Ky është vëllimi i katërt poetik i poetit të talentuar Jan Kosova

Kultura

Ky është vëllimi i katërt poetik i poetit të talentuar Jan Kosova

Nga: Kujtim Xhebexhiu Më: 6 shtator 2019 Në ora: 22:50
Kopertina e librit

Ky është vëllimi i katërt poetik i poetit të talentuar Jan  A. Kosova,tashmë i njohur nga lexuesit shqiptarë,kudo që ndodhen,por dhe nga lexuesit gjermanë.Edhe në këtë vëllim,poeti ka ruajtur të njejtën linjë motivi,që përbën thelbin e poezive të këtij vëllimi.

Edhe pse ky motiv( i dashurisë) në pjesën më të madhe trajtohet në rrafshin personal,prapseprap  ai shtrihet edhe përtej personales,duke u gërshetuar me të përgjithshmen,sepse ky motiv është pjesë e jetës së  secilit prej nesh.Për poetin,jeta është plot halle,por edhe plot gëzime. Edhe pse e tillë,autori kërkon të shkruaj "për dashurinë tonë,dashurinë e përjetshme".

Familja për poetin është gjithçka;ai i quan pjesëtarët e saj me epitetin "lule të shpirtit tim"Edhe kur derdh lot,shpirti i tij nuk njeh mallkim. Autori nuk e sheh dashurinë si obligim.Për 'të është dashuri kur me zemër dashuron,ajo është ushqim i shpirtit,ajo është vetë jeta,është gjithçka.

Ja si shkruan ai,ndër të tjera:

Në vargjet e mia shpeshherë e kam shkruar

Se jetën e ka jetuar ai që me zemër dashuron

Shumë plagë të zemrës dashuria i ka shëruar

Një dashuri e vërtetë,gati çdo plagë e shëron.

Në pjesën më të madhe të poezive,frymëzim i vargjeve të poetit është bashkëshortja,Bukuroshja e Dardanisë,të cilën  ai e ka referentin e pothuajse të çdo poezie. Deklaratat e dashurisë ndaj saj nuk janë të thata; stampa, por plot ndjenjë. Ai shkruan:

E çfarë premtimi tjetër të duhet  ty  në këtë jetë

Kur unë shpirt edhe zemër ty,moti t'i kam falur?

ose

Sepse "Ti" është jeta ime, e unë një jetë të dua. .

Për lexuesin janë të mjaftueshme këto vargje për të kuptuar thelbin e dashurisë së poetit për bashkëshorten e tij.

E veçanta e poetit është realizmi.Ai nuk e idealizon dashurinë,si ndodh shpesh te shumë poetë,që mundohen t'i japin dashurisë përmasa astronomike,hyjnore duke e nxjerrë atë jasht natyrës njerëzore.

Dashuria për Jan  A. Kosovën  nuk është vetëm njëra anë e medaljes;ajo është e ëmbël dhe e hidhur,të lartëson dhe të fundos.

Vini re me sa mjeshtëri  e përcjellë poeti triumfin e kësaj ndjenje mbi çdo shpërthim të ndjenjave negative:

Nuk është dashuria për çdo ditë vëtëm harmoni

Edhe ti ke nganjëherë mosmarrëveshje me mua

Mirëpo ne e kthejmë edhe debatin në dashuri

Debatin tonë e përfundojmë me fjalët: "Të dua!".                   

Poeti është origjinal në çdo aspekt të strukturës së poezisë. Ai shquhet për leksikun e pasur të fjalorit poetik,për ritmin herë të shtruar e herë të shpejtë,për lakonizmin e mendimit dhe qartësinë e mesazhit që përcjellë te lexuesi.

Jan  A.Kosova ka stilin e vet  origjinal .Ai nuk përsërit veten jo më nga vëllimi në vëllim,por as nga poezia në poezi.Është mjeshtër në përdorimin me masë të figurave,veçanërisht të metaforave,epiteteve dhe krahasimeve, përfshirë dhe figurat sintaksore ku mund të veçojmë inversionin (anasjellën),polisindetin etj.Mjetet stilistike më të parapëlqyera të këtij poeti,janë: rrëfimi poetik,dialogu imagjinar dhe,deri diku, përshkrimi.     

Për të mos u zgjatur,po i lë kohë dhe radhë lexuesit për të vërtetuar vlerat artistike të poezive të këtij vëllimi poetik,poezi të cilat nuk do të shqiten nga kujtesa e lexuesit.që ,ashtu si edhe në vëllimet e tjera poetike të këtij poeti,do të mbetet i befasuar nga arti poetik i tij. Çdo lexues le t'i vlerësojë vetë poezitë e këtij vëllimi dhe të bindet për vlerat e tyre
të gjithanshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat