Krusha – sinonim i dhembjes, i qendresës dhe heroizmit

Kultura

Krusha – sinonim i dhembjes, i qendresës dhe heroizmit

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 28 korrik 2019 Në ora: 12:21
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani’ nderoi dëshmorët dhe viktimat në Krushë të Madhe

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani’ nderoi dëshmorët dhe viktimat në Krushë të Madhe, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Anëtarët e kësaj shoqate, të udhëhequr nga kryetari Hysen Ibrahimi, zgjodhën edhe Krushën të përurojnë librin “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare”, dhe disa tituj të tjerë.

Kryetari i Komunës Smajli Latifi, falenderoi shoqatën, që kishte zgjedhur Krushën të përurojë botimet e saj, duke kujtuar se Krusha ka përjetuar vite shumë të rënda.

“Krusha është simbol i përkushtimit, sakrificës dhe kujtimeve, i shpërfaqë, jo vetëm në komunën tonë, por në gjithë Kosovën dhe kudo që ka shqiptarë. Krusha e madhe është një fshat që ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës, 241 veta dhe në mesin e tyre është edhe prof. Ukshi Hoti. Dhe kjo vepër e sotme me perurimin e librave, do të arrijë t’i japë kuptim edhe dhimbjes dhe krenarisë që kemi bashkë”, tha z. Latifi

Në 10 numra të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, kjo shoqatë ka botuar disa tema për përpjekjet shqiptare për liri, për dëshmorët dhe viktimat e luftës së fundit. Por, për Krushën do të shkruaj në veçanti, tha kryetari i shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibahimi.

“Në mesin e këtyre shkrimeve kemi menduar se duhet ta kemi edhe Krushën dhe historinë që ka kaluar ajo. Ne kemi pasur shkrime të disa autorëve që kanë folur për Krushën, por kësaj here do të gjurmojmë vetë për atë histori. Duke qenë larg atdheut, kemi vuajtur edhe ne shumë për atë që po ndodhte në Kosovë, sidomos në 1998 dhe më 1999. Krimet serbe që janë kryer në Kosovë dhe këtu në Krushë, i kemi përjetuar shumë rëndë” tha ndër të tjera Ibrahimi.

Image
Në foto: Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Suedi

Libri “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare” është i përkthyer pjesërisht edhe në gjuhën suedeze. Por, do të gjurmohet më shumë për figurën e Ukshin Hotit. “Në Thesar kemi shkruar edhe për Ukshin Hotin dhe heroizmin e tij, për vuajtjet dhe synimet tij, si ideolog dhe hartues i platformës politikoushtarake të UÇK-së. Do të gjurmojmë dhe do të shkruajmë edhe më shumë për figurën e madhe të Ukshin Hoti”, tha Hysen Ibrahimi.

Heroina të gjalla janë gratë e Krushës, të cilat mbijetuan dhe vazhduan jetën, duke u bërë vetë kryefamiljare. Shembull më i mirë është Fahrije Hoti, drejtoreshë e Koperativës Bujqësore “Kursha”, e cila nga humbjet në luftë, ka sfiduar frikën për punë dhe sukses.

“Falenderoj shoqatën “Papa Klementi” që është kujtuar për ne, që ka ardhur në Krushë dhe të shkruaj e të dokumentojë atë që ka ndodhur në Krushë, sepse ne një ditë do të ikim nga kjo botë dhe fëmijët tanë e gjeneratat e tjera do të mësojnë për Krushën dhe historinë e dhimbshme të saj” tha zonja Farije Hoti. Ajo falenderoi edhe shoqatën “Nënë Tereza” në Suedi, e cila kishte ndihmuar disa familje në Krushë.

Image
Kontributi i Shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, janë veprat e botuara, tha prof. Nusret Pllana.

“T’i shohësh gjithë këto vepra publicistike e dokumentare nga dora, mendja, djersa dhe gjaku i mërgimtarëve është më shumë se mburrje dhe më shumë se krenari, çdo fjalë është e tepërt, sepse flasin më shumë veprat… Për Krushën duhet të shkruhet, sepse bota duhet të mësojë edhe më shumë për të, për njerëzit, të cilët janë sinonim i punës, qendresës dhe heroizmit”, tha Pllana.

Ndërkaq, Dashurie Divintari, ambasadore për paqe në Tiranë, tha se Shqipëria e ka kuptuar shumë mirë dhimbjen e Krushës dhe të gjithë Kosovës, prandaj ka hapur dyert për pritjen e shumë të dëbuarve në 1999, por edhe më herët.

“Bashkë kemi qenë me motra dhe vëllezërit tanë dhe ne iu kemi ndejur afër që të ndanim dhimbjen bashkë. Unë ju përshendes ju nëna dhe gra që jeni kaq të forta dhe bëni të pamundurën të rrisin fëmijët tuaj”, tha znj. Divintari.

Bedri Paci, njëri ndër themeluesit e shoqatës “Papa Klementi”, shprehu konsideratën më të lartë për nënat e Krushës që kanë rritur dhe edukuar fëmijët e tyre, duke qenë vetë kryefamiljare. “Respekt të madh për nënat dhe motrat që po japin një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Ne në Suedi jemi munduar dhe kemi bërë të pamundurën që fëmijët tanë të mos asimilohen”. z. Paci foli për mënyrën e mobilizimit të shqiptarëve në Suedi për të organizuar shkollën shqipe që nga vitet 70-të, 80-të e më vonë, me një intensitet të shtuar edhe nga viti 1992.

Në këtë manifestim u përuruan edhe librat: “Vepra 3”, autor Hysen Ibrahimi, “Dëshmorët e Kombit, Abaz dhe Isak Ibrahimi”, autor Avdyl Uka; “Dardanët për Dardaninë”, autor Rrahman Rrahmani; Antologjinë “Dashuria nuk është mekat”, bashkautorë Ymrije Beqiri dhe Hysen Ibrahimi, “Ndryshe ëndërrova”, autore Ymrije Beqiri.

Me këtë rast, kryetari i shoqatës “Papa Klementi XI ALbani”, ndau mirënjohje për 241 dëshmorët dhe të rënët në Krushë të Madhe dhe 113 të rënët në Krushë të Vogël.

Ndërkaq, drejtoresha e Koperativës “Krusha”, znj. Fahrije Hoti, i dorëzoi një mi rënjohje dhe falenderim z. Hysen Ibrahimi, me një punim, i cili pasqyron punën që bëjnë gratë e Krushës në këtë koperativë, “Krusha nga duart e arta - Cilësi dhe shije për ju”

Shoqata mori si dhuratë edhe dy libra: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ( 1877- 1885), autor Skënder Rizaj dhe “Krusha e vrarë”, autorë Qemajl Krasniqi dhe Agron Limani.

Në mbyllje të takimit, kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, falenderoi anëtarët e shoqatës dhe mërgimtarët që kanë mbështetur në kohë të ndryshme Krushën dhe banorët e saj.

“Ju keni sjellë energji me vete dhe ne e gjejmë atë në veprat tuaj. Ka shumë për t’u thënë, e shumë për t’u bërë. Për shkrimtarët thuhet “gjithmonë mund të përmirësosh një faqe të keqe, nëse është shkruar keq nga një shkrimtar, por asnjëherë nuk mund të përmirësosh një faqe të zbrazët” dhe Krusha ka rreth 7000 banorë dhe secili e ka një faqe të vetën”, tha Hoti. Ai theksoi se duhet të thuhet e të shkruhet edhe më tutje për Krushën, sepse ka ende shumë të pathëna, duke kërkuar që bota të mësojë më shumë dhe drejtësia ndërkombëtare të dënojë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Krushë, gjurmë të të cilave janë ende të dukshme.

Ndërsa gratë që kanë vuajtur më së shumti në Krushë, Selami Hoti i cilësoi si ambasadoret më të mira të Krushës së Madhe dhe të Kosovës.

Image

Anëtarët e shoqatës vizituan edhe Koperativën bujqësore “Krusha”, për të parë punën që bëjnë gratë me konzervimin e specit dhe produkteve të tij.

Për historinë e Krushës do të shkruhet më gjatë në numrat e ardhshëm të libri “Thesar Kombëtar I mërgatës shqiptare”, tha kryetari i shoqatës Hysen Ibrahimi. Ndërsa numri i 10-të I këtij libri do të përurohet edhe në Vlorë më 30 korrik 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat