Peja nderon Teki Dervishin – aristokratin e letërsisë shqipe

Kultura

Peja nderon Teki Dervishin – aristokratin e letërsisë shqipe

Nga: Naime Beqiraj Më: 16 korrik 2019 Në ora: 14:26
Teki Dervishi

Teki Dervishi mbetet një emër i pakrahasueshëm me të tjerë në letrat shqipe. Miqtë dhe ata që e njohën më nga afër me të drejtë i dhanë epitetin “aristokrati i artit dhe kulturës shqipe” .

Por, përderisa vetëm fjalë miradie dëgjohen për të, institucionet çalojnë si rëndom për ta kryer punën e tyre në nderim të jetës e veprimtarisë së tij.

Përjashtim bënë qyteti i Pejës, që falë angazhimit të kolegëve shkrimtarë, tashmë ka emëruar një rrugë me emrin Teki Dervishi. Është diçka fare e vogël, mirëpo Prishtina, ku shkrimtari kaloi pjesën më të madhe të jetës, apo Gjakova – ku lindi, nuk e bënë as këtë. As Shkupi ku jetoi gjatë.

Në vazhdim mund të lexoni një shkrim të poetes Naime Beqiraj, ku flitet për angazhimin dhe punën që është bërë për ta rikthyer simbolikisht Teki Dervishin sërish në Pejë.

Teki Dërvishi rikthehet në Pejë pas 55 vitesh

 

29 qershor në Pejë. 8 vjet pasi Teki Dervishi i mbyll sytë përgjithmonë, një rrugë në Pejë emërtohet me emrin e tij. Vendimi nga Komisioni për emërtimin e rrugëve,  aprovuar nga asambleistët pejanë është marrë vite më parë.

Telefonata që ma bëri një pasdite të ftohtë dimri profesori i gjimnazit Riza Krasniqi ishte konsultim që dijnë ta bëjnë vetëm burrat e ditur.

“Jam në Komision për emërtimin e rrugëve në Pejë. Si poete pejane, a ke ndonjë propozim”?

Pa u mëdyshur ia thashë dy emra shkrimtarësh: Teki Dervishi dhe Hida Halimi. Të dy i kisha menduar edhe më herët.

-Hida Halimi, po prozatore dhe poete e ndjerë nga Radaci, por edhe Teki Dervishi shkrimtari i mirënjohur… – fliste profesori matanë telefonit.

Pothuaj ia hoqa dilemën profesorit të fizikës.

“Kur Tekiun e përjashtojnë nga gjimnazi i Gjakovës, Peja e pranoi në gjirin e vet. Kishte filluar të shkruaj më herët poezi, por në dy vitet e fundit në gjimnaz të Pejës shkruan pa u ndalur. Këtë ma ka thënë vetë disa herë, kur e kisha redaktor në gazetë: Pejën e konsideroj vendin ku e fillova letërsinë e vërtetë”.

-Ju e dini profesor që në Pejë, Tekiun e burgos UDB-ja, e torturojnë por nuk i tregon shokët e idealit. E dënojnë si 18 vjeçar me 3 vjet burgim për nacionalizëm dhe e dërgojnë në burgun famkeq të Goli Otokut në vitin 1964. Represionet nuk i ndahen tërë jetën e Tekiu e vazhdon luftën dhe sakrificën e tij për art dhe atdhedashuri të pastër dhe idenë e shtetndërtimit për Kosovë europiane deri në vdekje”.

Profesori Riza Krasniqi nuk më kërkoi dëshmi më shkrim dhe në fund më premtoi se do të kalojnë të dy propozimet e mia. “Mjafton vetëm ideja”, më thotë.

E sot, Peja është i pari qytet që e nderon Teki Dervishin. As Gjakova – vendlindja e tij ku edhe prehet trupi i tij, as Prishtina ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës e të mos flasim për Shkupin ku ka jetuar shumë vite, nuk e kanë nderuar Tekiun mendjendritur; nuk kanë as një emër rruge, biblioteke, institucioni as çmimi letrar.

Duke e nderuar këtë figurë madhore, Peja e ka nderuar më shumë vetveten. Është nder për qytetin e bukur ta ketë në zemër të lagjes Dardania emrin e dramaturgut të madh, poetit, prozatorit, eseistit, publicistit me ndikim.

Lajmin që emrat e Teki Dervishit dhe Hida Halimit janë aprovuar nga asambleistët pejanë ma dha para 2 vitesh asambleistja Mevlyde Idrizi, por nganjëherë procedurat i vonojnë emërtimet.

Ngjit me emrin e Teki Dërvishit, një tjetër rrugë emërtohet me një tjetër ungjillor – luftëtarin e dijes e të dritës: Kristoforidhin, shkrimtarin e autorin e Abetares së parë shqipe, kurse paralel me të quhet rruga Teodor Muzaka – luftëtar arbëror i cili ra në Betejën e Kosovës në luftë kundër Perandorisë Osmane.
I bajshin me nder brez pas brez!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat