“Në kohën e monizmit punova për shtetin dhe shoqërinë, tani në demokraci punoj për vete dhe komunitetin”…

Kultura

“Në kohën e monizmit punova për shtetin dhe shoqërinë, tani në demokraci punoj për vete dhe komunitetin”…

Nga: Gëzim Loka Më: 5 gusht 2019 Në ora: 22:32
Foto nga salla

Osman Muratin nga Lura e Dibres, e kam njohur qysh në rininë time të hershme, por ishte një njohje nga larg, pasi për ta takuar e kam takuar disa herë kalimthi me dajën tim Ahmet Kaçorrin dhe tani së voni, në 100 vjetorin e masakrës së Nemcës në Lurë. Gjatë kam ndjenjur me të vetëm para pak ditëve, në një vjetorin e Shoqatës “Lura jonë” dhe të gazetës “Lura”. Në këtë tubim mbarëlurian, ai tha një fjalë për t’u mbajtur mend e për t’u shoshitë në ndenjet tipike të odës luriane: “Në kohën e monizmit punova për shtetin dhe shoqërinë, tani në demokraci punoj për vete dhe komunitetin”. Ai tha se gazeta duhet të jetë tribunë bashkimi mbarëlurian, njerëz të thjeshtëe intelektualë, biznesmenë e punëtorë, të majtë e të djathtë, kudo që jemi e bëjmë tym në këto hise të shqiptarisë.

Osman Muratin i Gurë-Lurës, rreth 80 vjeçar, ka qenë ministri shpirtpastër e zemërdëlirë i tri qeverive “Çarçani”, ku ka lënë gjurmë të bukura, komunikim e fisnikëri njerëzore, edhe pse ka qenë një kohë e vështirë dhe me atë problematikë që tashmë dihet e njihet nga të gjithë, por që për fat të keq, këta ustallarët e sotëm të zhvatjes e babëzisë, pushtëtarë e opozitarë, siç do të thoshin lurianët mendjemprehtë, “nuk iu vijnë as te vega e opingës atyre të parëve”e veçamës disave si Osman Murati, që me zemër në dorë rrekeshin e rreken të bënin e të bëjnë të pamundurën të mundur, në dobi të një shoqërie që kishte e vazhdon të ketë aq shumë plagë për t'i prekur, aq shumë nevojë për zëra të ngrohtë të fisnikërisë njerëzore e jetësorë.

Ishte viti 1988 dhe kriza ekonomike, e grumbulluar pikë-pikë në vite të gjatë rrethimi dhe bllokade, po kulmonte në prag urie kolektive, çfarë përbënte një shqetësim të madh për shtetin dhe shoqërinë e kohës.

Osman Murati, as kohe sekretar i parë i PPSH në Dibër mblodhi kuadro drejtues, funksionarë e anëtarë partie dhe veprimtarë të organizatave të masave për të shoshitur çështjen e për të vënë pikat mbi “i”.

Jo rastësisht ndodesha në atë sallë ku po bëhej mbledhja dhe mbaj mend, kur u ngrit e tha: “Të gjejmë mënyrat më efikase për të siguruar qumështin dhe gjithçka tjetër për kooperatvistin dhe qytetarin. Njerëzit nuk kanë nevojë për fjalë e sllogane, duhet të jemi konkretë dhe të hedhim hapa me bukë, që të përmirësojnë dhe shëndoshin gjendjen e rënduar”.

Vesh më vesh pëshpëritej aso kohe, në kafene e mjedise miqsh të ngushtë, në oda ku muhabetet sillen me rrotulla, se paska shkuar Osman Murati me shërbim në një kooperativë bujqësore përtej Drinit të Bashkuar. Aty, gjysma e kooperativës që ndodhej në zonë fushore e kishte kryer “tufëzimin” e bagëtive e gjysma tjetër në lartësi malore i trembej kësaj nisme e nuk po vepronte.

Na qënka ngritur në këmbë dikush nga këta që e paskëshin kryer tufëzimin, e paska thënë: “Për dashurinë ndaj Partisë, t’i mbledhin edhe pulat e koteceve tona, sepse ato po na dëmtojnë ara e kopshtije, se përmirësohet higjiena”, etj. Çuditërisht, të tjerët, të ndodhurit në atë takim, duartrokitën fort, sikur folësi të kishte thënë një formulë bekimi, që do t’i shpëtonte nga varfëria!

Por Osman Murati pati mbetur pa mend! Ai e dinte gjendjen e vështirë të fshatit e aq më tepër pasojat e tufëzimit të bagëtive dhe të oborrit kooperativist. Ai pikërisht prandaj pati shkuar, të merrte nga baza mendimin original, fjalën e padeformuar nga altaporlantët e kohës…Ndaj i afrohet kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit e diçka i thotë me zë të ulët: “Si duartrokasin këta njerëz kur iu preket dhe buka e gojës?!”…

Demokracia alla shqiptarçe, me trumbeta frenetike e klithma shpellore sikur vinin nga koha e mamuthëve, erdhi si një kohë deliri dhe primitiviteti, që iu kthyen në boomerang shoqërisë shqiptare.

Nën presionin dhe përndjekjen e tam-tameve buçitëse  të qeverive sunduese pasuese të gatuara nga pseudo-demokracia shqiptare, të këtyre komunistëve fantaik të kthyer në antikomunist të sëmurë, Osman Murati u detyrua të largohej, i përndjekur si “heretik” nga falangat e qeverisë aso kohe.

Atë që nuk ia jepte dot vendi i tij, për të cilin pati luftuar me idealizëm e shpirtkthjellësi, tashmë i dirigjuar nga njerëz të hurit e litarit, ia dha Bullgaria, një vend që e priti dhe e strehoi me respektin që i takonm një ish funksionari të lartë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

I vlerësuar në vitin 2015 si “Qytetar Nderi” i Lurës, ai ka lënë gjurmë për komunitetin e lurianëve të tij, gëzon e shqteësohet bashke me ta, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme dhe duke e kthyer shtëpinë e tij këtu në Tiranë në një vatër mikpritëse mbarëluriane, pa dallime ideore, politike e fetare.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat