Dashuria si fiksion poetik

Kultura

Dashuria si fiksion poetik

Xheladin Mjeku Nga Xheladin Mjeku Më 21 korrik 2019 Në ora: 22:34
Kopertina e librit

Alma Jaku (1980), poete me plotkuptimin e fjalës, prej vitesh kishte paralajmëruar ardhjen në botën letrare. Siç do ta thotë vet autorja në një rast, ajo i është rikthyer “ftesës ngulmëtare” të muzës së saj, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, për arsye të saja personale, por në asnjë çast nuk ka “heshtur” në ftesat shpirtërore të unit krijues, duke mbrujtur në shpirt “mrekullitë” e provokimeve krijuese.

Përballja një kohë të gjatë me poezinë, që herë e krijoi, e herën tjetër sikur do të hiqte dorë nga ajo, për të gjetur qetësinë në përditshmërinë që e preokupon, Alma sërish i rikthehet yshtjes së muzës së saj, pas disa “turbulencave” provokuese të “dashurisë” së dytë, (pas asaj për arritjet shkollore) për ta shtyrë tutje fjalën e ndryrë poetike që i gufonte si provokim i pashuar shpirtëror. Kështu, pas një kohe të “heshtur” Alma Jaku vjen me librin e saj të parë poetik “Rropamë ndjenjash”, që padyshim shpërfaq fuqishëm “zjarrin” e brendshëm shpirtëror që do ta ketë përvëluar gjatë, duke e kristalizuar me vargun e saj brilant, për të mbetur gjatë në kujtesën dhe yshtjen e recepientit që nuk do t’i mungojë asnjëherë.

Flas me gjuhën e vargjeve

Mbi bazën e kësaj që u tha më parë, nuk mund të mos e theksoj edhe një të vërtetë tjetër që më obligohet nga leximi dhe kurreshtja që më rizgjoi dëshirën të veçoj disa nga “kapjet” e kujtesës sime në bredhjen dashamirëse të një lënde të veçantë poetike, që më vjen më shumë se një dhuratë; si një befasi që të mban pezull deri në frymën e fundit të rrugëtimit bashkë.

E organizuar në pesë njësi ciklike: “Dashuri”, “Mungesë”,“Kapërthime ndjenjash”, “Mëdyshje” dhe “Njerëzore”, përmbledhja poetike “Rropamë ndjenjash”shpalos shpirtin poetik plot vrull dhe ndiesi të Alma Jakut, si rrallë të ndonjë krijueseje, sidomos me fillimet e daljes në skenën e letrave. Preç Zogaj ndër të tjera paskësh vlerësuar se: ”Një risi tepër mbresëlënëse në poezinë e Alma Jakut është avancimi në trajtimin e temës së madhe të dashurisë me sytë e gruas.”, që është më e pakta që mund të thuhet për këto vargje me shkëlqime xhevahiri. Modestia e tij do të parakujton lexuesin se Alma në asnjë çast nuk është “heshtake”. Ajo, pa fije dyshimi do të rrjeshtohet në karvanin e gjatë krah emrave të dëshmuar të poezisë sonë.

Padyshim, poezia e Almës flet më shumë se gjithçka tjetër nga brendia shpirtërore, duke vulosur fuqishëm ndiesinë e saj prej femre, nëne, prindi dhe, mbi të gjitha, prej frymori që jetën e fuqizon përmes dashurisë, edhe si fiksion poetik. “Ajo jam unë, dhe jam për ty,/ paksa e marrë, po krejt dashuri.” (“Autoportret”, fq. 9). Mund të thuhet më fuqishëm se kaq, kur del e deklaruar në formë të përgjithsuar, si qenje e vetëdijshme, se jeta i vlen poaq sa e dashuron, jo vetëm si fiksion, po edhe si vlerë me të gjitha vetitë që e karakterizojnë qenjen e saj prej frymori të dhënë pas të bukurës, të dashurës në çdo aspekt?

Për asnjë çast nuk mund të zbërthehet gjithë ajo mrekulli që e mrekullon poezinë e saj më mirë dhe besueshëm se vetë vargjet që gurgullojnë, qoftë edhe me “rropatje” nëpër momente e dëshira, që nuk mbarojnë asnjëherë, edhe atëherë kur “Jashtë bie borë. Eja sonte! Natën ta bëjmë krejt kandil./ S’më thonë kot “grua bionde”,/ as ty s’të thonë kot “bandill”. (“Eja sonte”, fq. 15), për të shprehur fuqishëm edhe kërkesat shpirtërore që të qëndroj pranë dhe e pandarë: “Nëse më do, më bli një ishull,/ ku të zgjohem, të fle me ty në sy, në mot të bukur dhe të prishur/ e vetmja pemë të jem aty.” (“Më bli një ishull”, fq. 18). Ajo sikur e ka ndiesinë e të qenurit e lumtur veç atëherë kur “Do të të puth fort,/ sa të ushtojë deti,/ të të lakmojë Zoti,/ sonte je ti mbreti.” (“Mbreti im”, fq. 20), prandaj, shprehet fuqishëm duke sugjeruar: “Duamë, i dashur, siç të dua unë ty,/ dashuromë si kurrë s’ke dashuruar,/ mësomë hap pas hapi si ecet përsëri,/ mësomë të di sa më ke munguar.” (“Më duaj!”, fq. 21). Kjo është “Dashuria” (sipas ciklit të parë), e shprehur përmes vargjeve, që pasqyron ëndrrat e saj që gjthmonë të jetë emri, fuqia dhe shpirti përmes të cilave synon të bukurën, të ndieshmen dhe ardhmërinë me vlerat në vazhdimësi.

Kreativiteti dhe çasja tematike – bashkudhëtare në poezinë e Alma Jakut

duke bredhur vargjeve e strofave të poezisë së Alma Jakut, edhe në ciklet tjera, të cilat veçohen për figuracionin, gjuhën, stilistikën dhe metaforat e shumta, mund të konsiderohet si një vazhdimësi e ndërlidhur, si tërësi poetike dhe motivore. E them kështu nga faktet se, pothuajse gjithë lënda e kësaj përmbledhje poetike strumbullar të trajtimit ka dashurinë, si ndjenjë, si kreativitet dhe qëllim kryesor të autores, përmes së cilës synon të ndërtoj jetën e saj letrare, me bazamant të përcaktuar, mbi këtë segment të jetës, mbi dashurinë.

Derisa në “Mungesë”, Alma Jaku nuk ngurron të sjell edhe ndjenjën e dashurisë për njerëzit e saj të familjes, si “Gjyshja”, pastaj kujtimet për “Bahçen e fëmijërisë”, e ndonjë tjetër të kësaj natyre, ajo kujton edhe momente të humbura, qoftë edhe në ëndrra, si “Ëndrra ime, humbur, tretur”, etj. Pavarësisht këtyre çasjeve, poetja nuk ngurron t’i rikthehet sërish asaj që më parë ishte ndjenjë e bukur dashurie, por në kontekstin e shqetësimit, urrejtjes dhe kujtimeve paksa të neveritshme, meqë, siç shprehet ajo, “Tani që ti ke ikur” shpreh mungesën e dikujt, për ta ngushëlluar veten sadopak me plotësimin e asaj zbraztësire me “adoptimin” e një maceje, qeni dhe pule, për arsyen e të mosqenurit e vetmuar. Në një masë të konsiderueshme, këto veprime ngushëllimi në një mënyrë na kujtojnë botën adoleshente, ku e bukura dhe liria në hapësirat fëmijërore mund të përjetohet pa kushte, pa shtrirje dytësore, të dyshuar, por gjithmonë në frymën e botës së virgjër të fëmijës që hapëron drejt ardhmërisë me shpresa të mëdha se shpejt do t’i kthehet buzëqeshja, gjithmonë duke aluduar në një “Teatër dashurie”, ku “Drama mbaroi, ranë perdet,/ përtueshëm unë duartrokita,/ në paqe shpirtin larg e treta.” (fq. 25).

Ana tjetër e medaljes, tashmë pjesa e djegur e një dashurie të ikur, sikur është vulosur thellë në shpirtin e thyer të autores, e cila nuk mund ta shqiste nga mendja, duke e kujtuar si diçka të pariparueshme në këtë segment të jetës. Kjo është sfida për ta jetuar përsëri jetën, që nënkuptohet në rrafshin e trajtimit të temës së dashurisë në dy taborret e saj të kundërta, që mbesin si ëmbëlsirë, në rastin e parë dhe, vrragë e thellë në çasjen tjetër të trajtimit.

“Djalli të marrtë, zonjë e rëndë!

Ti që e çmendur qe në shtrat,

shëtitoren shkel me këmbë,

fisnikërisht, mbretëreshë prapë.”

(“Mbretëreshë, prapë”, fq. 26)

Për ta vazhduar edhe me poezitë “Kërcu i djegur”, “E mundur”, “Buzët e tua“, “Ora e pritjes”, “Ik!”, deri në “Kostum mortor”, që shpërfaqet katërcipërisht si një humbje e përhershme, që nuk ka asnjë mundësi rikthimi, sepse “Me kostum morti, mbledhur në botë,/ dashurinë e vjetër kishe veshur.” (po aty, fq. 29).

Si kundërvënje e asaj që konsideron autorja, ikje përfundimtare, vjen poezia “Sygjelbërt”, një rikthim force, diçka që kujton hakmarrjen, e cila befas do ta rikthej në jetën e saj të re, duke shpërfaqur guximshëm ndryshimet e menjëhershme: “Sonte, për rastësi,/ jam në gjoks të dikujt,/ i ka sytë si ti:/ të gjelbër, si pikë uji.” (Po aty, fq.34). Këmbëngultësia e pakthyeshme, sikur ka edhe një qëndrim stoik, që fuqishëm e shpreh në mbyllje të poezisë “Urat e shembura”, për ta harruar plotësisht atë periudhë plot trishtime, durim, shqetësime, shpresa e deri në thyerje definitive. Edhe poezi të tjera që pasojnë, kanë po atë çasje, duke iu bashkuar qëllimit të vetëm, një kundërshitimi të fuqishëm dhe ngritjes së besimit në vetvete, që pothuajse në gjithë lëndën poetike, veçantë asaj të motivit të dashurisë, i përcjell kjo frymë prej guximtareje të paepur.

Sidoqoftë, autorja përmes poezisë “S’kam pse hidhërohem”, sikur atëherë kur yjet bien nga qielli, kur vyshken lulet në lëndina, “Edhe ti, dashurihumburi im, / i nënshtrohesh këtij ligji universal,/ perëndon si dielli në det,/ për t’ia lënë vendin tjetrit që lind në mal.” (fq. 38), duke iu bindur realiteteve që e rrethojnë, tashmë, për t’iu çasur jetës sërish si një triumfuese e denjë.

“Kapërthime ndjenjash” - sprovë që vazhdon

Me poezinë e Almës ndodhesh në një dyluftim të përhershëm, gjithnjë duke u përballur me arena të ndryshme, sa fitimtare, sa zhgënjyese dhe përsëri të del para një rikthim betejash, për të përmbushur zbraztësirat që mund të kenë përvijuar paraprakisht gjatë krijimtarisë së saj, në prekje të një ndjeshmërie refleksive. Këto “Kapërthime ndjenjash” e përcjellin në çdo hap frymën krijuese të saj, herë duke i vënë diga, e herë mbi trase të bukura të një rrugëtimi të ri drejt lumturisë së ëndërruar me shpirtin e saj të stërmbushur dashuri për jetën, të bukurën…Për t’i qëndruar më pranë këtij mendimi, pos jell këtu poezinë “Puthja e parë”, përmes së cilës shpaloset gjithë ajo që mund ta konkretizoj këtë mendim:

“Të putha dhe buza kish shijen e mjaltit,

i freskët prej hojeve dalë,

shtatë palë ethe të ranë shtatit

për mëkatin e pafaj.

Do të puthesh prapë, e dashur,

përsëri do dridhesh etur,

por si puthja e parë e pastër

asnjëherë s’do të jetë një tjetër”.

(“Puthja e parë”, fq. 50)

Alma Jaku sikur ka zgjedhur mënyrën e komunikimit, herë në monolog, të ndarë, sa me zërin e saj, sa me zërin e subjektit tjetër, që vjen “I uritur” pas një kohe të harresës, duke shprehur hapur atë që e ndien në shpirtin e tij: “Fort më ndale, fort më lodhe,/ herë më dogje, herë më freskove,/ m’u ngjite keqas si rrodhe,/ ngjalë shtatit m’u lakove.../ …por urinë,/ kurrë s’ma shove” (fq. 54). Derisa me “Grishje” e fton të dashurën, ajo sikur i kundërvihet me po të njëjtën “grishje” që të jenë “Bashkë” duke e ftuar: “Eja sonte tek unë, shejtan,/ merri këpucët në dorë, ec pa zhurmë,/ universin ta bëjmë sa një dhomë/ kur bota e madhe të bjerë në gjumë.” Nuk është kjo mrekullia e jetës që gjithmonë gjen shtigje e hapësira të depërtoj edhe përmes rreziqeve e mbi “mëkate të hyjta”? Këto gjetje të Almës nuk kanë si të mos veçohen si prurje të pranueshme në vargun e saj plot frymë jete e dashurie që nuk shterron. Por, jo vetëm kaq. Ajo tashmë duhet ta ketë zënë fillin e gërmimeve thellë në jetën e saj, duke shprehur edhe më tutje besimin se do të arrij në pikën e synuar të jetës, duke shpërfaqur edhe më fuqishëm besimin përmes vargjeve edhe tek poezitë: ”Në inde ta ndjeva frymën”, “Si shpezë më zë në lak” e ndonjë tjetër.

Gjithnjë e gatshme të përballet me situata të ndryshme, ndodh të ketë edhe “Mëdyshje”të herëpashershme, por si “akrobate” e tejkalimeve të situatave të tilla ia del të triumfoj mbi të keqen, smirën, xhelozinë, për ta ngritur çështjen në nivelin e dashurisë, si fiksion krijues, apo edhe më shumë se kaq, si frymëzim muze që e mbanë fort për besimin e patundur në rrafshin jetësor. Të këtij ambienti poetik janë shumë nga poezitë e ciklit “Mëdyshje”, si: “Etja”, “Xhelozi”, “Sikur ta dije sa pak dua!”, “Ti ke frikë nga dashuria”, “Ti je oazë mes shkretëtirës”, “Dyzim”, etj. për të ngushëlluar veten me atë që mund ta konsideron si pjesë të saj personale, duke u mjaftuar me qëndrimin “Mjafton të të kem mik,/ që dëgjon mendjen time” (fq.65). Në kontekst të kësaj do të ndaloj pak tek poezia “Dilemë” që m’i kujton “Tri gotat” e Latif Berishës, ku një përzierje e përafërt sillet në mendjen e autores, por me një dallim konkretizimi, të shprehur në formë dyshimi: “Dreqi apo Zoti/ marrëzisë sime/ po i jep mend?” (fq. 66). E një reflektimi të tillë të përafërt vjen edhe poezia tjetër “Maskë”, ku “Bashkë gatuam një tortë të ëmbël,/ sipër e mbushëm me lule e zemra,/ nën shtresa poshtë hilen e fshehëm,/ përziem lëmsh dreqër dhe engjëj./ Tani e hamë kafshatë pas kafshate,/ gënjejmë pa zor për shijen e ëmbël,/ për ta vjellë pastaj në terrin e natës,/ kur ndjenja e shpirtit trazohet në ëndërr.”, (fq. 77). Edhe poezitë tjera që pasojnë, si “Lojë inatesh”, “Pyes veten”, “Vitet e tua”, “Si ndodhi?”, “Xhelozinë lërja hënës”, “Ndoshta një ditë”, po aq sa edhe poezitë e mëparme, shprehin dyshimet e njëjta duke u rikthyer në një pajtueshmëri të heshtur, që mbrunë në shpirtin e saj, tashmë kur paskësh ikur ajo kohë.

Etika “Njerëzore” bën punën e vet më së miri përmes vargjeve të Alma Jakut, me gjurmime të kujdesshme në brendinë e njeriut, si protagonist kryesor dhe i vetëm i trajtimit tematik të saj, duke shpalosur edhe anën tjetër të “bukurisë” shpirtërore. Këto fenomene vijnë të trajtuara kujdesshëm nga rrafshi i jetës dhe i sfidave të shumta, që në poezinë e saj pasqyrohen si “Lojtar ferri”, duke u mëshiruar pastaj, me synimin që t’i kthehen jetës normale. Në këto poezi gjejmë edhe ndjenjën e dhimbjes, ku “Lypsari” ia provokon shpirtin e ndieshëm të poetes, që përmes fjalëve të djalit të saj “Një mijë thika shpirtin ma therën/ dhe fajtore u ktheva mbrapsht,/ lypsarit i gjeta derën,/ bukë nga e djalit tim i dhashë.” (fq. 76). Ka edhe shumë tema tjera, që do ta kenë provokuar muzën e trazuar të poetes, duke vënë në shënjestër edhe vese të njerëzve të tjerë, që mund të kenë sjellur edhe në dilema të ndryshme, por asessi pa shtegdalje nga këto pengesa. Poezitë:“Çmimi i jetës”,“Kohë perverse”, e ndonjë tjetër pasqyrojnë bindshëm këto veti të njerëzve, që për synim kanë keqbërjen, si fenomen i ngulitur në shpirtërat e tyre perversë prej injorantëve të identifikuar nga shoqëria që i rrethon, e që nuk i shpëtuan pa i hetuar edhe syri vigjilent i poetes Alma Jaku.

Në këtë cikël, veçohet poezia “Në gjoksin tënd”, për paraqitjet kundërthënëse të njerëzve, duke njollosur të tjerët, që po merr përmasa gjithnjë e më shumë. Këto vese këtu pasqyrohen në kundrim të një syri ndryshe, duke “fajësuar” ata që nuk i përkasin këtyre vetive, që autorja e lë hapur dilemën, për ta kuptuar pastaj vet receptuesi i vëmendshëm: “Më talli një prostitutë te cepi i urës,/ një pijanec që rri gjithmonë te bari,/ një zonjë plakë sevdaharruar tha:/ “Ky brez s’është më për së mbari.” (fq. 80). Kjo na kujton proverbin “Ma mbaj shoqe kopilin, t’ia them emrin e para!”.

Dhe një ditë Almës do t’i buças vargu nga gëzimi. Poezia “Qeshi jeta në sytë e mi”, një përkushtim vargjesh për të birin, i cili e bën t’i “Qeshi jeta në sytë e mi/ kur ti ëmbël sytë i çele,/ rilinda unë kur linde ti,/ më bëre tjetër njeri”. (Po aty, fq. 81). Për të vazhduar të shijoj jetën tutje me “Ditën e verës” që paralajmëron se poetja ka forcë të pashterrur që jetës t’i hap shtigje të reja, qoftë edhe përmes rrugëtimit me vargjet e saj margaritarë.

Mbase, kjo stinë do t’na vjen një ditë si vazhdimësi që na mrekullon!

Vargu që nuk shterron

Mbase, libri me poezi “Rropamë ndjenjash”, i Alma Jakut vjen si kompozim temash e motivesh nga përditshmëria, me ngjyrime të theksuara dhe shumë sensitive të jetës, ku dallgëzohen të gjitha ngapak, si puna, ngritjet edukative, dashuria, etj. Simbolika e “rropamës” vjen si një frymë garuese në jetën plot sakrifica, angazhime të nduarnduarshme drejt cakut të synuar. Semantika e vargut të lirë, figuracioni i pasur, tropet, rimat dhe konsonancat e shumta, me frymën e vargut të latuar plot përkushtim sjellin aromën e jetës prej një krijueseje që nuk ndalon së dashuruari të bukurën, jetën, familjen dhe ardhmërinë.

Alma Jaku mbetet peng i fjalës së saj, të cilën ka obligim ta sjell me tërë potencialin prej krijueseje tek adhuruesi i poezisë së saj, duke përçuar mesazhin e pashterrshëm për dashurinë dhe jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat