Edicioni i nëntë i Etno Fest, deri 600 vizitorë në ditë

Kultura

Edicioni i nëntë i Etno Fest, deri 600 vizitorë në ditë

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Në fshatin e bukur Kukaj të Prishtinës, për ditën e tretë me radhë po vazhdon edicioni i nëntë të Festivalit Etno Fest, i cili promovon vlerat e mirëfillta të artit dhe kulturës tradicionale dhe moderne.

Vizitorët kanë pasur mundësi të shohin  11 ekspozita, tri etnografike dhe tetë të arteve pamore, punime artizanale e atelie të skulptorëve.

Drejtori artistik i Etno Fest, Ilaz Hysaj tha për KosovaPress se ky festival është një aktivitet i gjerë, i cili ka për qëllim promovimin e arteve dhe kulturës  tradicionale. Ai ka treguar për aktivitetet që do të përfshihen gjatë edicionit të sivjetmë.

Hysaj: Kemi shumë ekspozita të arteve pamore

“Kemi shumë ekspozita të arteve pamore, ekspozita etnografike, kemi shumë pjesë të teatrit dhe performanca të ndryshme. Atelie demonstrative, zeje të vjetra dhe artizanale, kulinari tradicionale. Dhe shumë aktivitete të tjera, që në një formë apo tjetrën e prezantojnë në një mënyrë gjithëpërfshirëse  traditën, kulturën tonë të vjetër që po rrezikon  të zhbëhet ose të zhduket”, tha Hysaj.

Në mbrëmje, vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqjen “Karrika” të regjisorit Astrit Bytyqi,  performancën e baladës Muja e Halili dhe program argëtues. 

Hysaj tha se është shumë i kënaqur me numrin e vizitorëve në këtë edicion.

Hysaj: Në dy ditët e para kemi pasur deri në 600 vizitorë në ditë

“Nëse shikojmë ditën e parë dhe të dytë, kemi vërejtur se këtë vit kemi një rritje  të ndjeshme të publikut, duke filluar nga fëmijët e deri te të moshuarit, të cilët po qëndrojnë deri në orët e vona të natës, pasi kemi program  argëtues, pas programit  zyrtar, mjaft relaksues me ambiente shumë të veçanta, përafërsisht dje edhe pardje kemi pasur rreth 500-600  persona në ditë dhe presim që kjo të jetë në rritje sidomos në ditët e fundit”, ka thënë ai.

Temë qendrore e Etno Fest sivjet është shtëpia tradicionale e shqiptarëve. Ky festival ka nisur më datën 20 gusht dhe do të përfundojë më 25 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat