Lapsi në park

Kultura

Lapsi në park

Nga: Beqir Elshani Më: 4 shtator 2019 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Duke shëtitur me bashkëshorten time në parkun e qendror me pemë e me lule të bukura, ulem me një karrige për të pushuar. Sapo ulem prapa karriges, në barin e gjelbër vërejta një laps të ri. Nuk desha ta marrë, mirëpo dukej sikur lapsi, braktisur nga dora e ndonjë nxënësi, më luti që ta marrë. E mora dhe e shikova, ishte laps i ruajtur grafit. Ç’përkitje, ndërkohë që unë në parkun e qytetit gjeta lapsin bashkëkohor, qytetari anglez në Londër kishte gjetur lapsin dymijëvjeçar të kohës romake, që me të drejtë njerëzimi e quan stërgjysh të lapsit të sotëm me përbërje prej druri. Në kokën e lapsit grafit dallohet shifra tradicionale H2, që tregon se është laps fisnik, shkruan qartë e mirë. Besa edhe vizaton bukur. Në vazhdim e vështrova firmën e lapsit, quhet “Lyreco”, domethënë nuk është laps kinez, që plumbin e kanë të dobët, por laps francez. Duket qartë që ky mjet shkrimi dhe vizatimi në shitoret tona nuk gjendet, prandaj në vendin tonë e ka sjellë ndonjë shqiptar i mërgatës në Francë. Tani në dorën time kam lapsin francez, lapsin e vendit me tradita letrare, prandaj shpresoj që edhe unë të mbush fletoren time me tregime, gjithashtu edhe me vizatime. Kur bashkëshortja më pa duke marrë lapsin prej tokës, më qortoi se si ndonjëherë këmishën time në orman nuk mund ta gjeja, ndërsa një shkop laps në bar e gjeta. Duket se ky laps i drunjtë me fyshtin e zi, ngjashëm porsi lapsi i lashtë romak do të përfundojë në muze. Mirëpo derisa lapsi i lashtë romak në muze qëndron si shenjë nderimi, lapsi i sotëm po qëndron si shenjë e lënies pasdore.

Ky laps ma përkujtoi kohën time në vitet gjashtëdhjeta, kur isha nxënës në shkollën fillore. Shoku i klasës një javë ditë nuk kishte pasur as laps, as fletore me vija. Tërë ditën kishte qarë për mungesën e lapsit dhe fletores, mirëpo prindërit nuk i blinin, ishin të varfër. Në atë kohë lapsi ka qenë shtylla kryesore e mësimit, të shkojë nxënësi pa laps në shkollë, ishte sikur të mbetesh pa bukë. Nëse nxënësit i mungonte një libër gjatë javës, mund të mësonte nga libri i shokut të bankës, mirëpo si mund të shkruante në fletore pa laps. Kur nxënësi mbetet pa laps, askush nuk ia huazon. Të gjithëve u duhet lapsi. Një ditë, gjatë orës së mësimit, një nxënës nuk kishte pasur laps, prandaj mësuesi prej keqardhjes lapsin e vet e ndau përgjysmë, dhe pjesën tjetër ia dha nxënësit që të shkruante. Tani mësuesi gjysmën e lapsit e ruante si sytë e ballit, sepse duhej të mbante shënime në ditarin e klasës. Mësuesi ishte aq i kujdeshëm, saqë bukën dhe letrën kur nuk i shkelte, për të cilët thoshte se ashtu siç e mban buka e trupin e njeriut, e mban letra mendjen.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me fqinjën time moshatare, quhej Merita, sot është mjeke, nisi tregimin bashkëshortja ime. Ishte muaj maj, në kopsht nëna e saj nxori disa qepë dhe mbushi shportën për shitje në treg. Gjithë ditën Merita qëndroi në treg, mirëpo askush nuk bleu qep. Edhe ditën e nesërme doli në treg, mirëpo asnjë tufë nuk e shiti. Vogëlushja duhej të shiste së paku pesë tufë qepë për të blerë një laps. Sapo Merita u kthye në shtëpi, qau, kërkonte laps. Babai i saj rrinte në odë, dritarja ishte e hapur, ndaj me zemër të thyer e dëgjonte vajin e bijës. Edhe pse babai nuk qante sikur bija e tij, mirëpo i qante zemra. Në odë hyri gruaja, bashkëshortit i tregoi që bija po qante për mungesën e lapsit. “Ç’duhet të bëjmë?” iu drejtua gruaja burrit. Burri, ofshani, tha që e dëgjonte dhe i vinte keq. “Grua, nesër do të shkojë në treg për të shitur demin, dhe vajzës do t’ia blej të gjitha mjetet mësimore, me lapsa e me fletore”, tha babai i tronditur. “Mos harro, tani jemi në pranverë dhe demi nuk shitet për mish”, ndërhyri gruaja, që buzët i dridheshin porsi gjethja në degë. “Mos u brengos, e blen kasapi”, ia kishte kthyer me zemërim burri.

Sot është e pamundur që nxënësi të mbetet pa laps e fletore, të gjitha mjetet mësimore i kanë. Prandaj shkaku i rënies së lapsit në park nuk është pakujdesia, por mosinteresimi, sepse vendin e lapsit e ka zënë mobiltelefoni, që nxënësit e bartin me vete. Një ditë një nxënëse kishte harruar mobiltelefonin në shtëpi, prandaj prej shkollës me çikletë shkoi për të marrë mobiltelefonin, dhe në orën mësimore kthehet 10 minuta me vonesë. Kur arsimtarja nxënësen e qortoi për vonesën, ajo nuk tha që ka harruar të marrë mobiltelefonin, por tha që ka harruar të marrë fletoren e shënimeve. Arsimtarja e kuptoi që nxënësja po gënjente, e dinte se edhe po të harronte çantën me libra e me fletore nuk do të shqetësohej, meqë shkak i vonesës ishte mobiltelefoni. Në fëmijërinë time fëmijët e uritur nuk mashtroheshin dot me lodra të drunjta, kërkonin bukë dhe atë duke qarë, sot fëmijët e dhënë pas lojërave në mobiltelefon po e harrojnë edhe bukën.

Më ka ngjarë një herë në klasë kur nxënësi gjente lapsin pyeste se i kujt është lapsi. Të gjithë nxënësit me kujdes shikonin në çantat e tyre nëse mungonte lapsi, derisa më në fund lajmërohej pronari i lapsit. Po të përdoret i njëjti veprim sot, se i kujt është lapsi i humbur, nxënësit do të talleshin, sepse kanë punë me mobiltelefonin, prandaj për humbjen e lapsit as që mundohen të shikojnë në çantat e tyre. Për ironi, një nxënës në fund të klasës gjetësin e këshilloi që lapsin ta çonte në muzeun kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat