Menaxhimi i energjisë eshte shpëtim për individin, për shtetin, për kombin dhe për njerëzimin

Kultura

Menaxhimi i energjisë eshte shpëtim për individin, për shtetin, për kombin dhe për njerëzimin

Nga: Daut Demaku Më: 16 korrik 2019 Në ora: 14:31
Daut Demaku

TALENTI I PARË (Zbulimi i lirisë personale)

-Gjashtë mijë vjet vuajtje të njerëzimit për mungesë të njohjes së energjisë.

-Menaxhimi i energjisë është zbulimi më i madh i shekullit të njëzetë.

-Formula e menaxhimit të energjisë është e thjeshtë, si ameba njëqelizore: ku shkon MENDIMI, atje shkon edhe ENERGJIA.

-Secili individ, me lehtësi mahnitëse, mund ta ndryshojë jetën e vet.

-Edukimi medial është çelës për hyrje në rrugën më të bukur të jetës njerë­zore.

-Ushqimi është burimi i dytë i energjisë. Secili shtet normal - ushqimin e popullatës së vet e vendos në themelet e çdo strategjie nacionale të zhvillimit.

-Ndërtimi dhe shkatërrimi i jetës së qyte­tarit varet vetëm nga qartësimet prak­tike për zbatimin në jetë të ligjeve të energjisë…

-Kjo Platformë është e vërtetë, është e pranueshme dhe është shumë e dobi­shme për secilin njeri.

-Varet nga vullneti ynë: duam apo nuk duam…

-Asnjë pengesë tjetër nuk ekziston.

Intervistë me njeriun që solli frymën e re të të menduarit e të të jetuarit në Kosovë, autorin e librave më të lexuar në vend, njeriun që as vetë nuk do ta dijë kurrë se sa shumë njerëzve u ka ndihmuar me shkrimet, me emisionet dhe me ligjëratat e tij, njeriun më pozitiv, që e duan lexuesit dhe shikuesit, me shkrimtarin e njohur, Daut Demakun

Zoti Demaku, kohët e fundit po postoni në FB dhe në YouTube materiale, njësi zanore, nga Kampusi gjermano-kosovar dhe të gjitha këto postime e kanë një titull të përbashkët “ZBULIMI I LIRISË PERSONALE OSE TALENTI I PARË”, a na thoni konkretisht, për çka bëhet fjalë?

Përgjigje: Ky është Projekti im, ku është shkrirë krejt jeta ime.

Ky Projekt është kryevepra ime e vërtetë ose vepra ime kryesore - jetësore.

Është fillimi dhe fundi i gjithë gjakimit tim jetësor, është finalizimi i idealit tim më të lartë, është realizimi i synimit dhe i dashurisë sime, që e kam mbajtur në shpirt për këtë popull e për këtë vend, prej ditëve të rinisë e deri më sot.

Titulli i këtij Projekti është:

“ZBULIMI I LIRSË PERSONALE - TALENTI I PARË OSE MUNDËSIA MAHNITËSE PËR SECILIN NJERI.”

Jam shumë i lumtur që më dha Zoti jetë e shëndet që ta rrumbullakoj krejt këtë Projekt-Ide (në fillim) e tash Projekt i plotë.

Tash ndihem shumë rehat, sepse ajo që ia kisha dhënë vetes mision - NJOHJEN ME FUQINË E MENDIMIT - tash u përmbyll në formën më konkrete dhe më të mirë të mundshme.

Jam njeri me fat, qind për qind i realizuar në jetë, sepse nuk ka arritje më të madhe se njeriu kur e realizon qëllimin e tij jetësor.

E thatë një fjali të madhe: realizim i synimit dhe dashurisë sime, që e kam mbajtur në shpirt për këtë popull e për këtë vend, prej ditëve të rinisë e deri më sot. Ku qëndron përmbajtja themelore e këtij Projekti?

Përgjigje: Synim imi jetësor ka qenë dhe është arritja e pikës më të lartë të jetës nje­rëzore, që thotë: ta ndihmojmë njeriun që të bëhet NJERI.

Në të gjitha shkrimet e mia, në emisione, në ligjërata, në libra – synimi im ka qenë të merremi me SHKAKUN kryesor e jo me pasojat, që nuk u dihet as numri as fundi.

A ju kujtohet ajo thënia aq shumë herë e përsëritur: nuk ka jetë pa vuajtje, nuk ka vuajtje pa shkak, dhe, nuk ka shkak që nuk mund të kapërcehet?

Shkaktar i të gjitha vuajtjeve në jetën njerëzore është MUNGESA E NJOHJES së mundësive reale që ka njeriu.

Kjo mungesë e njohjes është shkaktari kryesor. I pari. Dhe i vetmi. Të gjitha të tjerat janë pasoja.

Me miliarda vuajtje , fatkeqësi e mjerime, sëmundje e dështime, varfëri ekstreme dhe turbulencë të pafund krijojnë pasojat. E shkaktari kryesor është NJË, vetëm një: mungesa e njohjes!

E si të arrihet njohja e shkakut?

Përgjigje: Shumë thjesht. Të gjitha “të ndërlikuarat, të pakuptueshmet e të paqartat” janë të lehta t’i kuptosh - nëse i studion me vëmendje.

Kur thellohemi dhe studiojmë programin gjenetik të njeriut, atë “kompjuterin” e padukshëm në njeriun, atëherë e kuptojmë se ekzistojnë me mijëra veçanti të indi­vidit.

Kemi thënë dhe e kemi përsëritur me mijëra herë: të gjithë njerëzit i takojnë gjinisë njerëzore, kanë shumëçka të përbashkët, por kanë edhe mijëra e mijëra ve­çanti da­lluese, që secilin individ e bëjnë unik, krejt të veçantë - një të vetëm në botë.

Në kuadër të këtyre veçantive është një DHURATË, një e veçantë, që gjendet në programin gjenetik të secilit individ e që quhet TALENT OSE PRIRJE E PARË.

(Kapaciteti i kuptueshmërisë së mendjes normale njerëzore e ka të vështirë ta kup­tojë vlerën aq të lartë të kësaj veçantie… Por, do ta them në vazhdim).

Secili njeri jetën e ka dhuratë. Askush asgjë nuk ka bërë për jetën e tij. E tash, për ta mbajtur mirë këtë jetë që e kemi dhuratë, falas, na është dhënë një mundësi tjetër, një prirje, që thotë:

SECILI NJERI DI DHE MUND TA BËJË NJË PUNË MË MIRË SE TË GJITHË TË TJERËT!


Kur ta gjejmë këtë prirje, që e kemi dhu­ratë, atëherë do ta kuptojmë pse kemi ar­dhur në jetë, cila është mundësia e paku­fi­shme e njeriut, cila është rruga më e sigurt e lumturisë njerëzore, cila është bukuria e pafund që mund të shijohet gjatë çdo dite të jetës së njeriut.

Prandaj, po them, duhet t’i rrisim kapacitetet e kuptueshmërisë që t’ia qartësojmë vetes dhe fëmijëve tanë MUNDËSITË MAHNITËSE që posedon secila qenie njerëzore dhe t’i zbatojmë këto mundësi në praktikën jetësore, që jeta jonë të shndërrohet në PARAJSË të vërtetë.

Kjo mundësi mahnitëse arrihet me lehtësi, nëse bazohet në katër shtyllat kryesore, që janë: DUAJE VETVETEN, NJIHE VETVETEN, MENAXHOJE ENER­GJINË DHE PËRSËRITE SYNIMIN. Ai/ajo që niset në këtë rrugë, e ka të sigurt suksesin.

Ky Projekt qenka ZBULIM i madh shkencor, sepse Ajnshtajni thotë: “Të zbulosh, do të thotë të shohësh atë që të gjithë e kanë parë dhe të mendosh atë që as­kush nuk e ka menduar?”

Përgjigje: As mendja nuk më shkon të mendoj për zbulime shkencore.

Unë kam bërë përpjekje serioze që in­for­matën ta shndërroj në dituri.

Ne po harrojmë se informata nuk është dije. Informata është MUNDËSI.

Kur ta zbërthesh informatën, si thuhet, fije më fije, ta njohësh thelbin e përmbaj­tjes, ose, siç thonë teorikët: ta kuptosh LIGJIN QË VEPRON BRENDA DUKU­RIVE dhe atë përmbajtje ta përdorësh në jetën praktike - atëherë informata SHNDËRROHET NË DIJE TË VËRTETË.

Nuk po dua të largohem prej temës, por meqë e thatë fjalën “zbulim shkencor”, më duhet t’jua kujtoj se askush asnjëherë nuk ka zbuluar asgjë. Të gjitha kanë qenë këtu, por ka munguar NJOHJA. Ne njohjen e quajmë zbulim.

Por, më duhet t’ju përgëzoj që përdorët një thënie të njohur, shumë të njohur, shumë të bukur dhe shumë të saktë: “Të zbulosh, do të thotë të SHOHËSH atë që të gjithë e kanë parë dhe të mendosh atë që ASKUSH nuk e ka menduar”.

Kjo thënie, për mua, ka qenë yll prijës.

Shumë, shumë mirë. A mund të ecim tutje, cilët janë hapat konkretë që t’i afrohemi talentit ose prirjes sonë të parë, kësaj dhuntie njëmend mahnitëse?

Përgjigje: Rruga për gjetjen e talentit të parë ose hyrja në fushën e potencialeve të pakufishme të jetës së suksesshme njerëzore është shumë e thjeshtë dhe shumë, shumë e bukur.

E para, mbi të gjitha dhe më kryesorja, është: TA DUASH VETEN TËNDE!

Dashuria ndaj vetvetes është kushti themelor që të nisesh në rrugën e gjetjes së ta­lentit tënd të parë ose të nisesh në rrugën e mrekullueshme të lumturisë.

Pse dashuri ndaj vetes ose më saktë: a ka njeri të gjallë që nuk e do veten e vet?

Të gjithë themi se e duam veten tonë, por të gjithë e shqiptojmë një GËNJESHTËR të madhe, madje do të thosha një

GËNJESHTËR të pakufishme./Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat