“Republika e shqypeve” të Dardhanisë

Kultura

“Republika e shqypeve” të Dardhanisë

Nga: Sinan KAMBERAJ Më: 27 qershor 2019 Në ora: 17:50
Ilustrim

1.

Kur e kap ‘Magjia e Zezë’
‘Rrupuplikën e Dardhanisë’
Flakët përshkojnë horizontin
Dhe ngriten lart në Qiell
Ditën për Diell!

‘Bijtë’ e Saj -
‘Heronj të Gjallë’ -
‘Shpëtimtarë’!
Yshtur nga Djajtë e Tyre -
I bëjnë ‘Roje Nderi’
Dalldisë
Para Portave të ‘Historisë’!

- Ne jemi Çlirimtarë!
Të Tjerët - Tradhëtarë!

2.

Kryedjalli e ‘magjeps’ të Parin:
- Ti, or Ti, je i Pari!
Kryeçlirimtari!
Më i Madhi nga të Tretë!
Ai, po se po, Vetën e di -
‘Kryehero’ me fletë!

Pokështu, të Dytit e të Tretit
Dy Djajtë e Tyre u thonë:
- Jeni Ju - ndaj është Ai! -
Në ‘Rrupuplikën’ Tonë!

‘Të Tretë’ i bindin të Tretët-
Se pushteti i Tyre shtrihet
Mbi çdo gjë që preket e shihet!

- Tuajat janë!
Bashkë me Sejmenët Tuaj -
Ç’u sheh syri anembanë!

Ara, Fusha e Fabrika
RTV, Gazeta e Livadhe
Shtalla e Spitale
Gjykata e Hamame
Institute e Gurore
Dogana e Pazare
Kazino e Fakultete
Shtëpi Publike e Prokurori
Shpella e Akademi
Hotele e Motele
Truste e Bastore
Pompa benzine
Rektorate e Varreza
Kolektorë Ujërash të Zeza
Male, Kullosa e Pyje
Dhe, mos o Zot -
Edhe pjesë Qielli me Yje!

Fundja -
Kush dha më shumë se Ju?
Për kët’ Dhé -
Që e keni si Fé, e si Atdhé!

3.

Mbrëmjeve -
Mbas seancash të zjarrta
Kryetrimat ‘Legjendarë’ -
Shkojnë bashkë në Darka 
Në ‘’Tifanny” e “Zanzibar”
Larg, larg ‘Synit të Keq’!
Por, kur ...
Me nder ... bëhen kaps -
Dalin q’andej - veç e veç!

Djajtë e Tyre ‘vigjilentë’ -
Për t’ua zbutur zemërimin
I çojnë n’Manastir t’Deviqit
I mburrin se janë t’një rodi ...
... stërnipa të Milesh Kopilit -
Të Kopiliqit!

(Heroi i Madh mesjetar - 
Vra e kish’ Muratin e Parë
Se i kish’ ngrehë çadrat e Luftës
Në një Betejë Ballkanike -
Në prona t’Familjes së Mileshit
N’Miniera të sotme t’Thëngjillit
Mazgit - Shipitullë
E gjithandej - Goleshit!)

Zihen fytas - i ç’Fisi ishte!
- Nga Imi! - thotë i Pari
Dy të Tjerët e kundërshtojnë:
- Jo, nga Yti, as nga i Këtij!
Ai ishte nga Fisi Im!
Këtë e dijnë të Gjashtë Feudet:
Llap, Gallap, Anamoravë
Drenicë, Shalë e Dukagjin!

Dhe, për t’i çliruar nga xanxa
Djajtë i shalojnë b*thëprapë -
Si kuaj të harlisur - pup!
- S’dini gjë Ju për Mesjetën!
Po, kqyrni ç’ ju ka falë Zoti -
O, bufë të marrë e halldupë!

Në mbrëmje i ulin bashkë -
Mu në Grykë të Gërmisë
Pas vrapit maratonik
Arave, nëpër Vetërnik -
Shpatijeve të Hajvalisë!

I mburrin për vilat magjike
Me nj’atë super-arkitekturë
Në Prevallë e në Brezovicë -
Çiftet - s’ua keni pa’ kurrë!

Të nesërmen i çojnë -
Në Kadastër!
Ç’të shohësh?
Tapi të Vjetra!
Secila, më e ‘ruajtur’ se tjetra!
Mbeshtjellë me lëkurë dosash
Të tharqeve t’thive t’Uzhicës
Me Standarde të UNMIK-ut
‘Made in Belgrad’ -
Sjellë -
Në ‘Mahallë të Kacallarëve’
Me siglën KOS - PRISTINA
N’Agjenci t’Privatizimit
Me ndërmjetësim të BE-së -
Hanëmit të Dialogut:
Shyhret F. Mogherinit!

Aty i keni - të gjitha:
Nga Vakt i Sulltan Salepit -
Tanzimatit dhe Hyrrjetit
Dy Karamahmutëve
Kohës së Austrisë e Hunëve
Pastaj të Shekullit t’Gazepit -
Dy Kralëve të Zi serbë:
Aleksandrit e Petrit!

Tokave t’‘Zadrugave’ të Titos
Ua bëjmë ‘çaren’ ne vetë -
Me kismet!
Në Gjykata me dy dëshmitarë -
Pleq - që i ka harru’ Exheli
Po që i ‘mbajnë mend’ mexhat:
‘Poreznikë’, ‘Polarë’ e ‘Shumarë’!

Tani ato, që nga Sot -
Kanë Pronarë e - Zot!

U mbetet t’i riskanoni
Dhe - t’i trashëgoni!
Me nipa, kunata e tezakë
Me vjehrra e baballakë
Me dhëndurë e baxhanakë
Me kucë e me macë! -
(Le t’plasin ata që s’u rreshtuan
Krahas nesh - n’Hotele t’Tiranës!
Po, ikën - në Kukës e n’Bllacë)!

Të Tretë -
Për një çast mbesin pa gojë:
- Sa e Shtrenjtë paska qenë
Liria!
Kjo Fisnike e Madhe - Zojë!

4.

N’ferk t’sabahut -
Kryedjalli e zë Kryeparin
E lavdëron, e lavdëron ...
Dhe -
Diçka … fësh-fësh - në vesh
I kujton …

... Atyre që u pate premtu’ -
‘Finalen‘ - do ta kërkojnë!
Je, a s’je Njeriu i Parë?!
Më i Madhi, nga të Tretë -
Më i Miri për ‘Aksham-Pazar’!

Vetëm pak …
Bjeshkëve të Shalës -
Zik-zak ...
Teposhtë Luginës së Bistricës …
Nëpër Zhazhë e Vllahi ...
Kah Ujmani - n’anën tjetër!
Ko-rri-gjim!
Pra ... vetëm dy-tri Komuna
Që jua pat dhënë me “zor”
Ai Qenbirqeni i Zi -
Rankoviqi - n’vakt të Tij!

Tash, o burra -
Shfaqni pak fisnikëri!
Është koha t’i hiqni qafe -
T’ia ktheni fqinjës Serbi
Dhe, bashkë me to -
Edhe ‘Gropat e Trepçës’
Mbetur shkret -
Qe tridhjetë vjet!

Ju kujtohet ?
Në Mitrovicë, aty te Ura -
Nëpër tym ...
“Parlé-vous-français”?
O, oui! O, oui!
Atë mëngjes -
Kur flisnit disi ... me gishta
... gjysmëfjalë me bishta!
Tako - Jes!
Ovako - Jes”! 

Si u bë q’u ndodhët Aty?
Ti - me atë Tjetrin ‘Trim’ 
Që dukej e zhdukej si Hije
Apo - ju kishte çu’ Dreqi
Dorëzanë - ‘allash-vereshi’?!
Sot e at’ ditë -
S’i ra kush n’fije!

Hë, pra ... s’Ju kujtohet?!
Te Harqet e Urës së Ibrit -
Kur ‘mbinin’ Gurë me kryqa ...
Diçka - si biçim Kufini!
Aty ku e keni vendosur sot
Mbi një Plato graniti -
Burrin me dy kobure në brez -
Plisbardhin - Isa Boletini!

Ju duhet Shtatorja e Tij -
Ju duhet!
Jo veç për Fushata zgjedhore
Kur hidhni Valle rreth saj -
Tupanxhi’ e Defatore
Por, dhe për t’jua hequr frikën -
Ai Burrë!
Kur e ‘zbatoni’ Taksën e Qeverisë
‘Qind për Qyl’ -
Nën Urë!

*
Djalli vazhdon t’i flasë -
Atij që e ‘meriton’ Lavdinë:
- Po e arrite ‘Marrëveshjen’
Për Ty do të këndohen -
Këngë epike - me sharki!
Ti - si një Sulltan me kule
Do ta zësh Ballin e Vendit
Këmbëkryq -
Në “Histori”!

*
Kryeparit na i kujtohet ‘loja’ -
“Fluturon - fluturon!”
Në atë tjetrin ‘Koalicion’ -
Për t’parin Demarkacion
Kur ve klluçe e bombola -
(Fshehur, mender jush -
në Zona midis ... ‘kulesh’
Të Zonjave opozitare)
Binin mbi Koka të zgjedhura - 
Nga dy-tri ‘milete votuesish’
Në Parlament -
Tym e gas - ‘batare’!

Pastaj -
Pastaj na i kujtohen
Çadrat e Ballaban Pashës
Në strehë të Pallatit t’Madh
Për ‘Kauzë’ që u bë Tërkuzë!
Kur pihej si “çaj rusi” rakia
Jehonin e alternonin
Lirikja e Heroikja -
‘Kah po shkon, moj Zanë’?
‘Ah, Kosovë, mos thu’j marova’ !
Që të Dyja -
N’çiftelia!

Ishte kjo - ‘zemërplasje’!
Kundër Hartave t’Komisionit
Të Demarkacionit -
Heu, atij na i raftë pika!
Kur qenë ‘betuar’ Trimat -
Se, fjalët luajnë - po jo Guri!
Pa u faru’ në Qafë t’Çakorrit -
Djem e Çika!

(I Pari, nga Mahalla e Madhe
Po edhe Dy të Tjerët -
Nga Dy Mahallët e Tjera
E dinin se Fjalët e Mëdha -
Porsi po*dhët në ‘Lojë Kapuçash’ -
I merr Era!)

5.

Një mbrëmje -
Djajtë i bëjnë bashkë
‘Trimat’ tanë
E i çojnë diku, symbyllur
‘Jashtë’ -
Biçim ‘Komisioni Shtetëror’
Për ‘trajnim’ për bisedime
Me Serbinë
Të Tretë -
Me Katërdhjetë ... të Tjerë -
Dr. Mr. PHD
Të ‘Koteceve’ UP e UT
Tèt-à-tèt!

- Ku jemi?, - pyesin njëzëri
Prapë na kthyet në Hotel?!
N’Karabinanë me Pesë Yje -
Xixa-xixa - në Bruxel ?!

- Jo, jo, s’jeni në Bruxel!
Po - në Çubrel!
Te Përroni i Keq!
Mos me ju ra kush ‘mësysh’
Para ‘Marrëveshjes’ q’u pret -
U thotë më i Madhi Dreq!

6.

Mesnatë është …
I Pari majëgishtash ngrihet
Dhe niset …
- Ku shkon, ore ku shkon?
O, Komisar Gjarpush!
E ke harru’ këngën e vjetër:
‘Veç ndërgjegjes sate -
Prapa - nuk të ndjek kush’ ?!

Dhe, Ai, pa një pa dy -
Në TV ‘Kazan’ - shkon!
Aty, në ‘Zonën B.’ -
Si në Odë të Katragjyshit -
Gjel Kokoshit dhe miletit
Shkencërisht ua shpjegon:
Ç’do të thotë fjala Këmbim
E ç’është - Demarkacion!

“Mbani vesh, o Milet!
Për të siguruar Njohjen
E Pavarësisë -
Kufirin e bëj pak ‘synet’ -
Pa i dhënë ‘asgjë’ Serbisë”!

Dhe -
Për atë që s’e jep
Kosova e Tij fiton -
(Kur palët të jenë marrë vesh)
Një Shllungë të Madhe -
Lesh!

7.

Mëngjesi gëdhin
Dhe i Pari ngrihet
Pa gjumë në sy -
Si t’ia mbyllë mirë at’ gojë -
Me një ‘Asociacion’ të Ri
Të mos bëjë ‘bela’ të reja
Fqinja faqezezë - Serbi?!

Sakaq -
Me një vendim ‘Yrysh-Siklet’
Nis Ministrin e Përjashtëm -
Dr. Rrumpallë Tyxharin
Me Ajrrupllanin e vet -
Në Ujëdhesa të Paqësorit -
Gaga-K’hu e Kaka-Dadhë
Për t’i anulluar ç’Njohjet -
(Gjashtë - i kishin ra pishman)
Një nga një - me radhë!

Sakaq -
E gjen në prag të derës
Një Pako t’Madhe - Dhuratë !
‘Projekt-Aneks-Marrëveshje’ -
Nga Kryekaraministri Shalëgjatë
I Nânës Shqypëri -
Hartu’ me Homologun ... vić
(Mbas kthimit nga Beligradi)
Vëllain ideologjik të Tij!
Paketu’ - me shije Piktori
Lidh’ me fjongo - ‘Kuq-e-zi’!

Kuq-e-zi ?!
“E zeza u raftë mbi kry”!
Mallkojnë plakat -
Në Cerajë e Mazhiq -
Mbi Zveçan!
Kur i shohin në TV -
Dy B*thëkuqët Shejtan’
Me seli:
Njëri - n’Bunker në Surrel
Tjetri - në Kalamegdan!

Eh, kush janë Ata, kush janë!
Ustallarë - lëkurërrjepës janë!
Që fshehin diçka mbas shpine
Dhe shtirën si babaxhanë!

Po, ç’duan ata, ç’punë kanë ?!
E, po -
Duan t’i bien kurrizit t’Kosovës
Mespërmes me Gërshanë -
Si një ‘Pajtim Histôrik’ -
T’i bëjnë ‘Dy Nënat’ e Tyre:
Serbinë e Shqipërinë - ‘Taman’!

8.

Në mbrëmje -
I Pari nga të Tretë
E lë Kryekullën e shkon -
Në Vendlindje t’Anekdotave
Ku shpirti shtetkrijùs
E shtetndërtùs -
I pushon!

Se, rrafsh qe 20 vjet -
Plaka Del Ponte - si hije
Me Burrneshën Ashton
E kanë lodhur aq shumë!
- Flej, flej! - i thonë ato
Po, në terr i shfaqet D. Marty -
Shtrigani që e lë pa gjumë!

Në ag, pa le Dielli -
‘Bariu Ynë’ me shkop në dorë
Arrin majë Mali në Qyqavicë !
Kope t’bardha sheh q’andej ...
Që i duken -
Herë si votues besnikë
Herë si dele -
Q’u prin Ogiçi zevzek -
Në livadhe e zabele!

Sakaq, na i kujtohet
“Bagëti e Bujqësia” -
E prek fyellin në brez
Dhe -
Me tërë fuqinë thërret:
- Kullotni, ore kullotni!
Ju, o delet e mia!

Ju bekoftë Perëndia!

Muzgu bie ...
Ai, teposhtë Malit -
Tërthoreve ngadalë zbret!
Vetja i duket Barí i Urtë -
Kur e kujton Kopenë!
Po, kur e kap Delir’i Lavdisë -
Ai është më i Madhi - Mbret!

*
Mbret ?
Po, ç’Mbret, ore ç’Mbret ?!
Zoti e ruajtë ‘Grigjën’ e Tij! -
‘Trembur’ si mos më keq
Nga Çobanë batakçinj!

Ata -
Nuk e kanë hallin e ‘Vathës’ -
As ‘Ujqit’ nuk janë më - Halli!
Ata janë Halli - Vetë!
Shpirtligj - të shitur te Djalli!

9.

Ç’bela e gjeti, ore, ç’e gjeti -
Këtë të ziun Vilajet ?!
Ç’i kanë hypur mbi kurriz -
E shalojnë e s’e lëshojnë
Togje-Togje Deputetë!
Batalione Ministra -
E Zëvendësministra
E Ndihmëszëvendës të Tyre -
Gjysmë-analfabetë!

Dhjetamijëra argatë -
Çatipë që ‘mrizojnë’
Nëpër Zyra t’Punëve t’Kota
Derisa t’i vihet tagri -
‘Gjahut’ për ‘Zgjedhje të Reja’:
Një thes Euro - Tre thasë Vota!

Eh, ç’taksirat e gjeti -
Dardaninë me këta Tyxharë
Fajdexhinj e Pazarxhinj -
Pushtetarë!

Ditën shahen në Parlament -
Me ‘Nana e me Motra’!
Natën këndojnë - duet!
Në dasma e syneti !
N’avuj çoftesh e suxhuku -
Me Whisky e me Raki!

Bini djem, bini Tavanit!
Nga d’rrasat e Trapazanit
Me patllake -
Bam e bam!
E, bam e bam!
Lum’ si Ju - hallall e paçit!
‘Rrupuplikën’ Tuaj të Shtrenjtë
Deri në një tjetër - Zaman!

Ata -
Që s’ia bëjnë ‘hyzmetin’ -
S’kanë si t’ia dijnë ‘lezetin’!

Ndaj -
Marrsh!
Me Viza e pa Viza -
Kush Ju mban?!
S’Ju pëlqen ‘Rrupuplika’?
Gjejeni një tjetër - Vatan!
____________
*) Djajtë janë Alteregoja e Kryeheronjve të kësaj kënge
_________
Qershor 2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat