Shtëpia botuese “Menada” e organizoi Edicionin II të manifestimit kulturor “Takimet Poetike në Sharr”

Kultura

Shtëpia botuese “Menada” e organizoi Edicionin II të manifestimit kulturor “Takimet Poetike në Sharr”

Nga: Selam Sulejmani Më: 10 qershor 2019 Në ora: 14:40
Edicioni II i manifestimit kulturor “Takimet Poetike në Sharr”

Shoqata botuese “Menada”, më 7 dhe 8 qershor 2019, e organizoi Edicionin II me radhë të manifestimit kulturor “Takimet Poetike në Sharr”. Hapja solemne e manifestimit u bë në shkollën fillore “Rexhep Voka” të fshatit Shipkovicë, ku morën pjesë krijues të njohur, studiues, mësues dhe nxënës të kësaj shkolle.

Edicioni II i këtij manifestimi kulturor që tubon poetë dhe shkrimtarë të njohur nga mbarë trevat shqiptare, në kuadër të programit të tij i ka përkujtuar krijuesit letrar të letërsisë shqiptare, si: Rexhep Vokën, Sadudin Gjurën, Murat Isakun dhe Abdylazis Islamin, figura eminente të këtyre anëve, të njohura për veprimtarinë e tyre patriotike në shërbim të kauzës sonë kombëtare dhe krijimtarinë letrare.

Manifestimi qendror i “Takimeve Poetike në Sharr” 2019, u mbajt në qytetin e Tetovës, në kuadër të të cilit u realizua edhe ora letrare nga poetë të dëshmuar me penën e tyre. Drejtori i Shtëpisë botuese “Menada”, Prof. Dr. Ejup Ajdini, njëherazi organizatori i kësaj veprimtarie letrare - artistike, në fjalën e tij para poetëve të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Lugina e Preshevës dhe nga qytetet e vendit tonë, theksoi se poezia është një harmoni poetike që tregon një ngritje, një lartësim të veçantë të shpirtit njerëzor. Ai, po ashtu u shpreh se poezia ekziston te çdo njeri si minerali në brendësi të tokës.

Image

“Fuqia e mendjes, imagjinata dhe fuqia e ndjenjave, si: dashuria, frika dhembja, pikëllimi etj, kanë qenë dhe do të mbeten përherë faktorë për krijimin e vlerave shpirtërore e humane si një ndërveprim i bukur midis njeriut dhe natyrës. Krijimtaria popullore dhe ajo letrare në malësinë e Tetovës, ka qenë dhe tentojnë të mbetet farkëtari, më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona shpirtërore në përgjithësi. Dëshmia më e mirë janë traditat kulturore të festave, dokeve dhe zakoneve të shumta, të krijuara përmes një talenti të veçantë krijues nga malësorët e Sharrit e që u reflektua 150 vjet më parë edhe nga shkrimtari i Rilindjes Kombëtare të këtij krahu, Rexhep Voka, pikërisht nga Shipkovica ku edhe filloi (7 qershor 2019), Edicioni II me radhë i manifestimit kulturor “Takimet Poetike në Sharr”, tha Prof. Dr. Ejup Ajdini. Ai, më tej shtoi se, pas Rexhep Vokës, si trashëgimtar i letrave shqipe në këto anë vjen, Sadudin Gjura, pikërisht nga Shipkovica, i cili shkroi pesë drama, por deri më sot i kemi shpëtuar dramën: “Lalë Bajrami”, “Dasmën Shqiptare” dhe disa pjesë të dramës “Fejesa në djep”.

Në fjalën e tij drejtori i Shtëpisë botuese “Menada”, vuri në dukje edhe kontributin e çmuar të shkrimtarëve, Murat Isaku dhe Abdylaziz Islami, të cilët sipas Prof. Dr. Ejup Ajdinit, e kanë ngritur letërsinë bashkëkohore shqipe të këtij krahu – malësisë së Sharrit, në nivel kombëtar dhe më gjerë. Këto poetë kanë qenë dhe do mbetën qenia më sublime e shoqërisë sonë, që me shpirtin e tyre të dëlirë dhe talentin krijues, ndërthurën harmoninë estetike me fenomenet jetësore, dramat me tragjeditë e jetës së njeriut tonë, që dhanë nga vetja më sublimen, u shpreh në përmbyllje të fjalës së tij organizatori i këtij manifestimi kulturor. Në Edicionin II të “Takimeve Poetike në Sharr”, u ndanë mirënjohje për përkrahësit e kulturës shqiptare, si dhe disa çmime letrare,, si: “Murat Isaku”, “Abdylaziz Islami”, “Rexhep Voka”, “Kastrioti”, “Shend e Verë”, “Çmimi Special”, dhe punime artistike të punuara nga piktori i njohur Burim Ajdini.

Manifestimi i lartpërmendur tashmë njihet si ngjarje kulturore dhe artistike në qytetin e Tetovës dhe më gjerë dhe i njëjti organizohet në stinën e pranverës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat