Themel i patrandur i retorikës shqiptare

Kultura

Themel i patrandur i retorikës shqiptare

Dr. Valdet Hysenaj Nga Dr. Valdet Hysenaj Më 15 korrik 2019 Në ora: 08:34
Prof. Dr. Hasan Mujaj

Në veprimtarinë politike e publike të Kosovës përditë ka fjalime e diskutime antivlerë e gjepura. Ku qëndron shkaku? Deficiti i madh, shumë i madh sociokulturor dhe politolinguistik.Tek asnjëri nga politikanët shqiptarë nuk mund të shihet se zotërohet strategjia e kulturës politolinguistike prandaj jemi larg, shumë larg kësaj shkence në politikën shqiptare.

Këto ditë doli nga shtypi vepra “Formimi retorik”, e cila, si nga tematika e trajtimit, ashtu edhe nga akribia shkencore, shënon një arritje të re në shkencat e komunikimit në gjuhën shqipe.

“Në shumë shtete me zvillim të lartë të arsimit e të shkencës retorika është program i veçantë mësimi e studimi në universitete; ka literaturë të pasur nga kjo disiplinë shkencore dhe botohen vepra të reja, mbahen seminare e simpoziume shkencore në nivel shteti e në shkallë ndërkombëtare rreth formimit retorik etj. Por, nuk ndodh kështu në Kosovë: retorika as nuk mësohet në universitete, as nuk ka botime studiuesish në gjuhën shqipe për këtë shkencë, as nuk mbahen takime shkencore në të cilat retorika vihet si temë trajtimi etj. Prandaj, s’është habi që fjalimet publike të oratorëve të ndryshëm, shikuar nga pikëpamja e kritereve të ndërtimit të fjalimit, janë në shkallë të ulët, shumë të ulët të formimit retorik dhe të shkencave të tjera të komunikimit.” (Nga parathënia e veprës.)

Mund të thuhet se kjo vepër veçohet nga bashkërendimi i hulumtimit të gjerë teorik dhe terreni praktik i shkencës së artit të fjalimit publik e quajtur retorikë. Retorika pozitive duhet të mësohet e të studiohet, sidomos nga pretendentët e pozitave drejtuese për të mos rënë komikë përpara audiencës nga parashtrimi i fjalimit publik kiç siç ndodh shpeshherë në Kosovë. Madje jo vetëm retorika, porse, ngjashëm me disa universitete të Perëndimit, duhet të mësohen edhe shkenca të tjera simotra të retorikës si p.sh.: semiotika, teoria e përkthimit, komunikimi ndërkulturor, politolinguistika, ndërtimi i tekstit etj.

Pasi pasqyron që në parathënie rëndësinë e retorikës si shkencë e të folurit të bukur, autori kap në zbërthim ecurinë e retorikës që nga antika: parashtron disa epoka të zhvillimit të saj me përfaqësuesit kryesorë në vijimësi të rrymës së moteve dhe deri më sot.

Në vazhdim është parë përkufizimi i retorikës si dhe pikëpjekja e saj me shkencat e tjera nga aspekti i bashkërendimit të ndërsjellë, sidomos ndërplotësimi me dijet si: stilistika, semantika, politolinguistika, translinguistika, estetika, filozofia, eristika, etika etj.

Studiuesi ynë sjell shembuj fjalimesh publike-politike të oratorëve virtuozë ndërkombëtarë e shqiptarë, të cilat (fjalime), ndonëse disa të mbajtura edhe para shumë shekujsh, edhe sot e gjithë ditën ruajnë vlerën e pakontestueshme ndërtimore e përmbajtësore, mbresuese e vezulluese duke jehuar nga erudicioni, elokucioni, persuasioni etj., aftësi këto vështirë të përsëdytshme në historinë e derisotme të retorikës.

Fjalimet kontemplative të oratorëve e të retorëve të përkorë, që parashtrohen në këtë vepër, ndiqen nga zbërbërjet e vlerësimet eklatante të autorit Mujaj, të para nga shkencat e integruara të komunikimit në krye me retorikën.

Autori i veprës “Formimi retorik”, nga krahasimi që u bën disa fjalimeve publike, sidomos politike të së kaluarës me të sotmet, në këto të dytat vë re të metat enorme të oratorëve, të liderëve politikë, të deputetëve, të ministrave, të zyrtarëve të lartë të shtetit etj. të cilat (të meta) me shumë të drejtë i përshkruan me mjetet e shprehjeve komike si me: qesëndi, ironi, sarkazëm, me pyetjet retorike etj.

Pse sot nuk ka fjalime publike me vlerë të lartë ndërtimore e përmbajtësore në retorikën shqiptare? Pse sot fjalimet publike-politike të zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës janë tejet të gjora, sidomos nga formulimet gjuhësore, por edhe nga luciditeti i kontinuitetit semantik?

Prof. Muja,j në pyetjet e këtilla, jep përgjigje të qarta dhe të ilustruara me shembuj nga praktika politike: nuk ka fjalime publike, sidomos politike që shquhen nga parimet: retorike, stilistike, etike, estetike etj. sepse në politikë janë futur njerëz të papërgatitur nga arsimi; sepse në politikë kanë hyrë njerëz jo që kanë kognicion të gjerë për ta shpënë politikën përpara në favorin e zhvillimit të shtetit, porse kanë hyrë për përfitime të ndryshme; në politikë kanë hyrë dhe qëndrojnë në pozita të larta njerëz edhe pse kanë aktakuza të ngritura për veprimtari kriminale; ata i mbron nepotizmi e korrupsioni; në politikë kanë hyrë filistinët e narcistët; në politikë kanë depërtuar shpërdorimisht kukuvriqët e eristikët, poltronët e kusarët, larot e konformistët etj.

Politika e deficitit gjuhësor

Autori i veprës në vështrim vlerëson se “politikanët’” e këtillë, në skenën e politikës së Kosovës sot, duke qenë shumë të varfër nga shkencat e komunikimit, duke i takuar teorisë së deficitit gjuhësor, duke mos pasur njohuri elementare nga retorika pozitive, të cilën Gëte e quante “shkollë zhvillimi”, s’është habi që në paraqitjet publike zyrtare ekspozohen me stilin e jetës private të bisedave të lira, me shprehjet e stërkonsumuara e profane.

del e kuptueshme se zyrtarët më të lartë të shtetit - shkruan prof. Mujaj në veprën “Formimi retorik”- nuk kanë lexuar literaturë të retorikës për të parë se detyrë e parë e politikanit është: “të flasë, të shkruajë, të lexojë.” (A. Burkhardt, Das Parlament und seine Sprache, Tubingen, 2003, f. 117) Që nga Protagora është thënë se përmes forcës së fjalimit argumentet e dobëta mund të bëhen të forta (W. Jachtchenko, Schwarze Rhetorik, Munchen, 2018, f. 302)

Autori i këtij studimi me shumë arsye i jep hapësirë të gjerë stilit të fjalimit publik dhe shkencës së stilit- stilistikës. Ai vë në dukje se derisa nuk ishte konstituuar stilistika si dije stili, retorika ishte e tërë stilistika. Që të dyja (retorika e stilistika) paraqesin pikënisjen e formimit retorik. Prandaj, liderët politikë, zyrtarët e lartë të shtetit etj., po deshën të ngrihen lart retorikisht e stilistikisht në fjalimet publike e në paraqitjet e tjera të veprimtarisë politike, po deshën të krijojnë emër të liderëve të respektuar që vihen në shërbim të kërkesave të drejta të qytetarëve e të funksionimit korrekt të ligjshmërisë së shtetit demokratik, duhet ta thonë të vërtetën dhe t’i mësojnë, ndër të tjera, edhe këto dy shkenca me qëllim që ta mënjanojnë stilin e kufizuar e dialektor, stilin e rëndë estetikisht dhe të neveritshëm etikisht që i karakterizon prore.

Dituritë nga shkencat e sipërpërmendura i krijojnë oratorit kapital të pasur polisemik në kompetencë andaj edhe mundësi të gjerë zgjedhjeje për ta freskuar e fuqizuar tekstëzimin e mendimit. Për këtë arsye kërkimet stilistike në studimet e filologjisë gjermane nxorën në dritë edhe një subdisiplinë të re shkencore, e cila u quajt stilistikë e zgjedhjes (gjer. Auswahlstilistik), së cilës i vihej si detyrë të ndjekë përzgjedhjen e mjeteve gjuhësore me anë të të cilave pasurohet ekspresiviteti dhe impresiviteti i fjalimit apo i shkrimit.

Prof. Mujaj thekson se në çdo gjuhë, prandaj edhe në gjuhën shqipe, ekzistojnë fjalëza, fjalë e stilema, të cilat mund të ngrihen në figura të forcës së stilit, porse ato duhet të kërkohen në pasurinë leksikore të gjuhës dhe në sinoniminë e saj për ta trupëzuar me petkun e artit të retorikës. Stilistika e zgjedhjes mund t’i shërbejë oratorit si terren me vlerë që të gjurmojë e të përqokë (të qëmtojë) njësi artësuese gjuhësore dhe t’i vërë në funksion stilizimi për të rirë stilin e fjalimit; sa më e madhe të jetë pasuria e sinonimeve, aq më e gjerë është mundësia e seleksionimit dhe e përkryerjes së stilit.

Në veprën “Formimi retorik” studiuesi ynë kap në trajtim edhe disiplina e subdisiplina të reja shkencore si pjesë përbërëse të retorikës, të paprekura deri më sot në studimet e shkencave të komunikimit në gjuhën shqipe si p.sh.: eristika, politolinguistika, linguistika e bisedës etj.

Eristika, që nga Aristoteli, është vënë re si teori e sjelljes së pjesëmarrësve në debat e sipër. Ajo dallohet nga stili agresiv e fiktiv i eristikëve, të cilët synojnë të triumfojnë edhe kur nuk kanë të drejtë; në mungesë të argumenteve, kalojnë në grindje e fyerje, në shprehje destruktive, ireale dhe në komunikim akulturor. Eristikët mund të quhen vijues të komunizmit; ata e pandehin veten të aftë për të gjitha pozitat; nuk ka rëndësi përgatitja, por e rëndësishme për ta është të qëndrojnë në pushtet pa marrë parasysh sa janë efektivë për ta drejtuar e për ta zhvilluar shtetin. Ata sot kanë depërtuar në pozitat më të larta të shtetit në Kosovë dhe në disa shtete të rajonit.

risim për retorikën shqiptare në këtë vepër del të jetë edhe politolinguistika po kështu e parrahur gjer më tani në studimet tona. Politolinguistika është disiplinë e re e shkencës së gjuhës, e cila merret me hulumtimin shkencor e kritik të komunikimit politik si fushë e gjuhësisë aplikative. Ajo, sikundër ka parë studiuesi Burkhardt, ndjek analizën kritike të gjuhës politike. Termi i emërtimit qëndron midis linguistikës e politologjisë.

Fjalimi politik pa politolinguistikë!

Prof. dr. H. Mujaj, sipas gjurmimeve tona, është studiuesi i parë që e kap në vëzhgim rëndësinë dhe rolin e politolinguistikës si shkencë e integruar nga politika e linguistika në studimet e shkencave politike në gjuhën shqipe. Hulumtimet e këtilla, dijesh të integruara në këtë fushë, në Gjermani do të shfaqen aty nga viti 1900 kur komunikimi politik do të jetë objekt i gjurmimit linguistik. Në vitet e 70- ta e të 80-ta të shekullit XX , numri i publikimeve me tematikë politolinguistike, sa vinte e po merrte shtrirje të gjerë; viheshin në përimtim politolinguistik si p.sh.: gjuha parlamentare, analiza e diskursit politik, fjalimi publik-politik, fjalori politik, terminologjia politike, saktësia semantike-filozofike e gjuhës, higjiena e gjuhës politike etj.

Në praktikën politike të Kosovës nuk zhvillohet diskutim zyrtar sipas kritereve shkencore të politolinguistikës;“politikanëve” të Kosovës si politolinguistikë u shërbejnë: korrupsioni, farefisnia, gërnja, montimi, fyerjet, grindjet, trillimet, akuzat e liderëve ndaj njëri-tjetrit për të kapur primatin politik, favoret e partive e të partizave, mashtrimi i qytetarëve për votat në zgjedhje etj. Fjalime e diskutime antivlerë ka përditë në veprimtarinë politike e publike të Kosovës. Ku qëndron shkaku? Deficiti i madh, shumë i madh sociokulturor dhe politolinguistik.Tek asnjëri nga politikanët shqiptarë nuk mund të shihet se zotërohet strategjia e kulturës politolinguistike prandaj jemi larg, shumë larg kësaj shkence në politikën shqiptare.

Autori Mujaj me arsye tumir reagimet e disa diplomatëve të huaj e shqiptarë sipas të cilëve qeveritarët e tanishëm të Kosovës, me veprimtarinë e tyre të politikës diletante e naive ose të ndonjë interesi të ngushtë privat, jo vetëm që nuk janë të përgatitur për ta shpënë përpara zhvillimin e shtetit, por as që janë në gjendje ta mbrojnë politikisht sovranitetin e vendit në kufijtë e të cilit Kosova u shpall dhe u pranua shtet i pavarur! Duket se disa nga drejtuesit e shtetit nuk i njohin mirë as kompetencat kushtetuese, prandaj pranojnë të zhvillojnë dialog edhe për territoret e Kosovës që janë të garantuara ndërkombëtarisht si të paprekura.

Në skenën e sotme politike të Kosovës nuk ka politikanë me intensionalitet e kapital politik, të cilët janë të përgatitur të reagojnë politikisht dhe me politolinguistikë, sidoms për temat më delikate siç është rasti i lëvizjes së kufijve të shtetit.Vetëm naivët politikë mund t’i besojnë retorikës destruktive të Beogradit zyrtar për të hyrë në dialog rreth tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës. Politika hartohet, përgatitet, përshtatet, modifikohet dhe pasqyrohet përmes gjuhës, e cila duhet të jetë e përzgjedhur dhe e strukturuar sipas parimeve të politolinguistikës, të retorikës etj.

Politolinguistika është shkencë me shumë rëndësi për fjalimet politike dhe për paraqitjet e tjera publike. Ajo është themel i tekstndërtimit politik; ajo mund të nxisë perceptime e bindje të ndryshme si p. sh.: raporte bashkëpunimi, tejkalim situatash të ndera, zgjidhje konfliktesh, zhvillime të reja me interes reciprok etj. po qe se oratori ka si qëllim prosperitetin shtetëror, nacional etj. që nënkupton retorikën pozitive ashtu sikundër mund të krijojë (me anë të politolinguistikës) urrejtje, hegjemoni, diktaturë, destabilizim etj. nëse lideri synon retorikën negative të manipulimit e të dominimit sikundër veprojnë krerët e shtetit serb.

Në veprën “Formimi retorik” autori Mujaj, ndër të tjera, ndjek dhe analizon edhe dy deiktikë tejet të rëndësishëm të fjalimit publik si përbërës të pashmangshëm të ekzekutimit dhe të forcës së tij që janë edhe pjesë integrale të retorikës:1. prozodia dhe 2. gjuha joverbale.

Prozodia, si fushë e fonologjisë, merret me artikulimin e drejtë të njësive gjuhësore të tekstit dhe me përbërësit e parashtrimit të fjalimit sipas qëndrimit e përjetimit të oratorit-autorit duke i mbajtur parasysh: intonacionin, spikatjen e posaçme të ndonjë rrokjeje, lekseme apo togfjalëshi, ritmin, tonin, ndalesën e shkurtër gjatë të folurit etj. Studiuesit e retorikës preferojnë nga “njëqind deri në njëqind e tridhjetë fjalë në minutë.”

Autori hedh dritë edhe mbi gjuhën joverbale si komponent shumë i rëndësishëm i fjalimit publik. Gjuha e trupit është pjesë e pandarë e çdo komunikimi madje edhe në rastet e papranisë fizike të partnerit folës. Ajo , sikundër pohojnë studiuesit e gjuhës së shenjave, është tregues i vërtetësisë ose i pasaktësisë së përmbajtjes. Nga shkenca e shenjave-semiotika mund të kuptohet p. sh. se inkongruencat midis gjuhës joverbale, zërit dhe përmbajtjes janë shenja se dikush dërdëllit etj.

Autori vlerëson rolin dhe ndikimin e pjesëmarrjes së disa shenjave të gjuhës joverbale në komunikim si p.sh.: mimika, gjestika, gjuha e shikimit, qëndrimi i trupit, lëvizja e duarve etj.

Në fund të veprës janë futur edhe katër recensione për veprat e tjera të autorit. Vepra ka edhe përmbylljen në gjuhën angleze dhe bibliografinë shumë të pasur në të cilën mbizotërojnë veprat e studiuesve në gjuhën gjermane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat