Baladë e përflakur - Bota Sot
Baladë e përflakur

Kultura

Baladë e përflakur

Nga: Zymer Mehani Më: 18 gusht 2019 Në ora: 06:45
Zymer Mehani

1.
Ato fusha t’ blerta
N’kujtesë më kanë mbetë
Në atë sy pranvere
T’bjerra e lënë shkret

I braktisëm fshatrat
Braktisëm qytet
Nga truall iliriku
Na dëboi armiku

2.
Treni i gjatë çante
Qanin zemrat tona
Trishtueshëm fishkëllonte
Linim vatrat tona

Agime t’përlotura
E muzgje të përbaltura
Fshatra pranverake
Shtëpi të përflakura

Armiqt e pamëshirshëm
Na dëbonin e përndiqnin
Me duar të përgjakura
Na prenin e vritnin
3.
Përndiqeshim e vriteshim
Se ishim shqiptarë
Fushat me lulëkuqe
I linim duke qarë

Të shtëpive tymëra
Në kraharor më shponin
Lulet e këputura
Në zemër më lëndonin

4.
Por, atdhe i dashur
Me zemër të plasur
Kam parë zi e tmerr
Në dritë e n’skëterrë
N’atë pranverë të mjerë

Buzë pleqsh për ujë t’etur
Sy fëmijësh të tretur
Me lodrat n’shtëpi mbetur
Me buzëqeshje t’helmuar
E mendje t’shkallmuar
Me qafë të këputur
E kokë të përulur

5.
Bijtë e Shqipes trime-
Ushtarët çlirimtarë
U betuan me besa-besë
Në Flamur kombëtar
Për vdekje a për jetë
Për luftë e qëndresë
Në truallin tonë të përgjakur
Të djegur e t’përflakur
Qëndruan burrërisht
Dhe vdiqën trimërisht
Se këtë tokë arbërore
E donin shqiptarisht
N’këtë qiell janë lartësuar-
Meteorë të pashuar

6.
Qante me lot mali
Për lisat e gjatë
Për një xixë shkëndije
Qante natë e gjatë
Kudo ish skëterrë
N’atë Pranverë të mjerë

Dhe fusha i lotonte
Lulëkuqet e saj
Pamëshirshëm fishkullonte
Nga skaji në skaj
E keqja n’ty atdhe
Ngase ishim lindur
Shqiptarë të gjithë ne
7.
Ujqërit ulurinin
Dhëmbët i zgërdhinin
Seç na futnin tmerr
Këta derr-beterrë

M’kujtohet tani
Ajo lemeri
N’atë kohë të përgjakur
Ti Atdhe i përflakur
I tëri seç ishe
Nën kthetrat e asaj bishe
Kudo shkrumb e hi
Furtunë e stuhi
8.
Por, ne jemi shqiptarë
T’përbuzur e t’vrarë
Armikut idhnak
Kurrë s’i patëm hak

N’vështirësi qëndruam
S’u mbytëm- jetuam
Pa atdhe të mbetur
Nëpër botë të tretur

9.
E n’timin qytet
Në të bukurin shesh
Vërtitej një dreq
Me dreqërit e tjerë
Me lebeti e tmerr
E shprazën, e lanë t’mjerë

Nëpër rrugët tona
Gjaksori kaloi
E ne na dëboi
Donte t’na fsharoste
T’na priste e gjakoste
Gjarpërisht na kafshonte
Me helm na helmonte

10
Tani seç më vijnë
Kujtimet pastaj
Për lanetë e djaj
E më bëjnë me vaj
Nga zemërimi qaj

Përmbi sy të nënës
Një mjegull u shfaq
Vuajtje ndjen në zemër
E mbushur me maraz
Për djalin e saj
Nga hidhërimi theu gishtat:
-Qofshin të mallkuara bishat

E mbuloi fytyrën
Dhe u mbyll në vetvete
Me grusht i ra gjoksit
U drodh si në ethe

Por nga gjoksi i saj
As zë as dënesje
As ah dhe as oh
As bërtimë e prekshme
Veç lotët i pikuan
Për faqesh i shkuan
Fytyrës së mekur
Për birin e vdekur
11.
Mali seç u shkund
Fusha seç u tund
E nëna dot s’u mund

N’mbrëmjen e purpurtë
Seç shkëlqeu një yll-
Djali i saj trim
N’zemër plot guxim

Mu para agimit
Me krahët e fitimit
Kënga mori udhë
E malet gjëmonin
Brigjet seç ushtonin
Dielli po ndriçonte
E ky trim lirie
I vdekur po jetonte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...