Qeveritë e Mbretit Zog për çështjen kombëtare  

Kultura

Qeveritë e Mbretit Zog për çështjen kombëtare  

Nga: Lush Culaj Më: 27 korrik 2019 Në ora: 07:29
Lush Culaj

Zogu e kishte mbështetur pavarësinë e Shqipërisë të vitit 1912 të shpallur në Vlorë. Ai u ndodh aty përkrah përfa­që­suesve kosovarë të emigruar nga Kosova dhe viset tjera shqiptare, e cila gjithashtu kishte synim krijimin dhe konso­lidimin e shtetit shqiptar.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1912-1913 mori vëndim për krijimin e shtetit shqiptar. Shqipërina nuk u njoh në kufijtë  etnikë por në kufijtë e diktuar nga përplasja e interesave të Fuqive të Mëdha. Kosova mbeti nën sundimin serb kurse Çameria nën sundimin grek.  Këto vëndime u kundërshtuan nga Qeveria e Vlorës dhe nga popullsia shqiptare në trojet etnike në Serbi e Greçi. Në rethanat e krijuara në Shqipërisë londineze ishte grumbulluar një numër i madh i të shpërngulurve nga Kosova ku dalloheshin udhë­he­qësit e kryengritjeve të Kosovës para shpalljes së pavarësisë, si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, të cilët nuk i njo­hën vendimet e Londrës mbi kufijtë e Shqipërisë. Ata krijuan një rrymë të fortë në Shqipëri, që përmes kryengritjes së arma­tosur luftoi për çlirim nga pushtimi serb, me qëllim ba­shkimin e atyre viseve me Shqipërinë e pavarur.

Lufta e Parë Botërore 1914-1918 e solli në pikëpyetje pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria u pushtua si nga trupat e fuqive Qendrore ashtu edhe nga trupat e Antantës. Pas përfundimit të luftës të parë botërore në Paris duhej të fillonte Konferenca e Paqes. Si impo­nim i rrethanave në fund të dhjetorit 1918, në Shqipëri u formua qeveria e Du­rrësit nën udhëheqjen e Turhan Pashë Mehmetit. Kongresi i Durrësit u shpreh jo vetëm për pavarësinë e Shqipërisë së vitit 1913 të përcaktuar në Londër, por edhe për rishikimin e kufijve në favor të saj. Keto përpjekje rrënoheshin nga Serbia e zmadhuar në Konferencën e Parisit 1919-1920 dhe e bërë Mbretëria Serbo Kroato-Sllovene. Edhe Konferenca e Parisit vendosi që Shqipëria pak a shumë të njihej në kufijtë e Konferencës të Londrës. Shqipëria jo që e zgjidhi çështjen kombëtare por duhej të përpiqej për ruajtjen e kufijve londinez. Qeveria italiane e pranoi dështimin e saj në Shqipëri dhe më 2 gusht 1920  e nënshkroi në Tiranë një protokoll përmes të cilit respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Në rrethanat e krijuara pas luftës të parë botërore Presidenti amerikan Wilson ishte i interesuar  që të krijohej Lidhja e Kombeve. Me 17 dhjetorit 1920  Shqipëria u bë anëtare e Lidhjës të Kombëve. Vendimi i 9 nëntorit 1921 i Konferencës së Ambasadorëve e përcaktoi definitivisht ekzistencën e Shqipërisë si shtet autonom dhe sovran. Në rrethanat e krijuara kjo mund të konsiderohet sukses ngase tani të paktën Shqipëria mund të apelonte te Lidhja  e Kombeve që qeveritë e Beogradit dhe Athinës ta respektonin angazhimin që kishin marrë përballë Lidhjes së Kombeve ndaj shqiptarëve në shtetet e tyre.

Politikanët e Kosovës i ashpërsuan mardhënjët me Ahmet Zogun në fund të vitit 1921. Hasan Prishtina i cili ishte berë kryeministër i Shqipërisë në dhjetor 1921 beri përpjekje që ta suspendonte Zogun, mirëpo qe i detyruar vetë të jepte dorëheqje. Zogu tashmë ishte berë armik  i kryengritësve dhe i irridentistëve të Kosovës.

Këshilli i Lartë, më 2 dhjetor 1922, e caktoi Ahmet Zo­gun në postin e kryeministrit, duke e mbajtur njëkohësisht edhe postin e ministrit të Brendshëm. Në moshën 27-vjeçare Zogu kishte arritur postin më të lartë qeveritar që mund t'i ofronte Shqipëria.

Qeveria e re shqiptare e udhëhequr nga Ahmet Zogu prioritet iu dha zgjidhjeve të problemeve me Jugosllavinë. Në janar të vitit 1923 ajo dërgoi atje përfaqësues gjeneralin Ali Riza Kolonjën. Një veprim i tillë u mirëprit nga Beogradi, si gatishmëri e Zogut për fqinjësi të mirë."

Maksima e Zogut ishte se Shqipëria si shtet i vogël, ishte e domosdoshme që të udhëhiqte politikë të jasht­me të qartë dhe pa iluzione. Për ta realizuar këtë, sipas Zogut, Shqipëria duhej t’ua respektonte pavarësinë e integritetin shte­teve fqinje, në mënyrë që edhe ato ta respektonin pa­va­rë­sinë dhe integritetin e Shqipërisë. Motoja e tij përfaqësonte një sistem pikëpamjesh jonacionaliste. Ai kishte parimet e politikës reale, parimet e marrjes e të ruajtjes dhe forcimit të pushtetit politik.  Duke llogaritur se nuk duhet vazhduar menjëherë veprimtaria politike, përfshirë edhe luftën e arma­tosur dhe me të gjitha mjetet i quante "aventurizëm politik dhe iluzion politik".  "Qeveria shqiptare nuk dëshironte që çështja e Kosovës, siç deklaroi ajo më 25 shkurt 1923, "të turbullonte marrëdhëniet miqësore" midis dy vendeve, por përkundrazi të ishte një faktor që do t'i forconte më tej ato". Megjithatë, Qeveria shqiptare ishte kundër diskriminimit që u bëhej shqiptarëve jashtë kufijve të saj dhe i gjykonte përpjekjet për shtypje përmes dhunës të kryen­gritjeve shqiptare si dhe dëbimin e shqiptarëve në Turqi.  Qeveria shqiptare e Zogut kërkoi ndërprerjen të këtyre sje­lljeve shtypëse. Jugosllavia iu përgjigj se e konsideronte pro­­blemin e Kosovës si problem të brendshëm, duke gjykuar përzierjen e Qeverisë shqiptare në këtë çështje. Qeveria e Beo­gradit, në mars 1923, kërkonte neutralizimin e veprim­ta­risë së emigracionit kosovar në Shqipëri.

 Për shkak të stabilitetit të brendshëm të Shqipërisë nga fundi i vitit 1923 Zogu si kryeministër e dërgoi ushtrinë shqiptare në Zonën Neutrale të Junikut duke i përzënë forcat shqiptare që udhëhiqeshin nga kosovarët në krye me Hasan Prishtinën.

Zogu qëndroi në postin e kryeministrit rreth 15 muaj dhe  ky fakt edhe mund të konsiderohet si sukses, sidomos po të bazohemi në faktin se në periudhën midis viteve 1920-1922 Shqipëria ndërroi jo më pak se shtatë qeveri.

Pas rënies së Qeverisë së Nolit, më 24 dhjetor 1924 Zogu u rikthye në Tiranë. Nacionalistët kosovarë ishin kundër rikthimit të tij sepse në mes tyre kishte mospajtime politike. Në fjalimin inaugurues të 18 janarit 1925, Zogu e cilëson kryengritjen e qershorit si lëvizje komuniste dhe apelon për luftë kundër kësaj doktrine të rrezikshme.

Mosmarrëveshjet e Zogut me kosovarët në Shqipëri vazhduan edhe pas rikthimit të Zogut nga Beogradi. Si dukët ai i kishte premtuar Beogradit se do ta ndalonte veprimtarinë e Komitetit të Kosovës. Në fakt pas rikthimit të tij një pjesë e madhe e elitës politike kosovare të ven­dosur në Shqi­përi, për shkak të kundërvënies ndaj grupimit të Zogut, ndodhej para dy alternativash: të emigronte ose të nën­shtrohej. Janë të njohura faktet që dëshmojnë për ndërprerjen e veprimtarisë së Komitetit të Kosovës, personalitetet kryesore të të cilit ishin rreshtuar përkrah opozitës në vitet 1921-1924 dhe kishin mbështetur Qeverinë e Nolit. Në fakt, ndërprerja e veprimtarisë të Kom­itetit të Ko­so­vës nuk mund të thuhet se është vendim i duhur politik i Zogut, por realisht, para rikthimit të tij, një pjesë e konsi­derueshme e anëtarëve të këtij Komiteti kishin emigruar ose ishin në ilegalitet. Hasan Prishtina iku në Vjenë. Megjithatë, Hasan Prishtina edhe pas vitit 1924 nuk i kishte ndaluar përpjekjet për likui­dimin e Ahmet Zogut dhe destabilizimin e regjimit të tij. Zogu, du­ke pasur qëllim stabilizimin e shtetit, që për rrethanat ak­tuale ishte domosdoshmëri, kishte papajtueshmëri me nacio­nalistët ko­so­varë, që problemin e Kosovës e shihnin me emocione dhe jo nga mundësitë reale të shtetit shqiptar.

Ai u përpoq të krijonte profilin e një udhëheqësi jonacionalist shqiptar për të mos i shkaktuar telashe politikës së Jugosllavisë dhe Greqisë. Megjithatë, ai nuk mund të quhej njeri i jugosllavëve.

Zogu i kishte bërë të gjitha përpjekjet për t'i bindur italianët se nuk ishte vegël e Beogradit, duke u prononcuar për marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje. Në bazë të nuhatjes së hollë diplomatike që posedonte Zogu, ai ndihej më i sigurt kur lidhte marrëdhënie me shtete më të mëdha dhe që gjeografikisht ishin larg. Në fakt, Zogu tani kishte hedhur shikimin drejt Italisë.

Ndonëse filloj orjentimin nga Italia ai përpiqej të paraqitej para jugosllaveve sikur nuk ishin për ndërprerjen e mardhënjeve me ta.

Për t'iu kundër­vënë Zogut, Qeveria e Beogradit u sugjeroi italianëve që ta ndanin Shqipërinë mes tyre. Meqë Italia kishte siguruar pozita favorizuese nuk u pajtua me këtë propo­zim, ndërkaq, për t'iu kundërvënë jugosllavëve, Zogu, nga 23 deri më 26 gusht, pranoi marrëveshjen e fshehtë ushtarake me Italinë. Në këtë pakt sekret ndër të tjera theksohej: "Sa herë që pavarësia dhe integriteti të vihen në rrezik nga ndonjë shtet ballkanik, Qeveria italiane detyrohet të ndihmojë moralisht dhe materialisht Shqipërinë dhe regjimin e Zogut". Ai arriti të marrë nga Italia një garanci nga kërcënimi i mundshëm ushtarak jugosllav, e madje edhe që ta fitonte të drejtën e përfshirjes së Italisë në luftë me shpresë që t’i shkë­puste territoret shqiptare në Jugosllavi.

Ftohja e marrëdhënieve me Beogradin i kishte shtuar vuajtjet e shqiptarëve në Jugosllavi. Më 12 shtator 1925, për­faqësuesi i Ambasadës shqiptare në Beograd i drejtohet Mi­nis­trisë së Jashtme në Tiranë, me ç’rast kërkon që të ndër­merren masa pranë Lidhjes së Kombeve që të marrin fund persekutimet e shqiptarëve në Jugosllavi. Presidenti Zogu, më 20 tetor 1925, deklaroi faljen e përgjithshme, duke i ftuar ish-kryengritësit të ktheheshin në atdhe.  Ai nuk ngurroi t'i përmirësonte marrëdhëniet edhe me Greqinë, por megjithatë në fundin e vitit 1925 dhe fillimin e vitit 1926 marrëdhëniet filluan të keqësoheshin për shkak të shko­m­bëtarizimit të shqiptarëve në Greqi.

Më 27 nëntor 1926, në Tiranë, u nënshkrua Pakti italo-shqiptar i njohur me emrin Pakti i parë i Tiranës.

Qeveritë e Mberit Zog për çeshtjën kombëtare nga monarkia deri te pushtimi i Shqipërisë

Edhe në vitet e para pas rikthimit, politika e Zogut synonte fillimisht konsolidimin e regjimit të tij.  Megjithatë Shqipëria u bë strehë për emi­gracionin po­litik kosovar të çdo niveli gjatë viteve 1925-1939.

Personalitete të ndryshme nga Kosova, të cilët i plotë­so­nin kriteret u emëruan në poste të ndryshme civile e ushtarake. Për trajtimin e kësaj çështjeje, shtrohen dy pyetje: E para, se cilat ishin raportet e Zogut me elitën politike koso­va­re  deri në vitin 1939?

E dyta, në kuadrin e politikës së jashtme e të brend­shme të Zogut si trajtoheshin dhe çfarë vendi zinin shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi nga shteti shqiptar? Natyrisht se mund të ngrihen edhe pyetje të tjera, por këto janë ato bazike dhe të mjaftueshme për të argu­mentuar qëndrimin e  Ahmet Zogu ndaj problemit kombëtar.

Më 1 shtator 1928 u aprovua kushtetuta e re, që e shpallte Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme, me mbret të shqiptarëve, Naltmadhërinë e tij Zogu I.  Kushtetuta e re i dha kurorës mbretërore kom­petenca të mëdha në fushën e politikës së brendshme dhe të jashtme. Kurorëzimi i Ahmet Zogut "mbret i shqiptarëve" dhe jo "mbret i Shqipërisë", që u referohej edhe shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve të shtetit shqiptar, shkaktoi reagime në Qeverinë e Beogradit, e cila shihte pretendimet për t’i përfshirë nën kurorën e tij popullsinë dhe territoret shqip­ta­re që ndodheshin në kuadër të Jugosllavisë. Qeveria jugo­sllave u përpoq që Zogu ta ndërronte titu­llin e tij në "Mbret i Shqipërisë". Pasi u bind se nuk ka mbështetje ndërkombëtare, Beogradi u detyrua ta pranonte titullin e mbre­­tit, i cili me asgjë nuk dallonte nga ata që i bartnin ho­mologët e tij në Ballkan e gjetiu. SHBA-ja ishte ndër të parat që e njohu Zogun për mbret. Njohja aq e shpejtë e regjimit monarkist në Shqipëri nga Qeveria e Washingtonit nuk befasoi vetëm Zogun, por në radhë të parë Anglinë dhe Francën, dy vende me tradita monarkiste, që mendonin se Shqi­­përia nuk para­qiste interes për politikën amerikane.

Para së gjithash, Zogu arriti njëfarë uniteti të vendit, duke krijuar rend nga anarkia, por edhe push­teti i tij karakterizohej nga korrupsioni dhe nga papër­gjegjësia,  Edhe Italia, duke njohur ambi­ciet e Zogut dhe duke e shfrytë­zuar vartësinë e tij nga ajo, e mbështeste këtë gjë. Ajo ishte aleati kryesor i Shqipërisë nga viti 1928-1939. Atdhe­tarët shqiptarë, e madje edhe mbreti Zogu, e shihnin rrezikun që i kanosej nga fqinji i fuqishëm i përtej Adriatikut, por rrethanat politike i detyronin të kishin një aleat të tillë. Nga ana tjetër, Jugosllavia mbante të push­tuar shumë treva dhe bashk­at­dhetarë tanë dhe prapë as kjo nuk i mjaftonte. Ata në vazhdi­mësi ngritën kurthe dhe turbu­llira në Shqipëri.

Politika e Zogut, sidomos politika e jashtme mund të gjykohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë ai ishte frymëzuesi dhe shpirtdhënësi i Shqi­përisë moderne. Në aspektin se çfarë bëri Zogu për të krijuar një politikë prokosovare, duket se karakterizohet nga një dimen­si­on i zbehtë.

Shumë studiues të historiografisë shqiptare i përm­ba­hen mendimit se Zogu ka luftuar nacionalistët shqiptarë të lidhur me Kosovën deri në eliminim fizik. Në fakt, historia e atentateve politike në jetën e shqiptareve të viteve 20-30 është shumë e diskutueshme. Mund të besohet se Zogu i ka lloga­ri­tur ato si mjete mbijetese, kështu që ai u është kundër­për­gjigjur  dy herë atentateve, pas atentatit që ia bënë më 1923 para Kuvëndit të Shqipërisë dhe pas atentatit që ia bënë në Vjenë më 1931. Vrasja e Hasan Prishtinës është më e komentuara dhe më e dhimbshmja për nacionalistët kosovarë. Ai përpiqej që përmes atentateve ta likuidonte Zogun. Megjithatë, likui­dimi i Hasan Prishtinës më 14 gusht 1933 në Selanik të Greçisë u krye nëntë vite pas rikthimit të Zogut, kur ai e kishte pushtetin e brendshëm bukur të konsoliduar. Vrasja u krye në momen­tin kur marrë­dhëniet shqiptaro-italiane ishin në acarim  dhe ai si udhëheqës i nacionalizmit kosovar mund të llogaritej nga Qeveria e Italisë si zëvendësues i mundshëm i  Zogut në Tiranë.

Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave acaroheshin herë pas here edhe për shkak të masave të emigrantëve politikë që kalonin nga Jugosllavia në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo ishte një ndër çështjet për të cilat  qeveria e Beogradit e akuzonte qeverinë e Tiranës për mungesë sinqeriteti dhe bishtrim për rregullimin e çështjes së emigracionit politik kosovar.

Në fakt duke mos e harruar  barrën e problemit të pazgji­dhur kombëtar, që rëndonte mbi  qeveritë e Zogut me dekretet që nxorën për vëllezërit e tyre, do të bënin që t'iu lehtësohet vuajtja mijëra muhaxhirëve të përzënë nga tokat e tyre në këtë shtet. Dekreti për dhënie tokash si dhe ndihma në franga ari do të fliste shumë. Dek­retligji mbi Vendosjen e emigrantëve të vitit 1931 (2 shtator 1931) në zbatimin e së cilës (në krye të Drejtorisë për In­sta­li­min e Emigrantëve) u caktua pikërisht një shqiptar nga Ko­sova, Sali Vuçiterna, ish-ministër i Punëve Botore në dy qeveri (në Qeverinë e A. Zogut ishte  dëshmi e synimit dhe e përpjekjeve të sipërpërmendura, që u konkretizua me siste­mimin kryesisht në toka-prona të shtetit shqiptar të mijëra familjeve nga Kosova e vise tjera shqiptare në Jugosllavi përkatësisht të mbi 20.000 të shpërngulur nga viset shqiptare në Jugosllavi. Në vitet 30, vëmendja ndaj ele­men­tit shqiptar në Jugosllavi nuk u shkëput për asnjë moment.

Takimet e Zogut në vitet 1930- 1933 etj. me krerë kosovarë, gjegjësisht emi­grantë, si p.sh. me Bedri Pejanin etj., apo pritja e një de­legacioni të lëvizjes kosovare në vitin 1933 dhe oferta për bashkëpunim “për hir të atdheut” etj., dëshmojnë rritjen e përpjekjeve të qeverive të Shqipërisë të asaj periudhe në të mirë të çështjes së Kosovës. Aleanca jo fort e dukshme midis Tiranës zyrtare dhe Komitetit të Ko­sovës në këtë periudhë vërehet ndër të tjera, edhe në rolin jo të vogël të Qeverisë shqiptare për botim në Konstancë (Rumani) të gazetës “Kosova” (nga maji 1932-qershor 1933) si një organ për të sensibilizuar opinionin për çështjen e Ko­sovës, e gjithashtu në aktivizimin e Bedri Pejanit në dele­gacionet jozyrtare shqiptare në disa konferenca ballkanike etj.

Shteti shqiptar, në kuadër të kësaj politike, gjatë viteve 1925-1939 u bë strehë për emigracionin politik kosovar të çdo niveli. (Përmendim p.sh. rastin e tre klerikëve katolikë të arratisur nga Jugosllavia, Shtjefën Kurtit, Gjon Bisakut dhe Luigj Gashit, pas vrasjes atje të At Shtjefën Gjeçovit, si dhe dërgi­min prej tyre më 1930 në adresë të sekretarit  të Lidhjes së Kombeve, Erik Drynondit, të një promemorieje të detajuar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve atje etj.).

Edhe personalitete të elitës shqiptare nga Kosova, që jetonin në Jugosllavi, patën mbështetje në mënyra të ndryshme nga Qeveritë e Zogut.  Ferhat Draga një mbrojtësi të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi  financohej nga Shqipëria përmes ambasadës në Beograd për të mos u penguar në përpjekjet për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve. Këtë e dëshmon edhe Ambasada e Shqipërisë në Beograd më 23 mars 1936, e cila i raportonte ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Asllani për nevojat e  Ferhat Dragës

Për shkak të brishtësisë të Shqipërisë veprimi dhe për­pjekja e vetme që mund të bëhej në ato rrethana ishte të ndër­me­rreshin hapa në arenën ndërkombëtare që të frenohej dhuna dhe keqtrajtimi mbi shqiptarët. Realisht në rrethanat ekzistuese kjo ishte mundësia e vetme e shtetit shqiptar. Qe­ve­ritë e Zogut përpiqeshin të mbanin të gjallë frymën kom­bëtare atje dhe të pengohej, sa të ishte e mundur, politika e  shpronësimit, e shpërnguljes dhe e kolonizimit serbo-malazez në viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi. Rol të veçantë pati  veprimtaria e përfaqësive diplomatike shqiptare, ve­çanërisht në Shkup, kryekonsullata, në Manastir, konsu­lla­ta, në Beo­grad,  ambasada, në Selanik,  konsullata, në Stam­boll etj. Edhe shoqëritë intelektuale në Shqipëri ishin në shërbim të kësaj çështjeje. Mbretëria Shqiptare dha kontribut të çmuar në favor të çështjes për Kosovën edhe në fushën e arsimit. Edhe për­kundër mundësive të kufizuara që kishte në periudhën në fja­lë Shqipëria u përpoq për t’u ardhur në ndihmë familjeve të shpër­ngu­lura, për të arsimuar dhe formuar me ide kombëtare elemente të brezit të ri kosovar, si dhe për të kultivuar sa më masivisht në viset shqiptare nën sundimin e huaj ndjenjat më të mira për “shtetin amë” dhe besimin se ai nuk i kishte braktisur.

Nëse shihet më me vëmendje, duket sikur në fund të viteve ’30, pavarësisht kërcënimit italian,  Mbreti Zog e kishte kon­su­muar suksesin qeverisës. Ai kishte qenë një politikan bri­lant dhe një patriot kontribuues deri në vitin 1924. Më pas e bjerri patriotizmin dhe shkëlqimin duke i zëvendësuar këto tipare me cilësitë e një burri shteti nga viti 1924 e deri më 1933. Pas vitit 1936 filloi rënia. I kishte mbetur pak nga frymëzimi i rinisë, i ishte zbehur idealizimi që e kishte bërë djaloshin e ri faktor për krijimin e shtetit shqiptar.

Nga ana tjetër, veprimtaria diplomatike dhe ushtarake gjithnjë në rritje e shteteve fashiste në fund të viteve 30, ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Evropën Juglindore. Në kuadrin e ndarjes së sferave të influencës midis dy vendeve të boshtit Romë-Berlin, Italia shquhej për përparësitë e politikës së saj në drejtim të Ballkanit dhe Mesdheut.

Ambasadori amerikan i cili pasoi Bernshtajnin, Hju Grant (Hugh Grant ) shkruan se disa herë ai ka bërë biseda të gjata me Zogun, me të cilin ka shqyrtuar situatën politike bo­të­rore. Marrëdhëniet e Qeverisë shqiptare me Ambasadën Amerikane në Tiranë në gjysmën e dytë të viteve tridhjetë ishin mjaft të mira, bile mund të thoshin edhe të ngushta.

Zogu është në të njëjtën kohë edhe mik edhe armik, mosbesues dhe befasisht, pastaj, i gatshëm për bashkëpunim, jo fort i prirë për mirënjohje, i kujdesshëm për të kthyer në të mirë të tij planet e bashkëbiseduesit më të fuqishëm, i bindur në vetvete se në marrëdhënie më të tjerët këta janë kurdoherë borxhlinj përpara tij, i sigurt se nuk ka për të pësuar.

Por, cilat veprime mund të konsiderohen jonacionaliste dhe cilat nacionaliste që i përshkruhen politikës të Zogut?

Veprime dhe sjellje politike të regjimit zogist kundër nacionalizmit shqiptar në burimet e shkruara shqipe konside­rohen: ngritja kundër Qeverisë së Hasan Prishtinës, ngase asaj i frikësoheshin se do t'i fuste në luftë me Jugosllavinë (1921); përpjekja për heqjen e mandatit të deputetëve të Kosovës nga grupi parlamentar i tij më 1921; braktisja e çështjes së Koso­vës për shkak të normalizimit të marrëdhënieve me Jugo­sllavinë (1922); shkarkimi i nëpunësve kosovarë nga admi­nistrata shtetërore pas protestave jugosllave (1923); zhbërja e Zonës Neutrale të Junikut (1921-1923) në bashkë­punim me Ushtrinë serbe, me sugjerimin ndërkombëtar dhe për hir të qetësisë në Shqipëri; ndihma për kthimin në pushtet nga Qeveria jugosllave (1924) ndonëse sinjali erdhi nga Anglia; ndalja e veprimtarisë të Komi­tetit të Kosovës, ndonëse ai në një formë ishte jofunksional (1925); kërkimi i ndihmës ekonomike nga Serbia (1925). Profili jonacionalist i presi­dentit Zogu, e më vonë i mbretit Zogu, është zanafilla e gati të gjitha pushteteve poli­tike në Shqipëri ndaj çështjes kom­bë­tare. Kryesisht problemi kombëtar në diplomacinë shqiptare është socializuar, duke e vënë atë në baraspeshë me pro­ble­met e brendshme politike dhe sociale të Shqipërisë. Ahmet Zogu i dha prioritet jona­cionalizmit, si formë për sta­bi­lizimin e shtetit shqiptar. Shumë studiues të historiografisë shqiptare i përmbahen mendimit se Ahmet Zogu i ka luftuar nacional­listët kosovarë deri në eli­mi­nim fizik. Marrë në për­gjithësi, nëse lirohet nga ideo­lo­gjizmat, historia e atentateve politike në jetën shqiptare të viteve 20-30 është shumë e diskutue­shme dhe diskutabile.

Mirëpo, pavarësisht klasifikimit të zogizmit si vijë e antinacionalizmit shqiptar, për çfarë mund t'i bëhen dhe i janë bërë vërejtje të shumta, për t'i vlerësuar dy anët e medaljes duhet vlerësuar veprimet politike zogiste që përkojnë me logjikën e nacionalizmit shqiptar, si: rezistenca e armatosur ndaj ushtrive pushtuese serbe më 1913; kontributi për mbaj­tjën dhe mbroj­tjen e Kongresit të Lushnjës 1920; futja e qy­tetit të Shkodrës nën administratën e Qeverisë së Lushnjës; kontributi në protestën dërguar Konferencës së Paqes në Paris, ku kërkohej Shqipëri etnike; lufta kundër intervencionit jugosllav më 1920; mashtrimi i jugosllavëve më 1925; neni i pestë i paktit sekret me Italinë më 1925: "Nëse operacionet e përbashkëta (shqiptaro-italiane kundër Mbretërisë SKS) do të përfundojnë me marrje të kompensimeve territoriale, Italia detyrohet t'ia japë Shqipërisë territoret e banuara me popullsi në të cilat shumica flet shqip" protesta në Lidhjen e Ko­m­beve ndaj caktimit të kufijve me Greqinë për shkak të njëanshmërisë në dëm të Çamërisë më 1925; demaskimi i kundërshtimit i politikës projugosllave të dhëndrit të tij Cena Beut 1927; caktimi i më­vonshëm i përfaqësuesve diplomatikë në Beograd, të dësh­muar kombëtarisht si p.sh. Rauf Fico, Tahir Shtylla etj; këmbëngulja e përher­shme për reciprocitetet marrëdhëniesh me Greqinë, që për një periudhë relativisht të shkurtër u balancua me njohjen reci­proke të minoritetit shqiptar në Greqi dhe atij grek në Shqi­përi më 1926; ngritja e problemit çam më 1927; dërgimi në Athinë i Xh. Vilës dhe M. Tutolanit bashkë me letrën qeve­ritare drejtuar ministrit të Jashtëm grek për mbrojtjen e të drejtave qytetare të çamëve në shkurt 1928; letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve lidhur me këtë problem në prill 1928; ngritja e po këtij problemi në Këshillin e Lidhjes së Kombeve në qershor 1928, ku Qeveria zogiste paralajmëroi për reci­procitet sjelljen e njëjtë ndaj minoritetit grek në Shqipëri; emërtimi "Mbret i shqiptarëve", trajtimi i emigrantëve ko­sovarë dhe çamë shumë mirë në su­aza të mundësive, ngritja e çështjes së minoriteteve shqiptare në Jugosllavi dhe Greqi në konferencat ballkanike, etj. Gjith­ashtu, brenda Shqipërisë A. Zogu kultivoi një frymë na­cio­naliste dhe një edukatë kombëtare që ndikoi në vendosjen e Kosovës në memorien his­torike të shqiptarëve si një pjesë natyrale e kombit shqip­tar.

"Ambicioz dhe i suksesshëm në vendimet e tij politike, Zogu është ndër të paktët politikanë shqiptarë që është shumë i lexueshëm në vendimet e tij politike dhe diplomatike ndaj Kosovës. Ai, në thelb, nuk përpiqet të zemërojë serbët deri në atë masë që mund t'i rrezikojnë pushtetin dhe nuk i ka zemëruar shqiptarët deri në atë masë sa të mos ia njihnin legjitimitetin Mbretit të Shqipërisë.

Zo­gu u përpoq të hidhte themele perëndimore si dhe të fuqizonte faktorin shqiptar në Evropën Juglindore.

Ahmet Zogu dëshironte të shfaqej si një mbret perë­ndimor dhe nuk mund të mohohet se ai e synonte  një oksidentalizëm të vendit të tij. Bashkëkohësi, kundërshtari dhe përfaqësuesi diplomatik i tij në SHBA, Faik Konica, do të shprehej për të: "Pavarësisht se a e duam apo e urrejmë, Zogu mbetet një karakter çuditërisht enigmatik, gjysmëhero dhe gjysmëpalaço, i cili për një kohë të gjatë do të jetë tërheqës  për studiuesin e psikologjisë". Ndërkaq atë Zef Pllumi, një person që i jetoi të dy regjimet atë Zogist dhe komunist do të thek­sonte: “Regjimi i Zogut ishte më i miri i regjimeve të këqija në Shqipëri.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat