Një gërshetim mjeshtror i didaktikës dhe estetikës

Kultura

Një gërshetim mjeshtror i didaktikës dhe estetikës

Nga: Qerim Raqi Më: 1 qershor 2019 Në ora: 20:10
Kopertina e librit

Në librin më të ri me tregime për fëmijë “ Shoferi i lojës” të R. Sheqirit që i ofrohet lexuesit suedezë, tematizohet e projektohet artistikisht bota e fantazisë së pakufishme të fëmijës. Kjo botë e brendshme perceptohet si një kopsht i fantazisë në të cilen autori mëton të depërtojë përmes personazhit kryesor - Yllkës e cila dëshiron të bëhet e madhe dhe e fortë.

Bota e fantazisë së Yllkës është e gjerë dhe e pakufishme. Shkrimtari na thotë se fëmija është një qenie komplekse , si një libër që kërkon të lexohet e kuptohet mirë, si një libër me 777 poezi, me 777 tregime, si një roman i pashterrshëm. Për ta kuptuar mirë dhe për të depërtuar thellë në këtë libër fantazish së pakufishme të fëmijës , secili nga ne duhet të plotësojë disa kushte: të dijmë të luajmë, të këndojmë, të rritemi dhe të fluturojmë; duhet më në fund përkushtimi ynë ndaj vlerave universale njerëzore e kombëtare: ndaj dashurisë, mirësisë, të drejtës, lirisë , gjuhës dhe atdheut. Me këto vlera mirësie, humaniteti e dashurie është edukuar dhe edukohet Yllka e vogël dhe ajo do të reagojë në mënyrën e saj herë naive e herë qesharake, kur cënohen ato, kur kufizohen në planin familjar dhe më gjerë.

Në imagjinatën e saj ajo ka ndërtuar folenë e saj ,bazën e jetës në harmoni, paqe dhe dashuri në mes njerëzve. Ajo dëshiron ta ndryshojë botën vazhdimisht duke filluar nga shtëpia e vet qoftë duke bërë të pamundurën- ta ndalojë grindjen mes prindërve të saj. Ajo don të bëhet më e madhe se nëna e saj,ndër të tjera, edhe për t’ ia tërhequr veshin asaj për zënkat me babain. Ajo i lutet nënës që ta ndihmojë të rritet pa i’a thyer ëndërrat, gëzimin dhe lumturinë, pa i’a prishur lojërat, në mënyrë që zogu i fantazisë së saj të flatrojë i lirë , në qiellin e lirë - siç e koncepron ajo -me plotë pëllumba të bardhë që do t’ i lëshonte nga duart përmes dritares së vogël të televizorit.

Ajo ka vizatuar një shtëpi me gjashtë zemra , me dritare shumë të vogla dhe derë të vogël për të mos hyrë tymi brenda, mjegulla e gazi lotësjellës nga jashtë e të mos i ngulfasë zemrat që banojnë në atë shtëpi: zemrën e Yllit, Besës, Vanesës, zemrën e saj , të mamit dhe babit.

Ndonëse nuk thuhet në mënyrë eksplicite, kjo zagushi, ky gulçim dhe atmosferë e zymtë përreth shtëpisë së Yllkes, është një paralelizëm simbolik për në një kohë ngulfatjeje të përgjithshme shoqërore e politike në një kohë dhe hapësirë të caktuar, pra zymtësia dhe pasiguria e viteve 90- ta në atdheun e shkrimtarit.

Dritaret dhe dera e vogël do të hapen, do të rriten , të zmadhohen kur të zhduket tymi ,pluhuri e mjegulla, kur të kthjellohet qielli dhe të dalë dielli. Atëherë do të vallëzojnë të gjitha zemrat - thotë Yllka.

Libri “ Shoferi i lojës” i Rizah Sheqirit është një rrëfim që gërsheton didaktikën dhe estetikën, në disa rrafshe; ngërthen në vete aspektin letrar dhe një aspekt didaktik, përmes mesazhit që përcjell në tekstin e ndëlidhur me ilustrimet, për të arritur një rezultat të kënaqshëm.

Siç është kontatuar disa herë nga studjuesit e letërsisë për fëmijë, një nga vlerat e kësaj letërsie është potenciali që ofron ajo për rilexim, faktori ndoshta më i rëndësishëm që e dallon nga letërsia për të rritur. Libri i Rizah Sheqirit “ Shoferi i lojës” e dëshmon fuqishëm një potencial dhe vlerë të këtillë të leximit e rileximit - lexuesi do të ketë dëshirën ta rilexojë disa herë.

Kjo vepër me idetë që shtron, situatat specifike të personazhit, dialogun e zhdërvjellë e dinamik të personazheve, me narratologjinë , kompozicionin, gjuhën dhe stilin , hynë në radhën e veprave më të arrira të autorit, duke e pasuruar opusin e tij të gjerë krijues dhe letërsinë tonë për fëmijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat