Ard Islami: Njerëzit kanë nevojë për pare, vlerat i kemi harru moti

Kultura

Ard Islami: Njerëzit kanë nevojë për pare, vlerat i kemi harru moti

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 16:02
Ard Islami

Ard Islami ka studiuar në Akademinë e Arteve të Kosovës, te profesori Luan Jaha. Përndryshe, për muzikë, film dhe teatër ka studiuar në Amsterdam.

Ai ishte pjesë e disa prej serialeve në Kosovë:  “Tre gjermanët e trashë” (2004-2007), “Spitaliks” (2010), “O sa mirë” (2013), “Kosova-O” (2014), etj. Aktualisht është skenarist dhe regjisor  i disa  serialeve vendore, si: “Sh.P.K. Nazi”, “Ekspertiza”, “Schengen Visa”, etj.

Në këtë intervistë, ai ka rrëfyer se sa e paraqesin realitetin skenarët e tij, për artistët që kanë reaguar ndaj “Ekspertizës”, arsyen pse nuk është  pjesë e serialit “O sa mirë” dhe për gjëra të tjera.D

Si është gjendja e kinematografisë në Kosovë?

Shumë e mirë. Krejt po bëjnë filma, krejt po bëjnë pare.

Pse ka shumë seriale humoristike në krahasim me zhanret tjera?

Sepse komedia të bjen pare, zhanret e tjera të bijnë vlera. Njerëzit kanë nevojë për pare, vlerat i kemi harru moti.

A është humori trend apo më i lehtë për t’u realizuar?

Është trend, është shumë më i vështirë për t’u realizuar, por është trend.

A paraqesin realitet skenarët tuaj?

Skenarët e mi paraqesin realitet 200 për qind.

A ka reaguar ndonjë artist, të cilin ju e keni etiketuar në seriali “Ekspertiza”?

Po, kanë reaguar. Ermal Fejzullahu dhe reperi nga Gjilani, Fero.

A ka muzikë cilësore në Kosovë? Nëse po, kush e  krijon atë?

Muzikën cilësore e krijon Filarmonia e Kosovës.

Si është gjendja e teatrit kohëve të fundit?

Llom, katastrofë.

Sipas jush, a ka aktorë të talentuar?

Ka shumë aktorë të talentuar, krejt të talentumit jemi aktivë. Ata që nuk e kanë bërë hyzmetin, nuk janë, sepse talenti është më ia bo hyzmetin.

Cila nga krijimet tua aktuale është më mirë e realizuar? “Ekspertiza”, “shpk Nazi”, apo “Schengen visa”?

Asnjëra, për momentin aty janë të triat, në të njëjtin nivel.

Pse nuk jeni më pjesë e serialit “O sa mirë”?

Sepse ma mirë kështu, me bo seriale për veti, sesa me punu për të tjerët. Edhe ia kom nis mu lodhë me serialin “O sa mirë” edhe e lashë.

Për cilën audiencë janë skenarët tu?

Qashtu qysh e kam analizu, qashtu m’ka dalë, kryesisht mosha 24-38 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat