Ora me qostekë

Kultura

Ora me qostekë

Nga: Fatmire Duraku Më: 17 gusht 2019 Në ora: 12:08
Fatmire Duraku

Tashmë shkëlqente vetëm vagëllimë e verdhemë në të kuqërremtë e agut mbi ujin e lumit, ndanë së cilës më ra në sy kulmi gjysmë i djegur i shtëpisë.

– Pse fare s`ma përmendën ushtarët e UÇK-së djegien e shtëpisë. – mendoja e në të njëjtën kohë u inatosa në veten, si mund të mendoja diçka të tillë. Çfarë është kjo gjë krahasuar me vrasjen e babait!? Asgjë është. Ama, shpirti, në çaste të caktuara, duke e ndjerë thellë dhembjen, nuk mund i qëndronte besnik rrjedhës normale, por – fare papritur, ikte nga vetja dhe i jepej fijes së padukshme të çmendurisë.

E ndieja  atë çmenduri për të parën herë nga zgjohej në mua. Nuk i dalloja gjërat, ato që e cilësojnë krijesën me vetëdije dhe ato që e ngarkojnë me pavetëdije. Unë kaloja – pa ndonjë ndryshim ndërmjet flakës e akullit. As ngrija as digjesha. Edhe digjesha edhe ngrija, në të njëjtin çast. Ndodhte diçka e tmerrshme në brendinë time kaq të errët dhe të panjohur. Ecja e mbushur frymë, vetëm këmbët sa s`i thyeja, të arrija-krejt e vetëdijshme, se përveç varrit nuk do të takoj asgjë tjetër aty. Ecja, me mendime tërësisht të shkapërderdhura, me dhembjen gjithnjë e më të fortë në kraharor. – Sa qe, baba i dashur, nuk ta dinim vlerën, e tash... ja, tash që ike, është e kotë çdo gjë. Mbete vetëm të të qajmë, vetëm të të kujtojmë. Ndjeja ligësi, dhembje, ndërsa në asnjë mënyrë humbjen e tij nuk mund ta besoja. Asnjëherë dhe aspak. Sa më afër i afrohesha shtëpisë dhe varrit të babait kaq më shumë më ngjiteshin këmbët për tokën. Mezi i tërhiqja. Nuk do të mund të arrija. Ecja qe gjithnjë më e rëndë, gjithnjë e më e vdekur. Tashmë vagëllima e dritës së ditës, sado ende e pa formësuar, shkëlqente shumë më thekshëm dhe m`i vriste sytë. Me një shtrëngim të rëndë në zemër, si një hije që shfaqet aty befas, shkel hutueshëm, kapërcen vijën e derës së mbetur hapur të oborrit dhe – përnjëherë shpërthen në vaj, pa e pasur  të qartë pse ndodh e tërë kjo. Kisha humbur veten dhe asgjë aty nuk më bëhej e parë ndonjë herë, asgjë aty nuk më bëhej e njohur. Ku kisha arritur dhe çfarë kërkoja aty!? Nuk më mbanin më këmbët. Rashë në gjunjë dhe për një kohë mbylla sytë, pa ndjerë asgjë, pa menduar asgjë. Përsëri i hapa sytë dhe kuptova se gjendesha në hapësirën e rrethuar me mur, para shtëpisë. Eca pak gjunjazi. Mes derës së oborrit e të shtëpisë gjysmë të djegur, qe varri, me dheun ende të shkrifët.

– Të qoftë i lehtë dheu, baba! – klitha dhe zvarrë ecja e iu hodha varrit sipër. Për një kohë, ndoshta, do të jem alivanosur... Nuk mund të kujtoj asgjë.  E lëshuar -gjysmë e vdekur mbi varr, vetëm zoti mund ta përkufizojë sa kohë më vonë do të më ketë përmendur një tik-tak. Një tik- tak, një ritëm i gjallë, një frymëmarrje ndoshta, që më binte tingëllueshëm në veshin e majtë, të puthitur mbi dheun e freskët të varrit. Brofa dhe futa duart në dheun e varrit.

-  Çfarë mund të jetë ajo që dëgjoja e nuk e besoja!? Zoti im, në shuplakat e mbushura dhe ndriste dhe ora e argjendtë me qostekë. Ora e argjendtë, me qostekë, të cilën  në çastet e rënda të ndarjes nga çdo gjë, të ikjes nga shtëpia e të nisjes në udhë të botës, nuk mundi të mos kthehej ta merrte, ngaqë e kishte harruar në parvaz të dritares.

– Më duhet të kthehem, - foli dhe na shikoi me çelësa në duar, fytyrë-dyllë.

– Pse? Ç` ndodhi, -   tha motra e dytë.

– Orën... me qostekë, - iu dridhen duart.

- Ç`u bë me të?

– E kam harruar.

- Ç` të duhet, - ia bëra. – Ajo, dhe ashtu, ka kohë nuk punon.

– Punoi a jo, më duhet të ik, ta marrë. E kam trashëgim, - psherëtiu e iku brenda, të kthehej pa u vonuar shumë. I ndrisnin sytë nga lotët...

– Zot, - ia bëra. – Ja, tash, ora e argjendtë - me qostekë, me kokrriza dheu në shuplakën time ndrit dhe tingëllon tik-tak, tik-tak, tik-tak, tik-tak...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat