Fshati Veshallë – një thesar i pazbuluar

Kultura

Fshati Veshallë – një thesar i pazbuluar

Nga: Merxhan Jakupi Më: 18 korrik 2019 Në ora: 00:29
Foto ilustrim

Fshatrat e Malësisë së Sharrit të Komunës së Tëtovës kanë pasur një histori të trazuar. Këto fshatra janë përballur me shumë vuajtje, skamje dhe uri. Sidomos pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Menjëherë në Luftrat Ballkanike i përfsshiu  ekspansioni i ushtrive serbe dhe bullgare të cilat iu vërsulën tokave, trojeve shqiptare. Ata bënë spastrim etnik. Shumë banorë u vranë e u masakruan dhe një pjesë u shpërngulën në Turqi.

            Këto fshatra të Malësisë së Sharrit, edhe pas përqafimit të Islamit dhe respektimit të riteve islamike, vazhduan edhe më tej të ruajnë me fanatizëm traditat dhe vlerat kulturore  kombëtare. Faktet tregojnë se këta banorë të Malësisë shekuj me radhë e kanë ruajtur identitetin kombëtar, kodin etik dhe traditat stërgjyshore. Edhe sot ruhet e respektohet nderi  e besa si kult i fjalës së dhënë dhe mikpritja tipike shqiptare. Ritet e zakonet e lindjeve, dasmave e vdekjes ndiqen e zbatohen me rigorozitet. Malësorët e këtyre trojeve I kanë ruajtur me fanatizëm këngët epike, tekstin e melosin e këngëve të kreshnikëve. Këto cilësi e tipare të këtyre trevave i kanë rrënjët që nga lashtësia ilire.

            Nënat u këndonin foshnjave ninulla me vargje epike. Dialekti i malësorwve, sidomos i grave, ka ruajtur pastërtinw e të folurit të gegërishtes. Brez pas brezi rapsodët këndonin këngë kreshnike pa instrumente ose dhe me fyje. Kishte dhe rapsodë të mortit, të cilët këndonin këngë mortore ku ngrinin lart virtutet e të ndjerit.

            Ndonëse përgjithësisht malësorët ishin të pashkolluar, një pjesë kishin vijuar mësimet e para nëpër mejtepe dhe në biseda përdornin edhe fjalë me prejardhje turke ose sllave, kurse vajzat ruanin të foliurit e pastër gegërishte, pa fjalë barbare dhe terma të huaja.

            Për shekuj me radhë banorët e këtyre fshatrave janë marrë kryesisht me blegtori. Në pranverë ata dilnin me bagëtitë e tyre, me tufat e deleve në stane, bënin jetë nomade. Këta banorë e pranuan Islamin më vonë se banorët e qyteteve dhe zonave fushore. dhe festonin festat pagane, si Shën Gjergjin dhe Karnavalet. Tradita e këtyre festave pagane ka ardhur deri në ditët tona.

            Dita e Shën Gjergjit fesohet edhe sot si festë popullore. Pë këtë festë, në mëngjes herët, ditën e luleve, virgjëreshat dhe djemtë e rinj tw fshatit shkojnë te shkëmbi i vashave (guri i cucave) dhe kthehen me kurora të stolisura me lule e filiza 

            Festa e Shën Gjergjit në këto treva ishte një ndër festat më pompoze. Barinjtë zbrisnin nga bjeshkët dhe shumë djem nga kurbeti merrnin pushime dhe vinin enkas për të festuar këtë festë pagane.

            Në vjeshtë, pasi mbaronin punët e fushës, fshatarët mbushnin hambaret me bereqet dhe atëherë fillonin dasmat.

            Në këto fshatra dimrat ishin të ashpër, me shumë dëborë dhe ngrica. Në vjeshtë fshatarët   i transferonin bagëtitë në pjesën juglindore të Maqedonisë, ku klima ishte më e ngrohtë. Disa familje të fshatrave Veshallë, Brodec dhe Vicë ishin shpërngulur me fëmijët në një fshat të komunës së Radovishit – Topollnicë. Ata, përveç blegtorisë, merreshin edhe me kultuvimin e duhanit. Një ndër këto familje ishte edhe familja e gjyshit tim nga nëna, si dhe prindërit e mi me xhaxhain. Unë dhe njëra motër u lindëm në këtë fshat. Shumica e këtyre fshtrave kanë emërtime të toponimeve gjeografike në gjuhën turke, si për shëmbull Kovador, Dorjan, Gjevgjeli, Demirkapi, e shumë të tjerë. Banorët e këtyre trevave ishin Yrikët, me prejardhje turke. Me ardhjen e Perandorisë Osmane, përveç administratorëve ushtarakë turq, kishin ardhur edhe kolonë apo ‘muhaxhirë’ që ishin vendosur në disa prej këtyre fshatrave. Ky etnitet i quajtur ‘yrikë’ ishte me prejardhje çerkeze nga Deti i Zi. Ata kishin lëkurë të bardhë, kishin sy e flokë gështenjë dhe ngjanin si racë shqiptare. Fëmijët e familjeve shqiptare mësonin në shkollë fillore turqisht. Marrëdhëniet e fshatarëve shqiptarë me këta të ardhur ishin shumë miqësore. Megjithatë, midis tyre nuk ka pasur martesa të përziera dhe secila palë ka ruajtur pastërtinë e vet etnike.  

            Gjyshi im nga nëna – Ferat Abduramani, kishte lindur më 1899 dhe vdiq më 1987 në moshën 88-vjeçare. Në jetën e tij të gjatë ai kishte përjetuar tri etapa historike: Perandorinë Osmane, Monarkinë Jugosllave dhe Federatën e Jugosllavisë së Titos e fillimin e shpërbërjen së saj. Gjyshi rrëfente se në fillim të viteve 1920-të kishte punuar si çirak te një mjeshtër në Viticë si eblebixhi dhe hallvaxhi ku kishte mësuar zanatin.

            Në periudhën e Perandorisë Osmane ka qenë si traditë e zakon që edhe anëtarët e komunitetit të krishterë, siç ishin sllavo-bullgarët, t’i përshëndetnin familjet fisnike, bejlerët e parinë e vendit me përshëndetjen islame  “selam alejkum”. Pasi u larguan nga trojet tona të gjithë administratorët dhe bejlerët turq dhe u kthyen në Turqi, klerikët orthodoksë ua kishin ndaluar banorëve përshëndetjen islame. Gjyshi im rrëfente se kur një bej kishte kaluar mes turmës nëpër fshat, disa burra që kishin qenë ulur ishin ngritur në këmbë dhe i kishin dhënë selam beut. Dikush midis tyre kishte kundërshtuar dhe kishte thënë se nuk u duhet dhënë më selam pashallarëve . Por një plak i krishter i kishte thënë se nuk i duronin të pasmet pa u ngritur. “Është instinkti i robit”, kishte thënë ai. “Pesë shejkuj u kemi dhënë selam pashallarëve dhe do të vazhdojmë edhe më tej.”

            Im atë dhe gjyshi im tregonin se banorët e Maqedonisë juglindore përbënin shumicën. Sipas tij, ata kanë karakter bujar, janë më zotërinj, nuk kanë urrejtje nacionaliste dhe kanë jetuar në paqe dhe harmoni me komunitetin musliman. Kurse në Maqedoninë perëndimore, me ardhjen e kolonëve serbë në shumicën e trojeve shqiptare, janë prishur marrëdhëniet ndëretnike. Në kohën e Perandorisë osmane marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë e Maqedoni mes sllavëve, turqve dhe shqiptarëve kanë qenë normale, paqësore dhe tolerante. 

            Në fshatin Topollnicë im atë ka pasur një dyqan, një ëmbëltore. Yrikët ishin klientë të rregullt. Ata vinin çdo ditë pas mbarimit të punës dhe konsumonin shumë ëmbëlsira, sidomos pas pirjes së duhanit. Tërë dimrin e kalonin duke u marrë me akraballëk dhe duke luajtur karta me hallvë dhe bozë.

            Në fillim të viteve ’60-të filloi eksodi dhe shpërngulja masive e turqve dhe e shumë shqiptarëve në Turqi. Xhaxhai dhe im at kishin korrespondencë me letra me dajat e tyre në Turqi. Ata u kishin siguruar atyre tokë pjellore dhe shtëpi me kushte të mira klimaterike afër Izirit. Në fund ata ishin regjistruar në komunën e Radovishit si turq dhe kishin marrë lejet e qëndrimit në maj të vitit 1962. Në atë kohë unë isha pesë vjeç e gjysëm. Më kujtohet kur erdhi kamioni në mbrëmje dhe të gjithë fshatarët shqiptarë dhe turq kishin ardhur të përshëndeten. Babai, xhaxhai dhed gjyshi ngarkonin plaçkat në kamion. Më kujtohet që fqinji ynë Hasan Aga erdhi e më përqafoi dhe më dha një lodër. Nga bagëtitë kishim marrë tri koshere me bletë, lopën Laro dhe qenin Sharo që e doja shumë. Në Tetovë arritëm në mbrëmje tek një kushëri. Të nesërmen erdhi karvani me kuaj.  Pasi ngarkuan plaçkat, karvani u nis në drejtim të fshatrave të Malësisë së Sharrit, në fshatin Veshallë.  Xhaxhai im, Aliu i ndjerë, kishte hipur në kalë dhe më mbante mua në prehër. Duke iu afruar fshatit, nga arat dhe bjeshkët dëgjoheshin blegërima e deleve dhe e qingjave, tingujt monotonë të zilkave të deleve dhe këmbanat e deshve, të kombinuara si një simfoni me këngën e fyellit të bariut. Tek kulla karshi dukej fshati Vëshallë dhe xhamia me minare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat