Ish - sekretari i partisë

Kultura

Ish - sekretari i partisë

Nga: Albert Z. Zholi Më: 15 korrik 2019 Në ora: 08:32
Albert Z. Zholi

Me Viktorin kisha mëse një vit që punoja nëpër Llaqitë (tregu i prodhimeve bujqësore) javore në Athinë. Dhe pse ishte dhjetë vjet më i madh se unë më konsideronte shok. Kishte qenë intelektual i aftë dhe i pastër, ndaj dhe nuk kishte bërë karrierë. Servilizmin dhe karakterin e paqëndrueshëm i urrente më shumë se ç’do gjë. Ditëve të hëna, që Llaqia ishte në lagjen ku banonin, Viktori ndjehej në siklet. Sa ne rregullonim në bango frutat e zarzavatet, para nesh do të shfaqej një burrë trupmadh, i rruar e i pastruar si për dasmë, me kollare të shtrenjtë e këmishë të bardhë, sikur të punonte në ministrinë e jashtme të Greqisë.

-Mirëmëngjesi-na thoshte duke prekur me radhë frutat-hajde fruta hajde, kapitalizëm o vëlla, ekonomi tregu, konkurrencë. Ne, në kohën e komunizmit, as në ëndërr nuk i shihnim fruta të tilla. T’ja kemi për nder PD-së që na hapi kufijtë se ndryshe…

Kështu, mëse dy orë, kritikonte Enverin, Partinë, Komunizmin dhe ngrinte në qiell PD-në. As të punonim nuk na linte. Viktori, dikur më pat thëne se e kish pasur koleg-pune. Kështu vazhdonte ç’do të hënë. Kur vinte ai ndjehesha në siklet edhe unë, që s’e njihja më parë. Nuk e dija ku punonte e kur punonte, por duke pare veshjen e tij, mëndja të thoshte se dhe këtu në emigracion kishte ndonjë punë të zgjedhur.

Një të hënë-prilli frymëzimi i tij i kish kapërcyer të gjitha parashikimet. Na mbajti një leksion se si kapitalizmi nxit konkurrencën, fitimin, se intelektualët kanë shumë mundësira për të gjetur vet-veten…

Ishte hera e parë që e shihja se Viktorin nuk po e mbante vendi. Ai qëndronte indiferent deri në nervozizëm, por “leksionisti” vazhdonte të fliste për veturat, telefonat, pishinat, rinia, moda, muzika…

Dhe kur nuk e priste Viktori shpërtheu:

-Zoti Vasil, kapitalizëm do të thotë punë dhe vetëm punë. Me fjalë jetohet vetëm në socializëm.

Pa mbaruar mirë Viktori, z.Vasil ia kishte mbathur. U habita me ikjen e tij.

-Epo më plasi, vetë nuk punon dhe na mban leksione për kapitalizmin. Dëgjo mor vëlla, këtë “lektor” për më se pesë vjet e kishim sekretar partie. Ta dëgjoje kur fliste për Enverin, për Partinë, për Socializmin. Mua më kritikonte në çdo mbledhje për indiferentizëm…Koministë idealistë si përfillte.

Duke dëgjuar Viktorin më erdhën në mend fjalët e ish presidentit polak Les Valesa: “Demokratët më të këqij janë ish-komunistët, që nuk bënë karrierë në atë sistem”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat