“Bashkimi kombëtar duhet të ridefinohet”

Kultura

“Bashkimi kombëtar duhet të ridefinohet”

Nga: Esad Dujaka Më: 3 qershor 2019 Në ora: 13:12
Nga promovimi i "Kosovës" I-V i historianit Jusuf Buxhovit në Offenbah të Gjermanisë

Në kuadër të promovimit të veprës "KOSOVA" I-V në disa qytete të Gjermanisë, historiani Jusuf Buxhovi ishte mysafir i Shoqatës "Bashkimi Kombëtar" në Offenbah në Majnë. Në këtë takim, autori zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit rreth veprës në fjalë, krijimtarisë së tij letrare si dhe pikëpamjeve rreth aktualitetit politik nëpër të cilin po kalon sot bota shqiptare, me ç'rast një pjesë e mirë e saj iu kushtua çështjeve të bashkimit kombëta në rrethanat e dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Sipas Buxhovit, realiteti i dy shteteve shqiptare, që duhet konsideruar një fitore historike të shqiptarëve ndër më të mëdhatë e këtij shekulli, shtron nevojën e ridefinimit të bashkimit kombëtar, si një proces i natyrshëm që duhet të kalojë nga opsioni ideologjik i shekullit të kaluar te unioni i një shteti në përputhje me frymën e integrimeve evropiane. Buxhovi vlerëson se formula e re e unionit të shteteve shqiptare në Ballkan, e ku duhet të gjejnë vend, në formë asimetrike, edhe shqiptarët e Maqedonisë pasi që ta fitojnë statusin e popullit shtetformues, duhet të bëhet në bashkëveprim dhe bashkëpunim me faktorin perëndimor dhe strukturat veri-atlantike dhe assesi jashtë tyre ose në kundërshtim me to. Gjithë ky zhvillim duhet të kalojë nëpër procesin e integrimeve shqiptare në planin ekonomik, kulturor, sportiv dhe në informim, në mënyrë që të dy shtete të paraqesin një tërësi.

Me këtë rast Buxhovi tha se Tirana dhe Prishtina, gjatë këtyre njëzet vjetëve, jo vetëm që nuk kanë punuar në përputhje me këtë koncept, por mund të thuhet se politikat shtetërore të të dy vendeve, kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të kundërtën, që të unifikojnë veprimet kriminale të grupeve të caktuara politike në pushtet në dëm të çështjes edhe pse e gjitha është përcjellë me retorikën folklorike të bashkimit kombëtar dhe demonstrimeve patetike të qeveritarëve të mbytur në korrupsion, në Tiranë dhe Prishtinë. Kjo retorikë, sipas Buxhovit, në Kosovë dhe Shqipëri, ka marrë kah thuajse antihistorik, ku si "kurban" i bashkimit kombëtar bëhet shteti i Kosovës!

Diskursi i viktimizimit të shtetit të Kosovës për "bashkim kombëtar", së voni, sikur ka fituar legjitimitet nga sjellja e papërgjegjshme e vetë kreut politik në Kosovë me rastin e hapjes së çështjes së të ashtuquajturës marrëveshje historike me Serbinë nga ana e Presidentit të Kosovës, që në vend se të ndërpritet dhe ai të merret në përgjegjësi politike dhe ligjore për shkeljen e kushtetutës dhe rendit kushtetues, çështja, spekulativisht bartet te "bashkimi kombëtar"! Kjo retorikë, që shtetin e Kosovës e vën në pazar në përputhje me interesat e Beogradit dhe të Moskës, që pashmangshëm shkojnë në dëm të atyre perëndimore, me ç'rast krahas kthimit te statusit të Kosovës te gjendja e rrezikshme zero, hap dominon politike për krijimin e Serbisë së madhe, u përkrah me të madhe edhe nga politika e tanishme zyrtare e Tiranës, me çka çështjes i dha përmasat e një komploti kundër shtetit të Kosovës, që për ta parandaluar, u desht ndërhyrja energjike gjermane.

Pra, sipas Buxhovit, këto veprime dhe të ngjashme që nuk duhet përjashtuar edhe në të ardhmen, veçmas kur dihet se ato edhe më tutje mund të inicohen nga Beogradi dhe Moska për qëllime të tyre hegjemoniste në rajon, shtrojnë nevojën e një vetëdijesimi politik të shqiptarëve në të gjitha anët në të mirë të redifinimit të platformës së bashkimit kombëtar në përputhje me realitet e krijuara shtetërore, pra të unionit shtetëror, si formë e dobishme dhe e përshtatshme që të ruhen interesat kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat