Gjakmarrja dhe mikëpritja në Shqipëri dhe në Japoni

Kultura

Gjakmarrja dhe mikëpritja në Shqipëri dhe në Japoni

Nga: B.S Më: 8 korrik 2019 Në ora: 12:43
Ilustrim

Me profesorin japonez Kazuhiko Jamamoto jam takuar para disa vitesh në Nju Jork, i cili ishte i ftuar nga Selahudin Velaj, një aktivist i shquar i bashkësisë shqiptare të Nju Jorkut.

Profesor Jamamoto zhvilloi me intelektualët shqiptarë të Nju Jorkut një cikël leksionesh me temën “Struktura etike e së drejtës zakonore shqiptare”. Kjo ishte një temë interesante dhe në një këndvështrim origjinal.

Shqipëria ka pasur disa kanune, por kryesori është kanuni i njohur me emrin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Nuk është ndonjë dukuri e panjohur fakti se në të kaluarën dhe sot mjaft studiues të huaj: historianë, gjuhëtarë, arkeologë, etnologë, por edhe diplomatë, politikanë etj, janë marrë dhe merren me problemet e kulturës, historisë, gjuhës etj. dhe në tërësi me problemet shqiptare. Kanë bërë studime me rëndësi, botime, fotografi, filma etj.

Këta studiues kanë qenë kryesisht nga Europa dhe Amerika. Pas Luftës së Dytë Botërore edhe rusët u morën gjerësisht me studimet shqiptare e veçanërisht për gjuhën shqipe, letërsinë, historinë etj.

Pas viteve 60 të shekullit të kaluar, pas themelimit të katedrës së gjuhës shqipe në Pekin dhe transformimit të saj edhe një qendër albanologjike, është rritur interesi i kinezëve për studimet shqiptare, sidomos në fushën e gjuhësisë (hartim fjalorësh të përbashkët dy gjuhësh), letërsisë etj.

Profesor K. Jamamoto, nga Japonia e largët, me studimin e gjerë për një nga pasuritë më të çmuara të kulturës shqiptare siç është Kanuni i Lekë Dukagjinit, e shton hartën e studiuesve të huaj dhe me një prurje me vlerë në studimet shqiptare.

Po si lindi interesi i këtij shkencëtari japonez për Kanunin shqiptar?

Këtë “mister” na i zbulon vetë Jamamoto në parathënien e botimit në shqip të studimit të vet. Ai shkruan: “I jam shumë mirënjohës Ismail Kadaresë. Romani (“Prilli i Thyer”) më dha rastin të njihem me Kanunin. Biseda e ngrohtë me të më ka inkurajuar shumë…” (K. Jamamoto, Struktura etike e së drejtës zakonore shqiptare, 2008, f. 15-16.)

Prof. Jamamoto falenderon në këtë parathënie edhe z. Selahudin Velaj, një figurë e njohur e Diasporës shqiptare në SHBA. “Një mirënjohje të veçantë meriton z. Selahudin Velaj, i cili me kënaqësi dhe me kujdes, ndërmori punën e rëndë për përkthimin e katër artikujve në gjuhën shqipe”.

Dr. Velaj dëshmoi dashuri për kulturën shqiptare duke ndihmuar dhe bashkëpunuar me dijetarin japonez, Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, i cili i kushtoi Kanunit shqiptar të Lekë Dukagjinit studime të veçanta dhe serioze. Vetë Dr. Velaj, i veshur me kostum kombëtar, shkoi në Japoni dhe ngriti flamurin shqiptar në aulat e universitetit japonez.

Banorët në malësitë e veriut të Shqipërisë, kanë pasur një kod zakonor, të quajtur ndryshe Kanun. Një shoqëri e organizuar mbi baza farefisnore, sikurse ka funksionuar shoqëria deri vonë në ato vise të thella malore, ku sistemi i drejtësisë nuk funksiononte si duhej, mbështetej në Kanun.

“Malësia e Shqipërisë së Veriut, shkruan Jamamoto, i është nënshtruar, që nga mesjeta, kodit zakonor fisnor, të quajtur Kanun. Kanuni është përcjellë e transmetuar gojë më gojë, ndër breza, mes fiseve shqiptare derisa frati françeskan, Shtjefën Gjeçovi, i përmblodhi dhe përpiloi Kodin, i cili arriti të botohet vetëm pas vdekjes së tij, më 1933, nën titullinKanuni i Lekë Dukagjinit…” (Vep. cit. f. 18.)

Kanuni, i mbledhur dhe i përpiluar prej Shtjefën Gjeçovit, përbëhet nga 1263 nene. Tipari më i spikatur në Kanun është e drejta e hakmarrjes. Kanuni i lejon burrat që të hakmerren, veprim ky që funksionon si një masë frenuese kundër shkeljes së të drejtave të të tjerëve. Fakti që për shekuj me radhë, në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë, Kanuni ka funksionuar si një kod zakonor, tregon që populli i këtyre viseve e shikon aktin e hakmarrjes, të diktuar në kanun, si një akt të moralshëm.

“Shqiptarët e kanë konceptin e mikut dhe traditën e mikpritjes të njëjtë apo të ngjashme me atë të japonezëve të lashtë. Në Kanun thuhet: Shpia e shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut”. (Neni 602.) Miku duhet të nderohet me bukë e kripë dhe zemër. (Neni 603.)

Studiuesi Nikolla Spathari në librin “Malësia e Madhe -tokë e një etnokulture të lashtë” sjell prurje të reja e për herë të parë për disa probleme të etnokulturës si psh shqirton emërtimin e kanunit që mban emrin e Lek Dukagjinit, shtjellon gjerësisht jetën fisnore të Malësisë së Madhe, ose zgjeron dhe përcakton konceptin “mik” aq i perhaur ne jetën shqiptare . Ai shkruan se “Është e vërtetë se fjala mik ka atë gjërësi marramendëse që thamë, por miku mund të jetë mik i përherhëm apo mik i përkohshëm. Mik i përhershëm është miku i kresë, me të cilin ke marrë apo ke dhënë, i ke marrë ose i ke dhënë vajzën, dhe miku i bukës, që i ke ngrënë dhe të ka ngrënë bukën disa herë....Ndërsa mik i përkohshëm është ai, që e qiti rruga dhe rastësisht thirri në derë të kullës. Ky është mik vetëm sa të rrijë aty, ose e shumta , sa të ketë në bark bukën e asj shtëpie..” (N.Spathari, vep. Cit. F. 92)

Profesori erudit K. Jamamoto sjell një fakt me rëndësi për nderimin e mikut në Japoninë e lashtë. Ai shkruan “Teoria Marebito (Miku-Zot) e Shinobu Orikuçit, një folklorist dhe shkrimtar japonez, dëshmon se Perëndia shfaqej nën maskën e një miku, në ceremonitë fetare të Japonisë së lashtë. Dy herë në vit, i maskuar si një plak, Perëndia viziton një fshat për të bekuar popullin dhe, të dy herët, një zot shtëpie duhet të mirëpres mysafirin-Perëndi me një pritje të veçantë”. (Vep. cit. f. 20.)

Tradita e mikut dhe tradita e mikpritjes nuk gjenden vetëm në Shqipëri dhe në Japoni, por kanë qenë të përhapura gjerësisht në mbarë truallin e Euro-azisë dhe në kontinente të tjera, që prej lashtësisë.

Prof. Jamamoto çështjes së lindjes dhe zhvillimit të moralit dhe rendit shoqëror në një shoqëri pa autoritet shtetëror, si një problem të ndërlikur, e trajton shkencërisht në një plan historik botëror, duke bërë katër studime të kulturave të ndryshme të antikitetit.

Një vend të veçantë zë studimi “Struktura etike e shoqërisë homerike”. Dihet se Iliada dhe Odiseja janë veprat epike më të mëdha në botën e lashtë greke. Sipas Platonit shoqëria e pasqyruar në epikën homerike është një shoqëri pa autoritet shtetëror. Jamamoto shkruan se “Struktura etike e shoqërisë homerike i përket kategorisë etike, karakteristikë për një shoqëri pa autoritet shtetëror, e njëjtë me strukturën etike të paraqitur dhe të përfaqësuar nga Kanuni shqiptar”. (Vep. cit. f. 50.)

Studieusi i njohur shqiptar Nikolla Spathari shkruan :”Kanuni i Maleve është “kushtetuta” më jetegjatë, me të cilën është rregulluar vetëqeverisja republikane e Maleve tona në shekuj.” (Nikolla Spathari –“”Malësia e Madhe –tokë e një etnokulture të lashtë”, 2018, f. 47)

Po cila është etika dhe rendi shoqëror në Shqipërinë e Veriut, ku zbatohej si kod etik i detyrueshëm?

Në zonat e thella të Shqipërisë së Veriut njerëzit rronin, deri vonë, në shoqëri fisnore të përbërë prej grupesh farefisnore të quajtura shtëpi-vllazni-fis. Në këtë shoqëri çdo individ jeton si anëtar i një grupi fisnor; të drejtat vetjake dhe liria e vullnetit janë të kufizuara dhe prej tij pritet të përmbushë detyrimet kundrejt grupit fisnor.

Struktura etike e Kanunit mund të kuptohet duke përdorur gjashtë konceptet: betimin, besën, gjakun, nderin, mikun dhe hakmarrjen, edhe pse mungon një lidhje thelbësore midis këtyre koncepteve. “Krahasimi i kulturës dhe traditës mes shqiptarëve dhe japonezëve të lashtë na shpie tek koncepti i bukës (ushqimit), i cili është një element i domosdoshëm për të kuptuar Kanunin. Kështu tek Kanuni gjenden shtatë koncepte etike: besimi, besa, gjaku, nderi, miku (mysafiri-perëndi), buka dhe hakmarrja”. (Vep. cit. f. 20.)

Studimi dhe krahasimi i strukturës etike të Kanunit Shqiptar me atë të një shoqërie pagane, pa autoritet shtetëror, e shpunë Prof. Jamamoton të propozojë një teori të re, sipas së cilës, edhe një shoqëri pa autoritet shtetëror e ka kodin etik dhe rendin e saj shoqëror, që janë përpunuar e zhvilluar në mënyrë të vetvetishme, të bazuar në fetë pagane. Madje nënvizohet se struktura etike apo kodet etike të shoqërive pa autoritet shtetëror, siç janë shoqëria e lashtë, shoqëria primitive dhe shoqëria fisnore, kanë të njëjtën ndërtim si edhe struktura etike e Kanunit, e cila përbëhet, në vetvete, nga konceptet e besës, gjakut, nderit, mikut, bukës dhe hakmarrjes. Përpara se në shoqërinë njerëzore të shfaqet pushteti shtetëror, qeniet njerëzore jetonin me një sistem vlerash që e quante hakmarrjen një akt drejtësie. Kur formohet një pushtet i shëndoshë shtetëror, me autoritetin e duhur, i cili është i aftë për të imponuar vendimet gjyqësore e për të ndëshkuar fyesin apo dhunuesin, atëherë njerëzit kanë vullnetin dhe janë të gatshëm t’ia delegojnë të drejtat e hakmarrjes një pushteti me autoritet të tillë. Sa herë që dobësohet apo venitet ky autoritet, njerëzit janë të prirur dhe të etur të marrin në dorë të drejtat e hakmarrjes, që çon në rilindjen e sistemit të vlerave të një shoqërie pa autoritet shtetëror.

Kështu ndodhi me Shqipërinë. Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 90, periudhë kjo e shoqëruar me një zbrazëti të krijuar në sistemin ligjor, Kanuni u ringjall dhe sikur doli nga hiri që e pati mbuluar. Në ditët tona kemi me dhjetëra familje të ngujuara për hasmëri.

Një befasi të bukur dhe interes të veçantë ngjalli te unë, që mbi 50 vite jam marrë me Eposin shqiptar dhe Albert B. Lordin (Shih librin Agron F. Fico: “Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard - Albert B. Lord”, Tiranë 2016, 207 faqe), kapitulli i Jamamotos “Struktura etike e Kanunit: urë lidhëse mes poezisë epike gojore shqiptare, veprës së Albert Lordit dhe epikës homerike”. (f. 197-204.)

Në kufijtë e kësaj skicë-eseje do të shtoja se Prof. Jamamoto u bën nder studimeve modeste të epikologjisë shqiptare, sepse e trajton Eposin tonë heroik dhe kontributin e A. Lordit në marrëdhënie me Kanunin. Ja si shkruan Prof. Jamamoto: “Mund të merret me mend se tematika e poezisë epike gojore shqiptare, e cila ishte e lidhur me strukturën etike të Kanunit dhe koncepteve bazë të tij, si besa, nderi, miku dhe hakmarrja, ndikuan tek Albert B. Lordi, duke e drejtuar të përvijonte disa ide interesante në këtë vëllim”. (Vep. cit. f. 201.)

Me falë të tjera, pas poezisë epike gojore shqiptare, ishte Kanuni që shërbeu si urë-lidhëse mes Albert Lordit dhe epikës homerike. I gjithë studimi i Prof. Jamamotos për strukturën etike të Kanunit të Lekë Dukagjinit është një nder i veçantë për kulturën shqiptare. Ja si shprehet profesori i talentuar, Jamamoto “…Kodi fisnor i Kanunit, që është ruajtur në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në Kosovë, përbën një nga vlerat më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar”. (Vep. cit. f. 208.)

Profesori dhe juristi i njohur Ismet Elezi në hyrje për botimin e dytë në shqip të veprës së prof. Kazuhiko Jamamotos trajton, edhe pse shkurt, meritat e këtij botimi në gjuhën shqipe. Ai thekson se meritë kryesore e prof. Jamamotos është se studimi i tij është i pari i këtij lloji, që bën të njohur lashtësinë e Kanunit Shqiptar në opinionin e popullit japonez, në atë ndërkombëtar dhe atë shqiptar.

Prof. Elezi shkruan: “Një meritë tepër e madhe dhe krejtësisht e veçantë e autorit të librit është se studimi i strukturës etike të Kanunit Shqiptar bëhet në planin krahasues me trashgiminë kulturore antike të popullit japonez”. (Vep. cit. f. 10.)

Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është as kushtetuta shqiptare, siç është thënë, dhe as dëshmi e primitivizmit shqiptar. Përkundrazi Kanuni i Lekë Dukagjinit është një thesar, një xhevahir i ndritur i kulturës së lashtë të kombit iliro shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat