Gjithçka gati për koncertin “Ramë Lahaj and Friends”

Kultura

Gjithçka gati për koncertin “Ramë Lahaj and Friends”

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 12:40
Foto

Koncerti “Ramë Lahaj and Friends”, që pritet të mbahet nesër, po konsiderohet të jetë eveniment fantastik për qytetarët e Prishtinës, por edhe diasporën, e cila kësaj radhe ka mundësinë që në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet të shijojë një koncert ndryshe nga që janë mësuar.

Kështu u tha në një konferencë për media të mbajtur në prag të koncertit të tenorit Ramë Lahaj dhe miqve.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti bëri të ditur se ka një interesim të madh të qytetarëve për koncertin.

Ahmeti: Koncerti “Ramë Lahaj and Friends” eveniment fantastik“

Pas një koncerti të suksesshëm në shesh me Filarmoninë e Kosovës si pjesë e  aktiviteteve 20/20, kemi vendosur që gjatë këtyre ditëve të diasporës të kemi mysafirë edhe më shumë, që publikut të Prishtinës dhe Kosovës t’i ofrojmë edhe një eveniment fantastik, me këtë rast me artistin tonë të mirënjohur Ramë Lahaj. Me këtë rast, ai me miq dhe mysafirë do të performojnë në ambient të hapur, në sheshin tonë. Po më pyesin për bileta, por s’ka bileta, është falas. Nga interesimi që po më pyesin njerëzit, u kam thënë që s’ka bileta, është e hapur, interesimi është tepër i madh... Pres edhe nesër të ketë jashtëzakonisht shumë njerëz”, tha Ahmeti.

Tenori Ramë Lahaj tha se e ka ndjerë si borxh ndaj Prishtinës një koncert të tillë. Ai tha se një sallë e madhe koncertesh i duhet Prishtinës.

Lahaj: I kam zgjedhur disa vepra të cilat janë më popullore për audiencën

“Kam provuar të bëj një laramani programi, e cila i përshtatet koncertit ‘open air’, duke pasur parasysh se audienca jonë është relativisht e re në muzikën serioze për shumë arsye, për arsyen që ne nuk kemi një teatër të mirëfilltë ose një sallë koncertesh të mirëfilltë, ku do të krijonim një raportuar të rregullt. Megjithatë, unë kam provuar t’i përzgjedh disa vepra, të cilat janë pak më popullore për një audiencë të hapur në shesh. Janë disa këngë shqiptare, të cilat i kemi adaptuar me orkestër”, u shpreh Lamaj.

Për të është e pa tolerueshme që objekti ku filarmonia bën prova të jetë salla e kuqe, pasi aty është një ambient i papërshtatshëm.

Lahaj: Është e pa tolerueshme që të mos ketë një sallë koncertesh

“Është e pa tolerueshme, 20 vjet pas lufte, akoma të mos ketë një sallë koncertesh”, u shpreh ai.

Drejtoresha e Kulturës në komunën e Prishtinës, Blerta Basholli tha se një koncert i tillë është një nder për Prishtinën.

Basholli: Koncerti Ramë Lahaj and Friends, nder për çdo qytetar të Prishtinës

“Një koncert i tillë, me tenorin Ramë Lahaj është një nder për çdo qytetar të Prishtinës, por sidomos edhe për diasporën, t’iu ofrojmë diçka më ndryshe, një kualitet të tillë. Për neve është kënaqësi dhe prioritet i Drejtorisë së Kulturës të ofrojmë sa më shumë programe të tilla”, tha ajo.

Dirigjenti David Crescenzi tha se ndjehet krenar që ndodhet në Kosovë për koncertin.

Crescenzi: Do të entuziazmojmë audiencën

“Dje pash entuziazëm të mirë te njerëzit. Mendoj se ne mund t’iu japim të njëjtin entuziazëm përgjatë perfomancës”, tha ai.

Koncerti Ramë Lahaj and Friends’ do të mbahet nesër, më 1 gusht në orën 20:30, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat