Lufta e klasave – kanceri i politikës shqiptare

Kultura

Lufta e klasave – kanceri i politikës shqiptare

Nga: Thanas L. Gjika Më: 26 korrik 2019 Në ora: 21:42
Thanas L. Gjika

jatë shekujve XIX dhe XX mbisunduan dy mënyra qeverisjeje, ajo e qeverisjes sipas kushtetutës borgjeze krijuar prej Napoleon Bonapartit dhe mendësia e qeverisjes diktatoriale provuar prej Komunës së Parisit dhe partive nazifashiste, të cilën e perfeksionoi Partia Komuniste Bollshevike nën drejtimin e Vladimir Iliç Leninit. Ky për të marrë dhe mbajtur pushtetin me partinë e tij si forcë e vetme politike ngriti në parim luftën e klasave për të eliminuar partitë e tjera politike dhe individët që nuk ndiqnin programin e partisë së tij. Kështu Lenini arriti të instalonte Pushtetin e Sovjetëve. Pasuesi i tij, Josif Visarjanoviç Stalini e zbatoi me zell më të madh parimin e luftës së klasave, duke u shkaktuar popujve të Bashkimit Sovjetik 20 milion viktima, pra shumë më tepër viktima sesa u shkaktoi L2B. Një rrugë të tillë ndoqën për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit edhe partitë e tjera komuniste të cilat deri në vitin 1990 e rritën numërin e viktimave të sistemit komunist në 100 milion njerëz.

Nga ana tjetër demokracitë borgjeze ishin qeverisur sipas parimeve kushtetuese, të cilat i pati pasuruar Abraham Linkolni nëmbarim të Luftës Civile, kur dha një shembull human për të shuar urrejtjen midis forcave kundërshtare. Ai u tha ushtarëve të tij se kundërshtarët e mundur nuk duheshin parë e trajtuar me urrejtje, sepse ata “janë bashkëqytetarët tanë”. Pak kohë më vonë, kur u zgjodh president për të dytën herë, Linkolni theksoi: “vendi do të qeveriset me drejtësi, pa keqdashje për askënd”. Këto thënie u kthyen në parime dhe kështu u krijua uniteti kombëtar i kombit të ri amerikan, i cili u mobilizua pa asnjë dallim për zhdukjen e pasojave të luftës dhe zhvillimin e vendit.

Në këtë rrugë, në rrugën e krijimit të unitetit kombëtar, hyri dhe populli shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, kur intelektualët atdhetarë përpunuan ideologjinë tonë nacionaliste. Ata krijuan parulla mobilizuese si “Atdheu mbi të gjitha”, “Liri, a vdekje”, “Për lirinë e atdheut jap jetën”, etj. Ky lloj morali vijoi të frymëzonte rininë tonë edhe gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare, kur nëpër shkolla këndohej: “Do vijë koha përsëri / kur flamuri kuq e zi / do valojë mbi Kosovë e Çamëri”.

Më 7 prill 1939, sulmit të ushtërisë fashiste iu kundërvunë forca shqiptare të ushtërisë mbretërore, të xhandarmërisë dhe disa vullnetarë popullorë. Në luftimet e asaj dite ranë 15 dëshmorë: dhjetë në Durrës, dy në Vlorë, një në Sarandë, një në Berat dhe një në Shkodër. Shumë shpejt atdhetarë të krahinave të ndryshme si Anaz Kupi, Safet Butka, Selim e Myslim Peza, Muharrem Bajraktari, Riza Kodheli, Haxhi Lleshi, etj krijuan çetat e para të armatosura dhe filluan luftën për ta kundërshtuar pushtimin fashist. Natyrisht rezistenca e 7 prillit dhe çetat e para të armatosura, kishin mungesa në organizimin e tyre. Çetat e para atdhetare që u pasuan më vonë dhe nga çetat që krijoi organizata patriotike “Balli Kombëtar” ishin të ngjashme me çetat e Rilindjes Kombëtare. Disiplina dhe ndërlidhja e tyre ishin të dobëta. Kurse çetat partizane që krijoi Partia Komuniste gjatë pranverës së vitit 1942 e më vonë, u shquan për organizim, disiplinë, ndërlidhje dhe komandë të përqendruar. Pikërisht me këto tipare çetat partizane korrën suksese dhe fituan simpatinë e aleatëve dhe të shtresave të varfra të popullit shqiptar. Dihet se Partia Komuniste Shqiptare dhe çetatat e saj të armatosura u krijuan sipas udhëzimeve të Stalinit, udhëzime që i vunë në zbatim tek ne të dërguarit e Josif Broz Titos. Enver Hoxha, i vënë në krye të PKSH-së prej tutorëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, u nxit prej tyre që të bashkohej me forcat antifashiste nacionaliste me qëllim që shpejt a vonë të delte mbi to dhe t'i eliminonte. Me këtë synim ai dhe forcate tij morën pjesë në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, ku u zgjodhKëshilli i Përgjithshëm Nacional, i cili u quajt pak më vonë prej PKSH-së Këshilli Nacional-Çlirimtar. Më tej të dërguarit e Titos e shtynë Enver Hoxhën që të dërgonte përfaqësuesit e PKSH-së në Tapizë e Mukje, ku më 3 gusht 1943 u hartuaMarrëveshja e Mukjes, e cila zgjodhi Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të luante në fund të luftës rolin e një qeverie provizore deri në zgjedhjet popullore kur do të përcaktohej forma e regjimit politik. Mirëpo tutorët jugosllavë e detyruan Enver Hoxhën që ta mohonte Marrëveshjen e Mukjes dhe brenda shtatorit 1943 me anë të një shkresë sekrete të firmosur nga “Shpati”, pseudonimi i Enver Hoxhës, u urdhëruan organizatat bazë të PKSh-së që ta shpallnin tradhëtar “Ballin Kombëtar” në mbarë Shqipërinë londineze dhe ta luftonin si armik edhe pse deri atëhere forcat e kësaj organizate kishin luftuar në bashkëveprim me forcat partizane kundër pushtuesve italianë. Disa javë më vonë udhëheqja e PKSH-së shpalli “armiq”edhe forcat që drejtonte Abaz Kupi, udhëheqësi i rezistencës së 7 prillit 1939 dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacional / Këshillit Na-Çl.

M. Popoviçi dhe Dushan Mugosha e mësuan Enver Hoxhën që me çdo kusht të luftonte që PKSH-ja të zbatonte pa hezitim parimin e “Luftës së klasave”, luftës për asgjësimin e të gjitha forcave politike e ushtarake dhe të individëve që nuk përputheshin me vijën politike të PKSH-së. Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës, PKSH-ja filloi veprimet për t'u shpallur si forca e vetme luftarake antifashiste me qëllim që të merrte në fund të Luftës Antifashiste pushtetin si forcë e vetme politike. Kështu ajo arriti që në fund të L2B të delte fitimtare dhe të instalonte qeverinë e vet komuniste. Kjo qeveri e konsideroi luftën e klasave motor lëvizës të shoqërisë shqiptare, pa menduar se kjo lloj politike dëmtonte unitetin kombëtar dhe nuk sillte çlirimin e forcave të brendshme të kombit për t'u mobilizuar për zhvillimin e vendit. Enver Hoxha, thirrjet e rilindasve “Atdheu mbi të gjitha”, “E jap jetën për atdheun” i zëvendësoi me parullat “Partia mbi të gjitha”, “E jap jetën për partinë”. Sipas tij partia ishte më e rëndësishme se atdheu.

Me arrestime, burgime, internime, pushkatime të atyre që mendonin ndryshe, ose që i dukeshin Enver Hoxhës se mendonin ndryshe, vijoi sundimi i diktaturës së proletariatit deri në vitet 1990-1991, kur u pranua kapitullimi i këtij regjimi dhe tek ne.

Në vitin 1992 intelektualë të shquar shqiptarë menduan se erdhi koha që politika shqiptare të largohej nga urrejtja që kishte mbjellë politike e luftës së klasave dhe të ndiqej një politikë humane për të realizuar pajtimin midis persekutuesve dhe të persekutuarve, pra për të arritur paqësisht tek uniteti kombëtar, aq i nevojshëm për popullin tonë të përçarë nga ideologjia komuniste.

Para se të largohej nga jeta në mars 1992, Martin Camaj, poeti i lartësive, si e quan Frank Shkreli, shkroi:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

Mesazh human që dëshmonte se poeti qëndronte larg hakmarrjes, larg inatit e zemërimit që mund t'i shkaktonin një njeriu të zakonshëm përndjekja dhe mohimi që i kishte bërë regjimi komunist.

Po ashtu, luftëtari i të drejtave të njeriut, Profesor Sami Repishti, ish i burgosur, në gusht 1992 shkoi nga Amerika në Shqipëri për të ndihmuar në ecurinë e proceseve për demokratizimin e jetës e të pushtetit. Sapo zbriti në Rinas ai deklaroi para gazetarëve: 'Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri'.

Studiuesi i talentuar, Profesor Rexhep Qosja, shkoi nga Prishtina në Tiranë për të diskutuar mundësinë e arritjes së pajtimit kombëtar midis përndjekësve dhe të përndjekurve. Nga Parisi shkroi dhe Ismail Kadareja për këtë problem. Mirëpo Partia Socialiste, forca politike që mbante në gjirin e vet ish-komunistët dikur të pushtetshëm në formacionet e PPSH-së, të shtetit dhe të Sigurimit, nuk kërkoi të falur për bëmat kriminale dhe gabimet e shumta që kishin shkaktuar lëndime të rënda në më shumë se një të tretën e popullit. Gjatë vitit 1992 e më vonë, kur kishte ardhur koha e tyre, të përndjekurit nuk shprehën asnjëherë ndjenja hakmarrjeje ose revanshi. Visar Zhiti, Atë Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Lek Pervizi, Lazër e Jozef Radi e shumë të dënuar të tjerë botuan vepra memuaristike, poezi, analiza e romane, ku zotëronte humanizmi dhe jo urrejtja klasore. Por, përderisa shkaktarët e krimeve nuk kërkuan të falur, viktimat nuk kishin si dhe pse t'i falnin përndjekësit e tyre të papenduar. Kështu në shoqërinë shqiptare paskomuniste nuk u arrit pajtimi kombëtar për shkak se në Partinë Socialiste nuk pati intelektualë largpamës që të ngriheshin mbi urrejtjen klasore dhe të vlerësonin si duhej nacionalistët, ballistët, legalistët dhe dëshmorët e tyre që ranë gjatë Luftës Antifashiste nuk u vendosën në panteonin e Vorrezave të Kombit. Për fat të keq edhe Partia Demokratike, Partia Republikane etj të mbushura me ish-komunistë e ish-sigurimsa, nuk patën intelektualë vizionarë për të gjetur rrugën e pajtimit kombëtar. Lufta e dikurshme e klasave nuk u shua, nacionalistët, ballistët e legalistët urreheshin si më parë. Madje tashmë parimi i luftës së klasave u pasurua me luftën midis anëtarëve e simpatizantëve të partive të reja politike. Anëtarët dhe simpatizantët e PS-së sulmonin me sharje e shpifje anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, PR-së dhe anasjelltas.

Kjo luftë vijon dhe sot duke e gërryer shoqërinë shqiptare si kanceri. Kjo luftë pas vitit 1992, kur u ndërrua regjimi ka qenë dhe është absurde. Atë e mban gjallë plani Katovica, i cili duhet shkatërruar bashkë me klasën e korruptuar politike, që e zbaton. Uroj që Vetingu dhe Reforma në Drejtësi ta shpëtojë politikën shqiptare nga mendësia e luftës së klasave dhe korrupsioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat