Ramiz Xhetan Loka, një jetë e thjeshtë, model fisnikërie dhe dinjiteti

Kultura

Ramiz Xhetan Loka, një jetë e thjeshtë, model fisnikërie dhe dinjiteti

Nga: Gëzim Loka Më: 1 shtator 2019 Në ora: 20:21
Ramiz Xhetan Loka

Ikja e njerëzve që i ke njohur nga afër dhe me të cilët ke ndarë kohë dhe kujtime, ikja e tyre në të pakthyeshmen, është një moment prekës i kujtesës dhe përditshmërisë, që të bën të meditosh dhe reflektosh mbi gjurmët e njeriut në jetë, në mes të të gjallëve.

Ky meditim dhe reflektim më shoqëroi kur mësova se u nda nga jeta Ramiz Xhetan Loka, një njeri i thjeshtë, por me shpirt e zemër të pastër, fisnik e bujar, i fjalës së dhënë dhe punës së kryer.

Si pa kuptuar, sëmundja tinzare befas e rrëmbeu për t’u bërë vëlla me yjet vezullues nëpër qiell, si ylli i Afërditës.

Fjalët na i merr dhimbja për Ramizin, që mbeti një model në heshtje i maturisë, fjalës së çiltër e të mençur, me mend e dinjitet e mbi të gjitha një familjar shembull në të gjitha drejtimet, duke lënë pas një emër të nderuar.

Me shpirtin e pastër mbushur plot dritë, flakëruar për njerëzit që e rrethonin, të cilët e donin dhe i donte me një dashuri të kristaltë, tani pakëz dritë i jep edhe diellit, pasi brenda zemrës së tij kishte zjarre…

Bir i Lurës së Dibrës, gjithë jetën e tij e kaloi në Lezhë, mes lezhianëve, në një nga komunitetet më të mëdha me lurianë, të cilët e çmonin dhe ai i çmonte për gjithçka që kishin dhe që ndanin së bashku në një kohë të vështirë.

Teksa ndjekim gjurmët e tij në kohë, na shfaqet para syve në ekranin e kujtesës që kur doli në jetë, në hapat e tij të parë, ushtar në marinë, në Sazan, ku u dallua për korrektesë në kryerjen e detyrës ushtarake dhe meritoi besimin e efektivit, tituj dhe stimuj të tjerë moralë, që ishin pulsi lëvizës i asaj kohe.

Tre dekada e gjysëm ka punuar në elektrik, në Ndërmarrjen Bujqësore Balldren Lezhë, ku gjurmët e punës së tij të përkushtuar, ende ruhen në kujtesën e atyre që e kanë njohur dhe që ende rrojnë për të rrëfyer.

15 vite ka punuar në Flotën ushtarake Shëngjin, ku grimca detajesh, ngjarjesh e bëmash hedhin dritë mbi karakterin e tij të drejtë, punëdashjen, fjalëmbajtjen, komunikimin e ngrohtë me njerëzit, cilësi që e shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij, duke lënë pas një emër për t’u nderuar nga njerëzit.

Ikja e tij la në pikëllim dy djemtë e tij, që si shumica e rinsë shqiptare morën udhët e mërgimit për një jetë më të mirë, njëri në Angli e tjetri në Gjermani dhe që humbën njeriun e tyre më të dashur, pikën e gravitetit të mallit dhe dashurisë së tyre të pashuar.

Njerëz si Ramiz Loka, me ikjen e tyre nga kjo jetë, lënë pas shumëçka për t’u kujtuar e nderuar, ndaj teksa e përcjellim me lot e dhimbje këtë bir lurian, ngushëllohemi që gjurmët e tij mes nesh janë ende të pranishme dhe do të jenë gjithmonë, sa kohë që të ekzistojë respekti dhe fisnikëria njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat