Vështrim për vëllimin poetik “Gur i pathyer” të poetit Murat Gashi

Kultura

Vështrim për vëllimin poetik “Gur i pathyer” të poetit Murat Gashi

Nga: Zymer Mehani Më: 15 korrik 2019 Në ora: 22:21
Kopertina e librit

Murat Gashi, publicist, poet e shkrimtar i talentuar, tanimë në letërsinë e sotme shqipe është emër i njohur për lexuesit. Ai njihet me vëllimet poetike:

“Zdirgjem në ulërimë” (Prishtinë, 1996);

“Zemra më flet” (Prishtinë, 2017);

Pastaj është autor i romanit “Udhëtimi i Gertit” (Prishtinë, 2018) dhe i librit publicistik në dy vëllime:

“Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” (Prishtinë, 2019).

Vëllimi poetik “Gur i pathyer” është libri tretë me poezi nga ky autor i talentuar, i botuar në vitin 2018.

Këtë përmbledhje poetike poeti Murat Gashi e ka konceptuar në katër cikle, që përbëjnë një tërësi, por mund të qëndrojnë edhe të pavarura nga njëri-tjetri.

Në ciklin e parë “Mos ma ndotni ajrin”  s’do mend se hasim poezi, që na bëjnë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një shpirt të brengosur të subjektit lirik, të cilin e shqetësojnë tej mase dukuritë negative dhe situatat e rënda, duke rrugëtuar shtigjeve të jetës me përpjeta e tatëpjeta  krejt i vetmuar e i bërë i hidhur si pelim, i shoqëruar vetëm me trishtimin dhe mallin e pambërrishëm.

 Ja si shprehet autori te poezia “Kulmi i shtëpisë”:

Kulmi i shtëpisë atakon freskinë e qiellit

Macet e zeza shëtisin për qejf t’vet

Vreri më trazon brendësinë e trupit

Egërsira e njohur të vërsulet shpirtit

Të lodhur që moti

Prek butësinë e tij me frymë bujare....

Për të përfunduar me vargjet:

Ngrihet ndarja, mbillet urrejtja

Dhe sërish atakon freskinë e qiellit

Që i bie këtij kulmi...

E bëhen sikur s’kanë bërë asgjë...

Nga mesazhi që na japin këto vargje dhe poezitë e tjera, kuptohet mirëfilli se ky cikël është çelës i poetit Gashi, me të cilin hap dyer të kyçura, pa i shkallmuar ato, edhe pse është i trishtuar, ngase ka mospajtim të theksuar me realitetin, rrethanat dhe njerëzit, ku gjendet dhe jeton ai. Pra, na shfaqet shpirti i rebeluar i autorit, idhnak e mospajtues me të padrejtët dhe padrejtësinë, si dhe me të gjithë ata, që tentojnë t’ua imponojnë të tjerëve (por edhe autorit) vullnetin e tyre.

II. Te cikli i dytë “Pafajsia e arratisë” vjen në shprehje rastësia, ngase poeti Gashi këtu na ka dhënë vargje, që paraqesin situata të ndryshme, të cilat i ka kaluar në rrethin shoqëror. Në poezitë e këtij cikli hasim në antiteza të fuqishme, sidomos në binomin dashuri-trishtim, i cili sikur prore e stërmundon shpirtin e dëlirë njerëzor (edhe të fëmijëve) të autorit, sepse ato na e rikujtojnë tmerrin dhe trishtimin nga e kaluara jo e largët, që padyshim shumicës prej nesh na ka shkaktuar plagë duke na lënë vrragë në kujtesën tonë kombëtare. Në shumë vargje dhe poezi të këtij cikli hasim në shumë elemente autobiografike të vetë poetit Murat Gashi, duke u gjendur shpesh i malluar për truallin dhe shtëpinë.

III. Cikli i tretë, i titulluar “Krismave të lirisë” na paraqet të kaluarën dhe aktualitetin tonë, ku lajtmotiv është atdhedashuria, që do të thotë se këtu kemi të bëjmë me poezi përkushtuese për martirët dhe dëshmorët e kombit, të cilëve poeti Gashi me penën e tij do t’u bëjë homazh dhe nder, duke u ngrehur ë monument kulturor. Nga ky cikël do të përmendim poezitë: “Testament lirie” (kushtuar Naip G. Berisha, martir i betejës së Vërrinit, i rënë më 1 shtator 1998); “Puthja e nënës” (kushtuar martirit Irahim M. Osmanit, që pësoi po më 1 shtator 1998 në Vërri); pastaj poezitë kushtuar mësuesit dhe atdhetarit Xhevat Berisha,  dëshmorit Veton Shala (student i Fakultetit të Mjekësisë, i rënë në mars 1989); poezia “Lindjedritë”, kushtuar mësuesit Halit Geci, i vrarë më 26 nëntor 1997, në varrimin e të cilit për herë të parë u paraqit publikisht UÇK-ja jonë e lavdishme. Të gjitha këto poezi janë perla letrare, secila më e bukur se tjetra.

IV. Cikli i fundit “Frymë lirie”, i katërti me radhë i këtij vëllimi poetik hap horizonte drite dhe lirie pas perëndimit të një kohe të mugët. Në këto poezi poeti Gashi është optimist dhe plot shpresë për një të ardhme dhe jetë të lumtur përgjithësisht. Këto poezi na freskojnë me frymë lirie për vendin dhe njerëzit që kanë një gjak dhe flasin një gjuhë. Këtu, në vargjet e këtij cikli s’ka më druajtje, as trishtim dhe as presion nga i huaji (armiku), por ka vetëm optimizëm dhe shpresë për ditë më të mira.

Disa nga nuancat më karakteristike të poezisë së poetit Murat Gashi janë: shqetësimi deri në trishtim, shpirti i rebeluar nga padrejtësitë e kohës dhe të njerëzve, emocionaliteti që na dhuron pena e poetit. Këto tipare do të na imponohen sa herë që t’u rikthehemi vargjeve të autorit, ngase ai përherë qëndron në nivelin e pasurisë shpirtërore prej artisti të denjë.

BIOGRAFIA E POETIT MURAT GASHI

Murat V. Gashi u lind më 15 maj 1957 në Hoçë të Qytetit të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Prizrenin. Studimet i regjitroi 1977. Në Prishtinë i kreu studimet në Fakultetin e Bujqësisë me 1981 dhe diplomoi më 10 janar 1983, ku menjëherë, më 28 janar 1983, u punësua në KBI “Progres -export” të Prizrenit.

Bota poetike e krijuesit, Murat Gashi nisi të zgjerohej me vrull e vullnet të madh, sidomos pas vitit 1981, kur filluan ngjarjet historike të Kosovës, që për krijuesin Gashi do të jenë burim i pashtershëm frymëzimi poetik e krijues, të cilat edhe do t’i botojë në revistat dhe në periodikun letrar të kohës. Nga viti 1995, ka qenë bashkëpunëtor në gazetën e përditshme " Bujku " (Rilindja ) e ka vazhduar deri 2002, pas luftës në Kosivë. Veprën e parë poetike “Zdirgjem në ulërimë” e botoi më 1995, kurse vëllimin tjetër poetik “Zemra më flet” e botoi më 2017 nga SHB “ProkultPress”, Prishtinë. “Udhëtimi i Gertitt” - Roman, botoi SHB ProkultPress, Prishtinë, 2018.
“Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë”, pjesa e parë (I), - Publicistikë, botoi SHB ProkultPress, Prishtinë, 2019.
“Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë”, pjesa e dytë (II), - Publicistikë,
“Gur i pathyer”, - poezi, botues SHB “Pena”, Prizren, 2019 është libri i tij i gjashtë me radhë.

Autori ka në dorëshkrim edhe pesë e më shumë libra të tjerë që presin dritën e botimit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat