli, pasuria apo varfëria?

Rrjedha juaj është nga lartë, nga froni i shtatë qiejve, prandaj Ty të kam dashuri, xhan e ashk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat