Hej, ta lumsha zemrën sa shkëmbi, Ahmet Delia!
Bash si stërralli që me xixa zjarri ndizet
Me ty e di fort mirë ku e ka gurrën liria
Me ty ia njoh regëtimat e zemrës Kosovës martire.
Në gjunjë ulem në shtaoren ku marr hijen e bajrakut
Me ty i djeg gjerdhet që më jep largësia.
Oo, ç’ma spërkate vargun me pikëlat e gjakut
Kur dëgjoj piskamën “O, po vjen Ahmet Delia!”
Para teje e gjej saktësisht Kodin e Mbijetesës
Me ty e sfidoj urtinë që më jepka oda.
Kur oa prek Drenicës gurët dhe barin e gjelbër
E ndiej rremb më rremb se ku të buron forca.
E prapë më presin udhë të largëta kurbeti
Me mallin e krenarinë që më japin këto male.
Hej, Ahmet Delia, koha kujtimin s’ta treti
Qofsh habertari i nesërm i çdo darsme.
Po vetë Sharri të ulet në gjunjë paksa i heshtur
Duhanin më të fortë e ndan në kuvende për ty baca.
Me lirinë e trollit mbetëm në mote supmbështetur
Për borxhin ndaj Kosovës marrim të tjera flatra.
Sakicën tënde nuk do ia jap druvarëve në Sharr.
As kasapëve të mishtoreve me mishin e dashit
Do ta vë në Muzeun e Lirisë, bash në ballë
Që ta shohin të gjithë sa e fortë është palca e shqiptarit.
Sakicë, dialekt – sëpatë