Mirë se vini, o lurianë!

Kultura

Mirë se vini, o lurianë!

Nga: Gëzim Loka Më: 16 shtator 2019 Në ora: 13:32
Gëzim Loka

Lurë moj me karakolle

Me fortesa, me kështjella

Lumja ti çfarë udhe more

Granit jashtë e çelik brenda.

 

Rrugë e fatit pas të ndjek

Nëpër shtigje ëndrra drite

Në zemrën tënde ti monument

I ke bijtë, shqipe ndër vite…

 

Po të vijnë radhë-radhë

Që nga Shkodra gjer në Vlorë

Lezhë, Shkodër e Sarandë

Ushtojnë malet me dëborë.

 

Ushtojnë gryka, male e fusha

Sokëllin Runja me fletë

Nëpër drurë gazmojnë arushat

Bukuri me degë e fletë.

 

Lura ime shtatkurorë

Me fytyrë të larë nga vesa

Priti djemtë e tu dasmorë

Priti vajzat sokolesha…

 

Ja po zbardh e lumja ditë

Kalendari thyren fletët

Gëzo Lurë, ti hapi sytë

Po të kthehen porsi bletët…

 

Po të vijnë në prehër bese

Tek një prag e tek një votër

Të të ndezin një zjarr shprese

Të takohen vëlla e motër…

 

 

Të takohen kushërinjtë

Farë fis ku janë e s’janë

T’i ndezim zemrat si qirinjtë

Në këto troje, këtë vatanë…

 

Të gëzojë zemra luriane

Si ujëvarë të rrjedhë bekimi

Burra e gra nga janë çdo ane

Në këtë dhe me stinë blerimi…

 

Ejani ju, o lurianë të mi

Të festojmë me gaz e besë

T’i shkrijmë zemrat si qiri

T’i japim Lurës pak shpresë.

 

Ta ndërtojmë pragun e kullës

Të hapim themele tradite

Në çdo derë t’i hyjmë punës

Ta bëjmë Lurën oaz drite…

 

 

T’i rikthejmë kodet, kararet

Bujarinë që s’ka mbarim

Ta çojmë jetën m’u tek malet

Në çdo kullë ku del tym…

 

Në çdo kullë e në çdo vatër

Të bleroj dita çdo ngjyrë

Dashurinë ta kemi afër

Këtu ku lindëm me dëshirë.

 

Këtu ku toka, çdo grimcë dheu

Ka një shenjë dhe ka një kod

Ku kalorësit e Skënderbeut

Kryeprincit i dolën zot…

 

 Ku u ndezën zjarre lufte

Gjer në qiell të shqiptarisë

Ku ndër vepra të arta pune

Shkëlqeu djersa e rinisë…

 

 

Lurë moj bedenëstolisur

Me traditat mal më vete

Siç e nise e ke bitisur

Luftë me krajla e vilajete…

 

Luftë me nemce e serbli

Me pushtues anë e më anë

Mijëra plagë skuqin në gji

Mijëra yje të rrijnë pranë…

 

Ejani mblidhuni, o lurianë

Shpirt e zemra dashuruar

Në këtë vis ku të parët tanë

Bujarinë e kanë trashëguar…

 

Brez pas brezi e moti pas moti

Bukë e besë për mik e hasëm

Që nga koha e Kastriotit

Fisnikërinë e patëm afër.

 

Mal më mal, kodër më kodër

Bjer ti daulle, klarinetë

Po të kthehen djemtë në votër

Po të vjen e mirësia vetë.

 

Po të vijnë me degë e farë

Bijtë e tu të mirësisë

Çdo lurian është vetë i parë

Është bekim i perëndisë.

 

T’i ndërtojmë kullat dhe pragjet

T’i mbajmë ndezur prush zakonet

T’i pastrojmë ledhet dhe varret

T’i lartësojmë zemrat gjer te fronet.

 

Jemi lurianë, bijë Dardani

Ku ka bujtë vetë Çezari

Ku me plagë në gji vatani

Sokëllin sa tundet mali…

 

Dorë përdore, sy më sy

Të mblidheni të gjithë tok

Ta veshim Lurën me stoli

Ta fisnikërojmë sot e mot.

 

Lurë moj, ç’je përpjekur

Për të gjallë e për të vdekur

Për mision e për kauzë

Dashurisë i ke hapë udhë…

 

Dashurisë i ke hapë udhë…

Dashuria të ndjek pas

Mos e ul ti kokën kurrë

Veç përpara ecme gaz!

 

Lurë moj me rroba feste

Veshur mbathur me stolira

Fortesë dije dhe djep jete

Po të vijnë ditë të mira…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat