Motive shkodrane

Kultura

Motive shkodrane

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 2 shtator 2019 Në ora: 19:07
Mehmetali Rexhepi

Ulur  me  ju e  i  munguar

      gjithnjë mes nesh

      një gardh i pa rrënuar

 

      doja t`u dëftoja çfarë kurore përjetësie

      t`i  bëja zonjushës Marie të  Shllakut

      ndoshta shkëlqimin  mund t`ia vijëzoja së pakut

 

por Maria ishte  një  peng dafine

ngjyrën e flakës  ia mbante ndezur çdo stine

 

testamentin e shpirtit gjakoja si borxhi më i lirë

t`i varej degës pemës Saj në qiell

 

më thanë kurrfarë

bëmat tua arkiv për zjarr

me frymën  mërgimtare

ikën dhe ato pamje

 

heronjtë tuaj bëjnë vetëvrasje

gjeja kodin asaj gjëme

 

vetës i thash

kjo mandatë si ka të ngjarë

pengu i Asaj të jetë tharë

 

thanë

nga mësymja e Drinit  mund të vish

në vrima fyelli të hysh

këmbët e mpira Rozafës t`ia shpish

gjiri  i saj pa ndalë  rrjedh

gurrat e përrenjtë i merr

dhe bëhet më i madhi sy

e më i gjëri gji

i Shqipnisë  tamblin që i pinë

Filipët  Ndretë  Gurakuqët  Migjenët

me lot e kthyen në jare

çdo kënge që i pikoi loti është burrërore

nga sfondi  vjen plaga princore

e Milosaos

ai peng vegullie për Shkodrën 

 

Mirko Gashi më ftonte të pi raki të fortë  rrushi

e  të dehem  në  jaret  shkodrane

ison nuk ia mbaja dot lakadredhave të zërit Frederikut

mes kokave e qeshjesh rridhte Buna në det

e fare lehtë deti Bunës përpjetë

as numërohet burrnia

përpihej liqeni nga makutëria

peshqit më kot lakmonin flatra

fulterja u digjej  mbi vatra

 

lirikave të  Rreshpjes filozofinë  e bardhë

ku brumëzohej dhimbja piqej mallëngjimi prarohej një tipar

 

      se dashuria në verbëri të shpika

      përpjetë-tatëpjetave  baladës tundimi  iu ndieka

“O, se dy sytë m`i kanë verbue,

m`i kanë verbue  moj,  kaçurrelat, kaçurrelat e tu!”

 

në Shkodër  u  matka  me gram krenaria

e Rozafës i ngelë pa tambël fëmija

 

Shkodrës i bëjnë hije mitet e malet

 

sa lehtë jetën e marrkan

por dhe ditkan ta falkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat