Muza ime

Kultura

Muza ime

Nga: Dibran Demaku Më: 15 shtator 2019 Në ora: 22:01
Dibran Demaku

Herë me ftoh e herë më djeg
herë më ikë e herë më ndjek
herë më mbushë me besë e shpresë
herë më qet krejt në harresë
herë për mua rrotullon botën
herë në mua e then gotën
herë më ndëshkon me nënqeshje
herë më përkëdhel me buzëqeshje
herë më sjell  më vjen vërdallë
herë më vdes e herë më ngjallë...

Ai e nxirrte fjalën prej guri
(A. Shkrelit)

ai e nxirrte fjalën prej guri
ai e nxirrte fjalën prej dheu
në Dragobi e thërriste Bajram Curri
në Krujë e thërriste Skënderbeu...


Pa viza

po zbardhen flokët po zbardhen
balli është shndërruar në aeroport për miza
jetës ia kemi ngrën mollën dardhën
nuk dihet nëse vdekja do na pranojë pa viza...


Sërish

sërish dikush i rishkruan jetët
sërish dikujt i zbardhen flokët
sërish vjeshta i zverdhon fletët
sërish vdekja i rrallon shokët...


Ik të ikim

Ik të ikim ik të ikim
të gjejmë tjetër dhe
ik të ikim ik të ikim
të lëm një atdhe

ik të ikim ik të ikim
sikur na është bërë ves
pastaj lotët të na pikin
në mbrëmje e në mëngjes...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat