Ulet shqipja n’Plavë-Guci

Kultura

Ulet shqipja n’Plavë-Guci

Nga: Ramazan Çeka Më: 11 gusht 2019 Në ora: 13:55
Festivali

Shoqata Kulturore Artistike "Maja e Karafilit" Plavë-Guci dhe Shoqata "Alpet Shqiptare", në bashkëpinim me Unionin Artistik të Kombit Shqiptar "Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut", në këtë fillim gushti organizuan spektaklin "Mirësevini në Alpe" manifestim tradicional, edicioni i 24 dhe Festivalin mbarëkombëtar "Kënga dhe vallja shqipe na bashkon" edicioni i 4, ku pjesemarrës në këtë aktivitet tepër të rëndësishëm ishin grupe, ansamble dhe shoqëri kulturore nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. Si gjithnjë qëllimi i këtij festivali ishte të bashkonte përmes artit dhe trashëgimisë kulturore me të gjitha trevat shqipfolëse për t'u dhënë jetë vlerave folklorike e kombëtare.

Në skenën e ndërtuar në natyrë vazhdojnë të ngjiten artistë që gjithnjë japin më të mirën e tyre, duke qenë dhe pjesë e konkurimit. Për 4 vite me radhë Festivali është ndjekur nga afër nga një numër i madh vizitorësh, jo vetëm nga Plava e Gucia, por edhe mjaft emigrantë të ardhur nga Europa dhe nga Amerika e Largët. Ky festival është ndjekur me interes edhe në edicione të tjera të mëparshme nga instutucionet shqiptare deri edhe te ai i Presidencës së Shqiperisë.

I gjithë ky organizim bëhet falë përpjekjeve të mëdha të shoqatës "Maja e Karajfilit" nën udhëheqjen e patriotit shqiptar z.Tahir Gjonbalaj, i cili e di fort mirë se ku "pikon çatia" dhe se si mund të mbahet në këmbë kjo strehë patriotike-kombëtare.

Image

Jehona e këtij festivali ka vite që i ka kapërcyer kufijtë e Plavës dhe Gucisë, duke tërhequr gjithnjë e më tepër vëmendjen e shqiptarëve kudo ku ndodhen, duke i ftuar ata për të ardhur, për ta parë e për ta vizituar nga afër këtë vend të mrekullueshëm me histori e pasuri natyrore e shpirtërore, të mbajtur me "hatër" nga nëna natyrë dhe nga nëna Shqipëri.

Për kureshtjen e lexuesit më duhet të informoj se ky aktivitet organizohet në Vuthaj, fare pranë "Krojeve të Ali Pashë Gucisë". Çdo vit grupet pjesëmarrëse fillimisht e bëjnë prezantimin e tyre në qytet, duke nxjerrë në pah vlerat kulturore e artistike, si dhe veshjet e kostumet popullore të krahinës së tyre nga vijnë, me një parakalim në rrugën kryesore nën ritmin e këngeve dhe valleve popullore shqiptare.

"N'kushtrim t'kangës rrugë kem marrë

N'bjeshkë T'Jezercës për me dalë

M'u mbledhë n'Vuthaj, n'konkurim

Bash si shqipja n'fluturim"...

Me këto pak vargje mund të përshkruhet pjesëmarrja dhe performanca e shumë konkurentëve e shoqërive kulturore nga treva të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë kufinjve të saj, si dhe pjesëmarrja e mijëra spektatorëve të pranishëm në këtë festival folklorik mbarëshqiptar, aktivitet tashmë i pervitshëm.

Image

Megjithse nuk ishte pjesëmarrja ime e parë në këtë festival që organizohet në fshatin pikturesk Vuthaj, pasi atje kam qenë i ftuar disa herë nga z.Azgan Haklaj, Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, të cilit i jam shumë mirnjohës që ma dha këtë mundësi të ngjitem deri në Alpe e ta ndjek nga afër këtë maratonë këngësh e vallesh, veshjesh e instrumentësh e deri në përqafimin më të afërt të rrezeve të arta të diellit, prapë udhëtimi im u shoqërua me një sërë emocionesh e ndjesi kënaqësie për faktin se unë jam një tekstshkrues i një sërë këngësh qytetare dhe atyre popullore, por një ngacmim shumë të vyer ma përshkon shpirtin sa herë degjoj këngë të lahutës, çiftelisë, polifonisë apo dhe valle të këndueme, të cilat duket sikur marrin një tjetër melodi shpirtërore nga shoqërimi i tingujve të tyre me jehonën e vargmaleve që rrethojnë si kurorë mbretërore lëndinat e Vuthajve.

Si për koincidencë edhe dita ishte disi më e favorshme, pasi ato temperatura të larta të ditëve të fundit, që të zënë frymën në qytet, kishin zbritur e udhëtimi ishte disi më i rehatshëm e më i këndshëm. Në çdo kilometër lartësie që ngjiteshim nëpër bjeshkët e Kelmendit, të mbusheshin mushkeritë me oksigjenin shumë të dëshiruar në qytetin e famshëm të Veriut, në Shkodrën time të mrekullueshme.

Image

Veç bukurive përrallore që të ofrojnë Bjeshkët e Kelmendit në pamje të parë, të duket sikur çlirohet frymëmarrja nga ajri i pastër. U ndalëm disa herë në burimet përgjatë rrugës për t'u freskuar me ujin e borës që për nga shija e knaqësia ja kalon edhe verës më të vjetër të ruajtur në "kantinat" e fshatarëve të kësaj Malësie.

Megjithse rrugëtimi ishte shumë i gjatë, nuk na u desh shumë kohë të mbërrijmë në Doganën e Vermoshit, pasi rruga është e rindërtuar me standarte, që le pas edhe vendet e zhvilluara kufitare, por jo vetëm. Me të mbërritur në viset e trevave shqiptare në Malin e Zi, Plavë - Guci, të duket vetja sikur je mysafir në shtëpinë tënde, pasi ndihesh ndër vllazen e motra të një oxhaku.

Udhëtimit tonë i shtohen emocione të tjera, nëpër ato fusha teje të gjelbëruara, të rrethuara me vargmale të pyllzuara me pisha e bredha. Ndoshta për fajin tonë mbërritja ishte pak e vonuar, pasi festivali kishte nisur dhe që larg dëgjohej kënga polifonike e Himarës dhe dukej sikur edhe kreshtat mbanin iso me ta.

Image

Ky festival kishte mbledhur rreth vetes banorë dhe të ardhur, që në një farë mënyre kishin krijuar dhe trafik në rrugë. Me pak mundim e të privilegjuar nga respekti i vendasve, arritëm të depërtojmë për t'ju bashkuar spektaklit.

Sapo u afruam në skenë, dëgjojmë prezantuesen e mrekullueshme Arberore Gjonbalaj, e cila me zërin e saj tingëllues e të bukur, me aftësitë e një aktoreje, mjeshtre të fjalës e bënte atë skenë modeste si një skenë amfiteatri të vendosur në mes të atyre vargmaleve, si pikë e mirëmenduar që jehona e fjalëve dhe tingujve të shpërndahej në mënyrë të njëtrajtshme tek ato.

Sapo u prezantua kënga e rradhës, në skenë doli rapsodi dhe kantautori i njohur lezhjan Gjon Frroku, duke mbajtur në dorë instrumentin e tij të dashur çiftelin, të cilën e zotëron aq mjeshtërisht, sikur telat e saj i ka të lidhur në brendësi të shpirtit të tij artistik e të bëra një me zërin e ëmbël që me aq talent i jep seriozitet vijës melodike që përçon në bashkimin e zërit me tingujt që përpunon me gishtat e vet mbi telat e çiftelisë.

Në këtë aktivitet mbarëkombëtar, ishin të ftuar historianë, shkrimtarë, poetë, akademikë, doktorë, politikanë, artistë dhe aktivistë të ndryshëm të "Çështjes sonë Kombëtare" nga mbarë trevat shqiptare dhe nga Diaspora.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar "Kalorës i Urdhrit Skenderbeu" nderuar me Medaljen "Gjergj Kastrioti Skenderbeu" nga Kryeministri Haradinaj, ka nderur me titullin "Misionar i Kombit" Shoqërinë Kulturore "Maja e Karafilit" me rastin e 30 vjetorit të krijimit të saj.

Juria e Festivalit e përbërë nga "Mjeshtri i Madh" Azgan Haklaj, prof. Dilaver Kryeziu dhe zonj. Mirjeta Gjonbalaj, nderoi këngëtarin Luigj Gjerkaj me çmimin këngëtari më i mirë i Festivalit.

Valltari më i mirë i Festivalit u vlerësua Josuf Haziri "Drita" Shkup.

Veshja më autentike dhe paraqitje artistike, Grupi "Himara" Shqipëri.

Ansambli më i mirë i Festivalit "Koha" Dinoshë - Tuz.

Çmimi special i Festivalit Alpet Shqiptare, Ansambli "Drita e Dervenit", Saraj - Shkup.

Më pas, dita u mbyll me disa vizita në qytezën e bukur të Plavës dhe në rrethinat e saj.

Në ndjekje të këtij festivali, duke dashur të kapi çdo detaj me kameren time për ta përcjellur në televizionin e shqiptarëve në Amerikë, ALBTVUSA, paralel u përpoqa të marrë edhe disa intervista me personazhet më kryesorë të organizimit të këtij festivali, që për nga vlera e kontributi në ruajtje të trashëgimisë kulturore, materjale e shpirtërore, të veshjeve, këngëve, valleve e deri tek përdorimi i instrumentëve, kanë merita të mëdha e të jashtëzakonshme njerëzore e humane, jo vetëm për gjithë përfshirjen e trevave, por mbi të gjitha në kultivimin dhe stimulimin e gjeneratave të reja, si dhe detajet e festivalit, por njëkohësisht edhe jeta e banorëve autoktonë në këto toka.

Vështirësitë që po sjell largimi i shqiptarëve, largimet e të rinjve, shpresa për një të ardhme në vendlindje etj, janë disa nga temat që do të trajtohen në reportazhin e përgatitur për televizionin e shqiptarëve të Amerikës ALBTVUSA, së bashku me profesoreshen e nderuar të historisë, znj. Rita Shkurtaj.

Në intervistat e mia zunë vend znj. Dila Vaçaj, e cila ka kontribut të pamohueshëm për këto vlera si drejtuse e shoqatës "Jehona e Kelmendit", këngëtarja nga Tuzi Maria Lajçaj, këngëtarë dhe drejtues grupesh artistike, ku "qershia mbi tortë" në këtë mision jetik e kulturoro-historik i takon Z.Azgan Haklaj, i cili në intervistën e tij bëri një prezantim dinjitoz e të jashtzakonshëm, duke shprehur me fjalë që kanë peshë mbi rolin dhe kontributin e tij në mbarvajtje të këtij festivali mbarëkulturor e kombëtar e tani edhe tradicinal.

Roli i tij si përfaqësues dhe drejtues i bashkimit më të madh kulturor, i dha akoma më shumë kuptim këti festivali, njëkohsisht edhe si gjykues i risive kulturore, duke bërë përzgjedhje dinjitoze e me objektivitet për secilin grup pjesmarrës e vlersuar me kompetencë më të mirët. Këto vlersime ishin dhe do mbeten si dëshmi e gjallë e kontributit të tij si "azgan" i vërtetë atdhedashës e patriot në memorjen e secilit grup e individ.

Shpreh mirënjohje e respekt të veçantë për të dhe krejt stafin e organizatorëve, banorët e Vuthajve e krejt zonës, pjesmarrësit e spektatorët me të cilët së bashku kaluam një ditë të paharrueshme.

Kalova një ditë të jashtëzakonshme dhe u ndjeva më shqiptar se kurrë dhe në Plavë e Guci, sa herë që shkoj e ndjej veten të tillë. Kësisoj, përmes këtij shkrimi, të cilit m'i bën jehonë gazeta Bota Sot kaq e lexuar, kaq e përhapur dhe kaq pranë Shqiptarëve, i ftoj të gjithë ata që do ta lexojnë, që një ditë të bukur ta vizitojnë këtë trevë kaq piktoreske, kaq madhështore e kaq pak të njohur për ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat