U zhvillua ceremonia e varrimit të shkrimtarit Milazim Kadriu

Kultura

U zhvillua ceremonia e varrimit të shkrimtarit Milazim Kadriu

Nga: Zymer Mehani Më: 13 korrik 2019 Në ora: 21:56
Milazim Kadriu

Sot, më 13 korrik 2019, në Varrezat e fshatit Revuq të Podujevës, në prani të shumë qyterarëve, të afërmve e miqve, iu dha lamtumira e fundit, mësimdhënësit, veteranit të UÇK-së, publicistit e shkrimtarit llapjan Milazim Kadriu. Me fjalë lamturmirëse u paraqitën OVL e UÇK-së e Podujevës, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Kolektivi i SHF&MU “Hamit Sejdiu” e Kërpimehut, ku punoi z Milazim Kadriu.

Në emrin e tij personal dhe të Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i të cilës ishte i ndjeri Milazim Kadriu, fjalën lamtumirëse e mbajti shkrimtari Zymer Mehani, i cili ndër të tjerash tha:

“Qenka vështirë ta përjetojmë dhimbjen tonë për vdekjen tuaj të parakohshme, miku ynë, publicist, shkrimtar e mësimdhënës i dalluar, Milazim Kadriu!

Mungesën tuaj s’mund ta përshkruajmë me fjalë, sepse ndarja juaj nga kjo botë është e rëndë, madje edhe më e rëndë sa vetë globi, por ne: familja, miqtë, dashamirët jemi të gjithë krenarë që ju patëm, ngase ju ishit dhe mbetët simbol i burrërisë, i mirësisë, i bujarisë, mësimdhënës i dalluar, atdhetar i flakët dhe shkrimtar i talentuar, e mbi të gjitha prind, vëlla e mik i denjë. Prandaj virtytet tuaja neve na bëjnë të fortë dhe të jetojmë me kujtimin për ju, sepse fjalët dhe veprat tuaja, vërtet ju bëjnë të pavdekshëm.

Koha ikën duke shkaktuar e shëruar plagë. Kështu ishte, është dhe do të jetë përherë, por dhimbja, malli dhe plagët tona nuk na janë aspak të lehta, ngase ju ikët, kur na u deshët më së shumti.

Ashtu siç ishit prore i fortë në çdo situatë, po ashtu na mësuat edhe neve që të jemi kurdoherë të fortë, e ky fakt na obligon që dhimbjen që ndiejmë për juve ta kthejmë në forcë, ngase ju ishit shok ndër shokët e ëmbël në fjalë, qëndrestar në situata të rënda, punëtor i madh dhe besnik në punë.... Ne do të jemi gjithmonë krenarë me ju, edhe pse ikja juaj nga kjo botë na shkaktoi plagë e vrragë, pikëllim të thellë në zemrat tona.

E nderuara familja Kadriu!

Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i së cilës ishte edhe Milazimi ynë, në emër të komunitetit artistik të Podujevës dhe në emrin tim personal, ju shprehim ngushëllimet tona të thella për vdekjen e z Milazim Kadriut:

Ju bëhuni të fortë, sepse dhimben e kemi të përbashkët!

U prehtë në paqe!

Zoti ju lashtë shëndoshë!”

Në emrin e LSHK-së kurorë mbi varrin e mikut Milazim Kadriu vendosën poetët Bajram Bashota, Shaban Pllana, Rexhep Halimi e Zymer Mehani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat