“Meeting of Styles” – Festivali i vetëm urban që sjell 180 artistë të huaj në Kosovë

Kultura

“Meeting of Styles” – Festivali i vetëm urban që sjell 180 artistë të huaj në Kosovë

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 10:35
Ilustrim

Pas suksesit të muraleve dhe grafitit në rrugën B, kryeqyteti ynë sërish do të bëhet epiqendër e artit urban në Ballkan.

Festivali tashmë me renome botërore `Meeting of Styles Kosovo’ do të sjell një numër rekord artistësh ndërkombëtarë dhe vendorë këtë verë, ku përveç grafiteve në 2019 do të ekspozohen punime artistike, ushqim, si dhe line-up vibrant i hip-hop-ut.

Pas 428 aplikimeve të artistëve nga 45 shtete të botës, rreth 180 artistë ndërkombëtarë dhe vendor do të prezantojnë punën e tyre në “Meeting of Styles Kosovo” këtë korrik. Kjo vetëm se tregon që ky festival ka tejkaluar publikun Kosovar dhe ka arritur komunitetin global të artistëve urban (nga vende si Brazili, Amerika, e Australia) që tashmë dëshirojnë të lënë gjurmën e artit të tyre edhe në kryeqytetin e Kosovës.

MOS Festivali në edicionin e 2019-tës ka zgjedhur nënkalimin e hekurudhës tek rrethi i Arbërisë (Dragodanit) dhe muret anësore në afërsi të stacionit të trenit, si një mundësi perfekte për të jetësuar këtë hapësirë. Kështu kjo hapësirë do të shndërohet në park të grafiteve.

Festivali do të zgjatë nga 26 – 28 korrik, ku gjatë këtyre 3 ditëve vizitorët do të kenë mundësi të shohin artistë botëror të grafititit duke punuar punimet e tyre, të përjetojnë muzikë të përzgjedhur të hip-hopit, të shijojnë ushqim dhe pije vendore, si dhe të blejnë produkte të artit në panair.

Meeting of Styles Kosovo është festivali i vetëm në Kosovë me një përfshirje kaq të gjerë internacionale, me artist nga të gjitha anët e botës si Britainë e Madhe, Suedinë, Rusinë, Italinë, etj.

Çka vlen të veçohet në këtë edicion është prezenca e artistëve si Fio Silva, e cila me punimet shumëngjyrëshe ka zbukuruar qytete si Berlini, Londra dhe New Yorku. Gjithashtu, kanadezi me prejardhje shqiptare Rei Misiri, me një talent të veçantë në kaligrafi, sapo ka konfirmuar ardhjen e tij. Misiri është vetëm njëri ndër emrat e shqiptarëve me renome botërore në grafiti, që do të kthehet në `shtëpi` përmes Meeting of Styles.

Nga muzika, pas përzgjedhjes së 80 artistëve, do të përformojnë më shumë se 20 artistë të hip-hoput nga vende si Greqia, Gjermania, Hungaria, Bulgaria dhe Finlanda. Por nuk do të mungojnë edhe artistët më të mirë të skenës së fortë të hip-hoput kosovar, përfshirë BimBimën e mysafir të tjerë special.

Festivali këtë vit do të mbahet prej 26 deri 28 korrik 2019 tek nën-kalimi i hekurudhës së rrethit të Arbërisë (Dragodanit). MOS do të jetë qendra e graffitit, hip-hopit, muralit, skate-boardistëve, dhe artit urban të Kosovës këtë verë.

Për më shumë info për festivalin, vizitoni faqen e Meeting of Styles Kosovo në Facebook dhe Instagram.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat