Bota magjepëse prej qelqi e Muzeut Chihuly në Siatëll - Bota Sot
Bota magjepëse prej qelqi e Muzeut Chihuly në Siatëll

Kultura

Bota magjepëse prej qelqi e Muzeut Chihuly në Siatëll

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 19:57
Muzeu Chihuly në Siatëll

Në skajin veri-perëndimor të Shteteve të Bashkuara ndodhet Siatëlli, Qyteti i Esmeraldtë. Quhet kështu pasi shtrihet mbi kodra të gjelbëruara buzë ujërave të Paqësorit. Siatëlli njihet si qendër e teknologjisë së lartë nga ku kanë dalë kompani gjigande shumëkombëshe si Microsoft dhe Amazon. Por ky qytet njihet edhe për vendin unik që zë në artin amerikan dhe atë botëror. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Valdya Baraputri ka vizituar Muzeun Chihuly dhe na njeh me veprat magjepëse që ka në mjediset e tij.

Pranë ndërtesës ikonike Space Needle në Siatëll ndodhetKopshti dhe Muzeu i Qelqit Chihuly. Në Siatëll, filloi hapat e parë arti i përpunimit të qelqit në Amerikë.

Në kopshtin e muzeut, skulptura qelqi me ngjyra të ndryshme janë vendosur mes bimëve, luleve dhe pemëve. Në galeritë e muzeut janë të ekspozuara disa nga veprat më të rëndësishme të artistit Dale Chihuly, banor i shtetit të Uashingtonit.

Shtëpia prej qelqi është punimi kryesor, duke u përqëndruar në vlerësimin që Chihuly kishte për serrat.

"Atje lart, mund të shikoni një nga skulpturat më të mëdha pezull që ai ka krijuar ndonjëherë. Mbi një mijë 'Persianë’, kështu i quan ai këto skulptura që po i shihni, pezull sipër kokës sonë, në ngjyrime të kuqe, portokalli dhe të verdhë", thotë Michelle Bufano, punonjëse e Muzeut të Qelqit, Chihuly.

Aty ndodhet galeria Pylli prej Qelqi, ku vizitorët befasohen nga një shfaqje mahnitëse ngjyrash dhe dritash.

Galeria Sealife tregon se si Oqeani Paqësor frymëzoi punimet e Chihuly-it. Këtu ndodhet skulptura 20 metra e gjatë e frymëzuar nga gjallesat detare.

Një aksident automobilistik në vitet 1970 i shkaktoi humbjen e shikimit në njërin sy, por ai vazhdoi të krijonte vepra me ngjyra, detaje dhe madhësi komplekse.

"Nuk e kisha idenë se çfarë do të shihja kur hyra këtu, por ato përfshinë aq shumë ngjyra, stile dhe modele", thotë vizitorja Joyce Cursi.

"Ne kemi fotografi të muzeut të qelqit Chihuly në shtëpinë tonë, por ato nuk e kapin mirë bukurinë e këtyre veprave. Ato duhet të shihen nga afër", thotë vizitorja Lisa Tancredi.

"Dhe është mbresëlënëse të shohësh që gjithçka është pak më ndryshe. Ju pyesni veten se si i bëri këto. Është mahnitëse", thotë vizitori Michael Aranoff. Ekspozitat në mbarë botën shfaqin artin e skulptorit Ghihuly, por ky muze shërben si shtëpia e vetme e përhershme për veprat e tij./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...