Mos e pritni, ai nuk ka për të ardhur!

Kultura

Mos e pritni, ai nuk ka për të ardhur!

Nga: Prof. Dr. Eshref Ymeri Më: 26 korrik 2019 Në ora: 23:35
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Në faqen e Portalit “Syri.net” të datës 24 korrik, një Portal ky me orientim kombëtar, lexova shënimin me titull:

“Godet artisti Avni Delvina: 'Tienanmeni shqiptar dhe i munguari i madh'”.

Në atë shënim thuhej:

“Artisti i njohur Avni Delvina, i frymëzuar nga ngjarjet e orëve të fundit të Teatri Kombëtar, publikon grafikën e radhës. Nën titullin “Tienanmeni shqiptar dhe i munguari i madh”, Delvina i bashkohet mendimit të regjisorit Edmond Budina, i cili i bëri një thirrje publike shkrimtarit të madh Ismail Kadare”.

Në atë grafikë paraqitet artisti Edmond Budina, që e ka hipur Kadarenë kalaqafë dhe e ka mbërthyer nga të dyja duart, të cilat ia ka ngritur lart anash.

Ja thirrja e artistit të shquar Edmond Budina:

“Hajde këtu, Ismail Kadare. Hajde se po na tërheqin zvarrë. Na kanë rrethuar si romanin “Kështjella” dhe po na trajtojnë si të jemi kafshë. Në këtë skenë kemi vënë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, “Kush e solli Doruntinën”. Hajde këtu në sheshin e Teatrit”.

Dhe më poshtë, për artistin Edmond Budina thuhet:

“Në një moment, i tronditur përpara gazetarëve, ai i kërkon të prononcohet shkrimtarit të madh Ismail Kadare për Teatrin dhe për situatën dramatike të demokracisë në Shqipëri, por mbështetja e shkrimtarit nuk besoj se do të vijë!!!...”.

Mendova dhe shpresova që pranë artistit me dinjitet të lartë kombëtar, Edmond Budina, do të shikoja të rreshtuar edhe artistët veteranë Robert Ndrenika dhe Bujar Asqeriu. Çuditërisht, ata nuk u panë gjëkundi. Me sa duket, paskan hequr dorë nga mbrojtja e dikurshme e zjarrtë që i bënin Teatrit Kombëtar. Sipas të gjitha gjasave, ata, ndoshta, janë duke bërë prova për ndonjë shfaqje teatrore, ku do të luajnë rolet e dy mercenarëve, servilë të Ramës. Aq më tepër që Robert Ndrenika e vërtetoi me fakte se e ka kthyer pllakën dhe mercenarizmin e vet e dëshmoi më 30 qershor me votën që hodhi në shërbim të Ramës.

Sigurisht që Kadarea, i nderuar artist i shquar, Edmond Budina, dhe të gjithë Ju, artistë të nderuar të Teatrit Kombëtar, që po e mbroni me vetëmohim Fortesën e artit Tuaj të shtrenjtë dhe që unë po Ju përcjell së largu gjithë përkrahjen time me shpirt dhe me zemër, nuk ka për të ardhur kurrë pranë jush. Me këtë rast, përshëndes ngrohtësisht artistin e talentuar Avni Delvina për grafikën e shkëlqyer me një domethënie të thellë, në përkrahje të artistëve të Teatrit Kombëtar.

Ndokush nga artistët mund të pyes:

Po pse nuk vjen Kadarea pranë artistëve të Teatrit Kombëtar? Mirë që nuk vjen, po pse nuk e ngre zërin që nga Parisi në përkrahje të artistëve që kanë shkrirë jetën në atë Teatër?

Përgjigjja është e thjeshtë:

Kadarea nuk vjen se kundër artistëve të Teatrit Kombëtar është politika zyrtare. Dhe Kadarea gjithmonë ka dalë në përkrahje të politikës zyrtare. Dje, në kushtet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, Kadarea ka qenë në sinkron të plotë me politikën e Enver Hoxhës kundër imperializmit amerikan, pa ia kërkuar kush një gjë të tillë. Le të bëjmë një shtegtim prapa në kohë dhe të ndalemi në vitin 1971. Asokohe, në Nju Jork, u zhvillua një kongres i rinisë botërore, ku mori pjesë edhe një delegacion i rinisë shqiptare. Në radhët e delegatëve të rinisë shqiptare ishte edhe Kadarea. Kur u kthye nga Nju Jorku, në gazetën “Zëri i Popullit, Kadarea botoi esenë e gjatë me titull “Një botë në rënie”. Kjo ese është përmbledhur në serinë e botimeve “Vepra Letrare” të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, vëll. 12, f. 271-294.

Nga kjo ese po citoj vetëm një fragment të shkurtër:

“Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini”.

Është krejt e kuptueshme se Kadarea nuk mund të dilte kundër politikës së Enver Hoxhës ndaj imperializmit amerikan, se absolutisht askush nuk dëshironte që Kadarea të binte pre e diktatorit. Por kjo nuk do të thotë aspak që ai t’i ofronte opinionit publik të pavërteta kaq të tejdukshme, të cilat askush nuk i besonte.

Filozofi gjerman Frederik Niçe (Friedrich Wilhelm Nietzsche - 1844-1900) thotë:

“Unë jam i tronditur jo se ti më the një të pavërtetë, unë jam i tronditur se tani e tutje nuk mund të të besoj më”.

Eseja e Kadaresë, e cila përcjell fund e krye të pavërteta të kulluara, ishte shërbimi më i shkëlqyer që ai i bënte politikës së Enver Hoxhës kundër imperializmit amerikan, paçka se një shërbim të till nuk ia kishte lypur kush dhe, aq më tepër, nuk e kishte detyruar kush për ta shkruar. Ai e pati shkruar thjesht për shkak të servilizmit shembullor, të cilin kërkonte ta shfaqte publikisht para diktatorit Enver Hoxha. Kjo ese i shërbente Kadaresë si një “pasaportë politike” për t’i bërë qejfin diktatorit Enver Hoxha në sulmet që ky ndërmerrte kundër imperializmit amerikan. Por problemi nuk është aq shqetësues se pse Kadarea e shkroi atë ese aq të gjatë dhe me një mori të pavërtetash. Problemi është se pas zëvendësimit të sistemit, ai nuk gjeti forca brenda vetes për ta ksibërë atë ese, të pendohej dhe të kërkonte ndjesë haptas para opinionit publik shqiptar. Sepse, në të vërtetë, drejt rënies shkoi bota komuniste në Shqipëri dhe në vendet e Evropës Lindore dhe jo bota amerikane.

Edhe në sistemin neokomunist që u vendos pas zëvendësimit të sistemit komunist, Kadarea përsëri është pozicionuar në përkrahje të politikës zyrtare majtiste, madje edhe në ato raste kur e majta shqiptare ka qenë në opozitë. Ja një fakt konkret.

Kur ende s’kishte dalë rezultati i zgjedhjeve vendore të 08 majit 2011 për postin e Kryetarit të Bashkisë për Tiranën, Kadarea i drejtohej me një letër të hapur Lulzim Bashës për të hequr dorë nga kandidimi, paçka se Rama po kandidonte për të katërtën herë për atë post. Ajo letër, e botuar në faqen e internetit të gazetës “Panorama” të datës 21 maj 2011, me titull “Kadare, letër Bashës: Tërhiqu nga kandidimi”, ishte një përkrahje publike që Kadarea i bënte së majtës shqiptare dhe kryesisht Edi Ramës.

Ja si shprehej një banor i moshuar i qytetit të Kukësit në qershor të vitit 2015:

“Edi Rama i çoi djemtë në kurbet me gjithë gra e fëmijë, edhe pse s’ka luftë në Shqipni. Edhe përpara kanë ikë djemtë në kurbet, por jo me gra e fëmijë. Tash veç qyqja asht mangut me knue në shpiat tona… Na votuam Edi Ramën dhe, qe, djemtë po ikin tash me gjithë gra e fëmijë. A me ikë edhe fëmijët në kurbet e votuam Edi ramën? (Citohet sipas: Rexhep Shahu “T’u shtoftë jeta, qeveri”.

Rreth katër muaj më pas, eurodeputetja Doris Pak (Pack) deklaronte:

“Pashë shifrat e azikërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj se ka një lidhje me situatën politike” 

Po Kadarea ç’qëndrim mbante ndaj largimit masiv të njerëzve nga vendi? Le të njihemi me një deklaratë të tij të vitit 2016:

“Është e natyrshme që pas një periudhe jashtëzakonisht të egër të izolimit të vinte ky pasion, shpesh me arsye, pasi nuk është pa arsye sigurisht, por edhe pakëz e kthyer në modë” 

Me këtë deklaratë, Kadarea i vinte në osh qeverisjes socialiste të Ramës, sepse arsyet e largimit të njerëzve drejt vendeve perëndimore ai i shikonte jo te mjerimi që i kishte pllakosur për shkak të politikës varfëruese antikombëtare që ndiqte kryeministri Rama, por tek izolimi i egër, i cili ishte kapëcyer 26 vjet më parë. Madje, sipas tij, largimi i njerëzve na qenkej kthyer pakëz në modë!!! Ky ishte shërbimi më domethënës që Kadarea i bënte politikës zyrtare dhe Ramës personalisht.

Në një artikull, të botuar më 07 maj 2017 kundër ambasadores së Bashkimit Evropian Romana Vlahutin, gazetari dhe publicisti Kastriot Myftaraj shkruante se Romana nuk flet kurrë për shndërrimin e Shqipërisë në një plantacion gjigant droge, nga ku droga përmbyt Bashkimin Europian. Pra, me heshtjen e saj, ambasadorja Vlahutin bëhej mburojë e Edi Ramës, paçka se gjiganti amerikan “Forbes”, njëra nga revistat amerikane ekonomiko-financiare më me autoritet në botë, media franceze“Reporterre.net”, me reportazhin e titulluar “Europa ka një prodhues të madh të kanabisit: Shqipërinë”, mjetet italiane dhe gjermane të informimit masiv etj, jepnin alarmin për drogën që lulëzonte në mbarë Shqipërinë.

Por, çuditërisht, Kadarea, në një letër publike që i drejtonte asokohe ambasadores Vlahutin, shkruante:

“E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacenueshme” 

Është me të vërtetë për të ardhur keq që, sot, kur artistët e Teatrit Kombëtar kanë një shqetësim të madh për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, nuk gjejnë përkrahjen e Kadaresë, që, me heshtjen e tij, është rreshtuar përkrah Ramës, për të cilin gazetari Enver Robelli shkruan:

“Që nga viti 2013 Edi Rama ka kaluar nëpër një metamorfozë të rrezikshme,.. ai është shndërruar në politikan gjuhënepërkë që sillet si pronar i Shqipërisë...

Sot është vetëm një politikan pa vizion që vrapon pas agjendave gjeopolitike të presidentit serb, atij rus dhe atij turk”.

Dhe më poshtë gazetari Robelli vazhdon:

“Siç po shihet, Edi Rama ka nisur projektin e tij për krijimin e një Partie Socialiste të re, Partia e Surrelit (PS), aty ku shkojnë të marrin dorë të nënshtruarit e PS-së, si ato nuset e shkreta te novela “Vjeshta e Xheladin Beut”, të shkruar me aq mjeshtëri nga Mitrush Kuteli. Këtë parti, PS-në e Surrelit, le ta gëzojë Edi Rama. Shqipëria nuk ka nevojë për një PS, ku vendimet i merr një njeri,.. ku një njeri nuk ka çfarë i ofron më politikës, vendit dhe shoqërisë, përveç çitjaneve të tij dhe aferave korruptive” 

Artistët e Teatrit Kombëtar kanë shumë të drejtë të kërkojnë përkrahjen e Kadaresë për mbrojtjen e kauzës së tyre të drejtë. Ata, si mjeshtër të artit skenik, kërkojnë mbështetjen e Kadaresë, si mjeshtër i fjalës artistike. Por, fatkeqësisht, Kadarea nuk u vjen dot në ndihmë, sepse ka kohë që është rreshtuar në krah të kryeministrit Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat