Apologjia e familjes Mulosmanaj sipas librit të Zog Hysenit ”Dy anët e kullës me dy anë”

Kultura

Apologjia e familjes Mulosmanaj sipas librit të Zog Hysenit ”Dy anët e kullës me dy anë”

Nga: Tahir Bezhani Më: 13 korrik 2019 Në ora: 18:55
Kopertina e librit

Binak Alia,mesazhi i trimërisë,forcës,sojnisë e fisnikërisë mbetet lapidari i krenarisë kombëtare nëpër breza, një histori e papërfunduar në vetëdijen tonë njerëzore e kombëtare. Familja Mulosmanajve, histori e mbetur peng në ndërgjegjen e kohës.Poeti,rapsodi e publicisti i ndjerë,Zog Hysenaj i Malësisë së Gjakovës, gjatë karrierës së tij të bujshme,na la në trashëgim disa vepra poetike me vlera të veçanta,ku zbrazi katarzën e shpirtit dhe të mendjes,duke përzgjedhur fjalët me të bukura për t’i kënduar atdheut e vendlindjes së tij të dashur, Malësisë së Gjakovës,Valbonës së bukur dhe Alpeve me bukuritë e papara. Të gjitha fjalët e bukurisë artistike i gjejmë në veprat poetike si:”Si s’u mërzitka bjeshka pa mua”;”Mos ik i them ditës,rri edhe një ditë”;”Loti i burrit” etj. Të gjitha këto vepra të mirëpritura nga lexuesit anëkënd vendit tonë.

Një nga veprat më të spikatura të Zog Hysenaj, padyshim se është publicistika historike,libër ky, që ka zënë vendin meritor në historiografinë tone, me temat e trajtuara për familjen e Mulosmanajve të Malësisë së Gjakovës. Historia e kësaj familje me nam e interes të madh për çështjen tonë kombëtare, deri me tani, nuk është studiuar sa duhet e meritueshëm, për të zënë vendin në analet e historisë nëpër shekuj,për lirinë e mëvetësinë e kësaj cope toke, të lënë amanet nga stërgjyshërit tanë.Libri i lënë në dorëshkrim,”Dy anët e Kullës me dy anë”,ka arritur që të depërtojë te vetëdija e lexuesve në rrafshin kombëtar dhe të plotësojë kërshërinë e realitetit objektiv të munguar në kohë të gjatë, për bëmat historike të familjes Mulosmanajve dhe të vet protagonistit Binak Alia,e të tjerët në vijim.

Që në fillim,autori, Zog Hysenaj,trajton me durim të madh, prej një studiuesi të mirëfilltë,drurin gjenealogjik të familjes Mulosmanaj të Fangut, Bajrakut të parë të Krasniqes. Më pas sqarohen bajraqet dhe rolet e tyre nëpër kohë,shtrirja e luftrave përmes bajraqeve,qëndresa dhe karakteri i shqiptarëve në të gjitha anët e vendit,qendresat luftarake karshi një ushtrie (atëherë) forcë evropiane,sesi u derdh gjaku si prrua në fushëbeteja fyta-fyt, për mbrojtjen e kësaj toke. Shtrirja e fiseve atëbotë,pati rolin historik të bashkimit të të gjitha trevave,përmes bajraqeve të fiseve,ku kushtrimi jepej më lehtë, për luftë kundër hordhive turke,serbo-malazeze,deri edhe te sundimi i Austro-Hungarise e Italisë fashiste. Pra, te libri i Zog Hysenit,”Dy anët e Kullës me Dy Anë”,gjejmë për të mësuar shumë gjëra të cilat na kanë munguar deri me tani.

Qëndresa e familjes së Mulosmanëve të Fangut të Malësisë së Gjakovës,ka zanafillën qe para Lidhjes së Prizrenit me 1878,që atëherë kur Mic Sokoli,mbet’ simboli i trimërisë për liri në gjyle topi, në mbrojtje të tokave shqiptare,në afërsi të Ferizaj. Kjo familje e rrallë e me nam historik,trojeve shqiptare ia “fali” mëse njëzet anëtarë,burra të vrarë për interesat kombëtare. Gjithësejt i dha shtatë gjeneralë luftash,si prijës të spikatur,deri në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Si ideolog i gjitha sukseseve te asaj kohe,sipas shkrimit në libër të Zog Hysenit, konsiderohet figura absolute e dijes e trimërisë,pleqnari Binak Alia i Fangut të Mulosmanajve, të Krasniqes.Në librin voluminoz prej 771 faqesh,autori me shumë të drejtë shton disa herë pyetjen se a iu njohën meritat kësaj familje nëpër kohë,si e pësoi historia devijimin nga realiteti,pse nuk ka nëpër qytete e shkollat tona(pos Mic Sokolit) emra të familjarëve të tjerë nga kjo familje, e futur në palcën e historisë sonë krenare?!...

Në libër, Zog Hyseni shtron edhe u jep përgjigje shumë pytjeve,të cilat do të duhen të kenë përgjigjet e duhura nga studjuesit e mirëfilltë të fushës dhe historianët e periudhës.

TË DHËNAT E ZOG HYSENIT PËR LIBRIN

Kur njeriu i hyn gjërave me pasion dhe ideal të fortë,natyrisht se ato mbarohen me sukses, pavarësisht vështirësive që dalin gjatë punës. Autori,Zog Hyseni,duke gjurmuar ne arkiva të shtetit shqiptar e tjera vende,ka ardhur të shumë burime e rrethana të panjohura për opinionin të cilat i ka parashtruar,qoftë si dilema,qoftë si realitet i kohës. Pastaj,ka shfletuar literaturë të autorëve të huaj,në të cilat ka nxjerrë materiale me vlera të pakontestueshme për fatet tona historike,për Mulosmanajt e Fangut të Malësisë së Gjakovës.

Zog Hyseni ka shkuar në çdo fshat të Tropojës, duke mbledhur shënime nga pasardhësit e bajraktarëve të fiseve, për realitetin e kohës,duke shënuar emrat e të intervistuarve. Pastaj,ka gjetur shënime edhe në trevën e Dukagjinit, në fshatin Llukë të Deçanit, nga familja Geci,stërnipa të Binak Alisë së Krasniqes. Njëherit, Zog Hysenaj ,me plot ellan pune për ta kompletuar librin me sa më shumë të dhëna e saktësi,viziton edhe fshatra të komunës së Gjakovës,si fshatin Osek etj.

Pos të dhënave që u ceken më lart,Zog Hysenaj ka shfrytëzuar për mrekulli eposin tonë popullor,atë gurrën e kthjelltë të dalë nga populli, përherë në rrethanat më të rënda të kohëve tona. Rapsodi ka ditur më së miri të prezantojë historinë tonë përmes lahutës e telave të çiftelisë. Pikërisht nga këto përmbledhje,Zog Hysenaj, na e paraqet kohën më të vështirë,pas luftrave nën osmanlitë, ku vritet Maxhar Pasha, nga dora Col Delisë së Mulosmanajve,luftën për Plavë e Guci,çështjen e Bajram Currit dhe Kryezive të Gjakovës,tradhëtitë brenda e jashtë “oborrit” të luftëtarëve me nam etj.

Nuk lë anash pa trajtuar, në mënyrë konçize edhe me të dhëna të reja për Konferencën e Bujanit dhe lojrat rredh saj.Të gjitha këto tema përbëjnë ajkën e këtij libri me rëndësi të veçantë historike, ku Zog Hysenaj nuk kurseu asgjë nga vetja ,anipse me shëndet të rrënuar, për të na lënë një pasuri të madhe në bibliotekat tona, për gjeneratat e ardhshme. Nuk mund të lëmë pa përmendur me këtë rast,punën e pakursyer të recensentit Prof.Dr. Zymer Neziri, i cili në parathënjen tij, pos tjerash shkruan:

”Autori, për hartimin e librit ka grumbulluar aq shumë materiale dëshmuese: bibliografie, arkivore, hulumtime terreni, këngë e tregime popullore,si dhe të dhëna nga mbamendja personale”,si begati e librit.

Krejt në fund të librit, Zog Hysenaj shkruan:” Në këtë libër jam përpjekur të zbardh shumë nga pikat e errëta ,që historia ka fshehur për këtë trung gjigand familjar në shekuj.”

Vërtetë nga kjo thënje e poetit e publicistit të ndjerë, do shtroheshin shumë pytje e dëshira për kohën tonë dhe të ardhmen, se a do të bëjnë atë që duhet bërë, institucionet e dijes, pra Akademitë Shkencore të Tiranës e Prishtinës, me të vetmin qëllim , të drejtohet historia , të shmangen më në fund dhe shtremnimet e saj, të vendoset në kornizat e realitetit , duke mos shkruar histori me porosi të politikave të kohës…

Faleminderit Zog Sokoli,që na le trashëgim këtë thesar të paçmuar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat